1. HISTORIA E VERIFIKUAR E STARAVECKËS PËRMES DOKUMENTESH

Titulli: Xhelal Staravecka në gjyqin e historisë (1912-1944); një biografi e verifikuar me dokumente arkivore e dëshmi të tjera
Autor: Naim Zoto
Gjinia: monografi
Botues: “Naimi”

Recensent dhe parathënia: Prof. Shaban Sinani

Redaktor shkencor: Prof. Marenglen Kasmi

Çmimi: 2000 lekë

Në një kohë kur historia vazhdon të mbetet fushë debatesh dhe interpretimesh, libri i Naim Zotos mbi kujtimet e Xhelal Staraveckës sjell një qasje ndryshe: atë të verifikimit dokumentar dhe të ballafaqimit të kujtesës me arkivat.

Libri bazohet në një punë kërkimore shumëvjeçare, ku kujtimet e Staraveckës ballafaqohen me dokumente shqiptare dhe të huaja, në përpjekje për të ndarë propagandën nga faktet historike.

Sipas prof.Shaban Sinanit, “I pashmangshëm është Staravecka në gjithë historinë e antifashizmit në Skrapar, Berat, Korçë, Kolonjë, Përmet, Mallakastër, Fier, Myzeqe e Tomorricë, Vlorë, Gjirokastër e deri Elbasan e rrethinat e Tiranës, si themelues çetash partizane, komandant dhe madje edhe komisar.”  Ai veren se “Për të mirë a për të keq, Xhelal Staravecka është aty në tre çlirimet e Çorovodës, në ngjarjet nën pushtimin gjerman; në krijimin e Brigadës I Sulmuese; në episodin tragjik të Çermenikës.”

Përmes këtij botimi, Naim Zoto nuk synon rehabilitimin e figurës së Staraveckës, por ndërtimin e një historie të mbështetur mbi burime të verifikueshme, duke sjellë një model të ri të leximit kritik të kujtimeve historike.

“Duke vërejtur se emri i Xhelal Staraveckës, edhe pas botimit të kujtimeve të tij, mbeti njësoj i demonizuar, për shkak të përtacisë mendore apo të absolutizmit intelektual; për shkak të ngurtësisë ideologjike, të frikës se mos prishen hierarkitë e instaluara në pushtetin e ri të pasluftës, apo të ndonjë arsyeje tjetër, Naim Zoto i hyri një pune të zorshme, por gjithaq të suksesshme: të realizonte një botim të vërtetuar, duke i ndjekur hap pas hapi e ngjarje pas ngjarje të gjitha nyjat e jetës së protagonistit të tyre dhe historisë reale të luftës në jug të Shqipërisë, për ta bërë jetëshkrimin e tij të shprehet përmes gjuhës së arkivave, dokumenteve e të burimeve të tjera. Vlera themelore e librit provon pikërisht fuqinë vërtetuese të dokumenteve, duke mos i ndarë në rehabilituese a ndëshkuese. Ndërmarrja verifikuese e tij deri në detaje të imta e kritika dialoguese, sidomos vënia në kalendar e ngjarjeve, përbën një model të rishkrimit të historisë pas verifikimit të kujtimeve a shënimeve të atij që shkruan kujtime historike.”, vëren prof. Shaban Sinani.

Ndërsa sipas historianit Marenglen Kasmi, edhe redaktor shkencor i këtij libri, “Në këtë botim kemi të bëjmë me një tekst që nuk synon vetëm të përcjellë kujtime, por t’i vendosë ato në një proces kritik shqyrtimi.”

Sipas tij, “roli i botuesit, dhe njëkohësisht autor i këtij libri, Naim Zoto, nuk ka qenë thjesht redaktues, por edhe interpretues, analizues dhe verifikues. Falë intuitës të profesionit të hershëm të gazetarit për të shkuar te e vërteta dhe burimi i saj, mbështetur në një punë të gjerë kërkimore në arkiva, autori ka arritur të shkojë në burime e dokumente që zbardhin enigma të historiografisë tonë”.

“Po ashtu, kujdes i madh i është kushtuar episodeve konkrete ku për autorin e kujtimeve, Staraveckën, ka patur akuza e debate që mbahen ende gjallë, si, për shembull, ngjarja që ka hyrë në histori si “Masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë”. Qëllimi i botimit nuk është rehabilitimi i figurës së autorit të kujtimeve, por Staravecka i ka shërbyer autorit si një shembull për ndërtimin e një baze faktike të verifikueshme të historisë përmes një procesi sistematik të kritikës burimore.”, vijon Kasmi.

