PRISHTINË, 5 Qershor/ATSH/.- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, dha sot publikisht një mesazh ndaj të gjithë personave që mundohen të destabilizojnë besimtarët myslimanë, duke i porositur që dyert e Bashkësisë Islame janë të hekurta dhe nuk mund të kalohen nga këta persona.
Bashkësia Islame e Kosovës, duhet ta dinë që të gjithë, që është dhe do të jetë një derë e hekurt, një pengesë e cila nuk mund të kalohet kurrësesi në destabilizimin e këtyre besimtarëve, të cilët jetojnë dhe veprojnë nën këtë qiell, por edhe brenda trojeve tona etnike shqiptare", ka thënë Tërnava.
I pari i myslimanëve të Kosovës, në lidhje me çështjet mjaft të përfolura të personave që përdorin fenë islame për akte terroriste, tha para mediave se nuk ka fuqi që do ta përçajë kombin shqiptarë.
"Mund të them se sigurisht që edhe ata që e thonë këtë edhe ata që e thërrasin për këtë duhet të dinë që nuk ka fuqi që destabilizon kombin shqiptar dhe nuk ka fuqi absolutisht që mund të depërtojë tek ne për një vepër të tillë të keqe dhe që është jashtë çdo norme islame fetare për destabilizim të vendit", ka thënë Tërnava.
Sipas myftiut Tërnava, çdo veprim keqdashës do të ndalohet. /KosovaPress//m.m/










