Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës zyrtare të Bashkisë së Durrësit, e cila përgënjeshtroi Lulzim Bashën në lidhje me kryefamiljarin Kadri Barruku, i cili pretendonte se nuk kishte marrë bonus qeraje dhe kishte ngelur pa shtëpi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i PD-së në Durrës, Ferdinand Xhaferaj shkruan se Këshilli Bashkiak i Durrësit është mbledhur me urgjencë vetëm pas denoncimit të Bashës. Në dokumentin e postuar nga Bashkia e Durrësit shkruhet se vendimi për rindërtimin e shtëpisë së qytetarit Barruku është dhënë ditën e sotme, me datë 10.08.2020.

"Sot, pas denoncimeve të Kryetarit të PD z. Lulzim Basha dhe qytetarëve të pastrehë që prej 26 Nëntorit të Manzës, u mblodh me urgjencë Këshilli Bashkiak i Durrësit për të miratuar grantet për rindertim. Kjo mbledhje dhe vendimi shoqërues vijnë pas plot 9 muajsh pritje të qytetarëve të cilët vazhdojnë të jenë të strehuar në çadra. Tërmeti ishte një fatkeqësi, por fakti se me qindra qytetarë vazhdojnë të ndjejnë pasojat është një zgjedhje e qeverisë Rama. Bashkia e Gjushit ka zgjedhur të mos punojë për qytetarët, por për oligarkët dhe ka zgjedhur të bëjë korrupsion e jo rindërtim. Sot u duk qartë se qytetarët e shohin zgjidhjen vetëm tek Partia Demokratike, Kryetari i së cilës bëri të pamundurën… Këshilli Bashkiak u mblodh për të marrë një vendim që për herë të parë nuk dëmton edhe më shumë qytetarët e rrënuar", shkruan Xhaferaj.


Lajmi kryesor:

'U mblodhët vetëm pasi denoncuam ne', Bashkia e Durrësit nxjerr dy herë blof Bashën me dokumente: Vendimi u mor më 29 korrik, sot u miratua në Këshill