2. “TOKA”, LIBRI I AUTORES TURKE BUKET UZUNER NË GJUHËN SHQIPE

Titulli: Toka
Autori: Buket Uzuner
Përktheu: Lindita Xhanari Latifi
Shtëpia botuese: Muza
Çmimi: 1400 lekë

Romani “Toka” është një vepër sa letrare aq edhe politike e sociale. Ai nuk është thjesht një roman misteri rreth zhdukjes së një gazetareje, por një manifest i fuqishëm që rreket të zgjojë ndërgjegjen e fjetur njerëzore ndaj shkatërrimit të mjedisit.

​Në këtë libër, Uzuner zhvendos ngjarjet nga metropoli i Stambollit drejt provincës së Çorumit (Anadollit Qendror) – një rajon me rëndësi të jashtëzakonshme historike, pasi ka qenë kryeqendra e Civilizimit Hitit të lashtë.

​​Ndryshe nga shoqëria moderne që e sheh tokën si një pronë të thjeshtë që mund të blihet, shitet, betonohet apo shfrytëzohet për përfitime afatshkurtra, Uzuner e risjell tokën në statusin e saj antik, si “Nëna Tokë” prej së cilës ka lindur gjithçka e tek e cila do të kthehen të gjithë.

Toka trajtohet si një organizëm i gjallë që ndjen dhimbje, që ushqen njerëzimin dhe që kërkon respekt ndaj tij. Autorja argumenton se duke helmuar tokën me plehra kimike dhe duke e mbuluar me beton, njeriu po helmon veten.

​Përzgjedhja e Çorumit dhe e rrënojave të lashta hitite nuk është e rastësishme. Hititët njiheshin për ligjet e tyre mjaft të përparuara dhe respektin ndaj natyrës. Uzuner bën një paralelizëm midis respektit që ky qytetërim i lashtë kishte për tokën dhe bujqësinë, dhe injorancës së shoqërisë moderne që po shkatërron të njëjtat troje për interesa korruptive.

​Në roman ka një linjë të fortë ku lidhet shtypja dhe dhuna ndaj grave me shtypjen dhe dhunën që i bëhet natyrës. Të dyja, si gruaja ashtu edhe toka, kanë aftësinë të krijojnë dhe të ripërtërijnë jetën.

​Uzuner përdor strukturën e një romani investigativ për të goditur probleme reale të Turqisë bashkëkohore dhe botës globale, si: korrupsioni dhe spekulimet me pronat; vjedhja e trashëgimisë kulturore (arkeologjike); ​shkatërrimi i bujqësisë tradicionale, ndërsa ngre alarmin për vdekjen e bujqësisë organike.

Në roman pasqyrohet realiteti i vështirë i gazetarisë investigative në vende ku liria e fjalës është e kërcënuar.

Romani “Toka” është një thirrje për t'u kthyer te rrënjët. Përmes një gjuhe poetike, por pa i ikur realitetit të ashpër, Buket Uzuner tregon se duke mbrojtur tokën, ne mbrojmë historinë tonë, lirinë tonë dhe, mbi të gjitha, të ardhmen tonë si specie.

Buket Uzuner është një nga zërat më të rëndësishëm, më origjinalë dhe më të dashur të letërsisë bashkëkohore turke. Është e njohur për stilin e saj që ndërthur mjeshtërisht realizmin magjik me mitologjinë anadollake/shamanike. Uzuner ka krijuar një profil unikal letrar. ​Veprat e saj janë përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës, përfshirë edhe gjuhën shqipe.

​Uzuner shkruan romane, tregime dhe udhëpërshkrime. Në krijimtarinë e saj spikat Tetralogia, që shtë një cikël prej katër romanesh, kjo është dhe kryevepra e saj . Ajo bazohet në Kuartetin e Elementeve (Uji, Toka, Ajri, Zjarri) dhe lidhet ngushtë me mitologjinë e lashtë turke (shamanizmin) dhe mbrojtjen e natyrës.

​Në qendër të të katër romaneve është Defne Kaman, një gazetare guximtare, idealiste dhe aktiviste e shoqërisë civile, e cila zhduket në mënyrë misterioze në çdo libër, duke vënë në lëvizje një hetim të madh.

3. “KUJTIMET E NJË MËSUESI”, ROMANI AUTOBIOGRAFIK I MARTINIT

Titulli: Kujtimet e një mësuesi
Autori: Xhafer Martini
Shtëpia botuese: M & B
Redaktori:  Bujar Karoshi
Çmimi: 1000 lekë

“Kujtimet e një mësuesi” është libri me autori Xhafer Martini, një roman autobiografik, ku autori sjell ndodhi, rrëfime dhe përvoja reale të jetës së tij përgjatë rrugëtimit të gjatë në fushën e arsimit.

Libri nuk është ndërtuar si ditar apo reportazh, por si një roman ku ngjarjet reale janë përpunuar artistikisht. Personazhet nuk mbajnë emra të vërtetë, ndërsa episodet janë të lidhura në mënyrë organike për të krijuar një strukturë të plotë romaneske.

Sipas Martinajt, vepra synon të pasqyrojë jo vetëm historinë e individëve, por edhe fytyrën e një epoke, me problematikat, sfidat dhe nivelin e arsimit të kohës. Ai theksoi se sistemi arsimor kishte kërkesa serioze dhe nivel të mirë pedagogjik, por shpesh dëmtohej nga mënyra sesi zbatoheshin politikat në praktikë nga drejtues lokalë të arsimit.

Në qendër të romanit vendoset figura e një mësuesi të gjuhës dhe letërsisë shqipe, përmes të cilit autori përcjell përvojat personale dhe vështrimin kritik ndaj kohës. Në libër trajtohen edhe ndikimet e ideologjisë në shkollë, të cilat, sipas autorit, shpesh kërkoheshin në mënyrë skematike dhe artificiale, duke dëmtuar cilësinë e procesit mësimor.

Xhafer Martini ndalet edhe te vlerat e letërsisë shqiptare ndër vite, duke theksuar se e kaluara nuk duhet parë vetëm me mohim, por me një vlerësim më të drejtë dhe njerëzor për kontributet që kanë dhënë shumë autorë shqiptarë.

Përmes romanit, autori sjell një reflektim të gjerë mbi arsimin, letërsinë dhe shoqërinë shqiptare, duke përcjellë mesazhin se letërsia mund të ndërtohet në forma të ndryshme, mjafton që të arrijë të komunikojë idetë dhe problemet e kohës.

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

POEZI TË XHEVAHIR SPAHIUT TE “MELODIA E VARGUT”

Rubrika e poezisë përcjell jehonën e bukur poetike të Xhevahir Spahiut.

Shembja e një nate dashurie

Ktheva kokën, mbajta hapat:

binin tjegullat, binin trarët,

binte qielli i një nate dashurie.

 

Atje mbi papafingo, pranë yjeve e pata puthur,

shemben yjet tani, bëhen pluhur.

Dritare s’ka, ka sy të zgavërt,

s’ka mure me plasaritje të etshme,

skelete fjalësh në gjysmë errësirë,

skelete ëndrrash, premtimesh të nesërme.

Ngrihet tymi si një mjegull e bardhë,

një grusht eshtrash të një nate gërmadhe.

Në cep të rrënimit

dy burra po pinë qetë-qetë cigare.

Ej, ju atje!

Nuk dëgjoni si ulërijnë brenda meje xhindet,

edhe pak e llava do të dalë jashtë meje si te vullkanet.

Mos u kthe në kujtim, i thashë

mos u kthe në harrim, më tha;

botës i falëm një natë dashurie

dhe kjo s’është pak.

Një natë. Dhe çfarë nate!

Dora mbi sup,

hëna mbi mal,

qielli i kaltër i botës mbi krye…

Mbajeni, mbajeni!

Ajo po bie…po bie….

Dhe ishte një natë e paemër,

siç ishin të paemërt yjet.

Kini mëshirë, mos e shembni atë natë!

është rënkimi im apo klithma e saj?

Kini mëshirë, kini mëshirë!

Ajo ishte një natë dashurie

që kurrë s’duhej të kish gdhirë.

Kini mëshirë,

në mos po atje nën gurë,

nën peshën e natës së shembur do të shembem,

i vrarë jo nga urrejtja, po nga dashuria,

që, përjetësisht quhet dhembje…