Pas dorëzimit të dy listave nga Avokati i Popullit të njerëzve që do të bëjnë Vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit përmes një deklarate për mediat thekson se  po punon me themel për të përfunduar rishikimin e gjithë dosjeve të aplikimeve të konsoliduara rishtas për t’i mundësuar Kuvendit të fillojë shqyrtimin e kandidatëve.
 
"Rivlerësimi i gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve është vendimtar për ta arritur këtë objektiv dhe do të nisë pa vonesa të mëtejshme. ONM-ja po punon me themel për të përfunduar rishikimin e gjithë dosjeve të aplikimeve të konsoliduara rishtas dhe për t’i mundësuar Kuvendit të fillojë shqyrtimin e kandidatëve" shprehet misioni i ONM.
 
ONM: Po vijnë vëzhguesit afatgjatë 
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të zbatimit të Reformës në Drejtësi shprehet se vazhdojnë përgatitjet për ardhjen e vëzhguesve ndërkombëtarë afatgjatë që do t’u bashkëngjiten institucioneve të vetingut.
 
"Kanë vazhduar përgatitjet për ardhjen e vëzhguesve ndërkombëtarë afatgjatë që do t’u bashkëngjiten institucioneve të vetingut. Nisja e procesit të vetingut do të jetë  me rëndësi historike për Shqipërinë.

Qytetarët e vendit meritojnë një gjyqësor vërtet të pavarur, efikas, të përgjegjshëm dhe plotësisht profesional' mbyllet deklarata e ONM. 

Avokati i Popullit përfundoi punën për rivlerësimin e dokumentacionit të dorëzuar për plotësimin e kritereve ligjore nga 103 aplikantë për institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
 
Në përfundim të procesit të vlerësimit të dokumentacionit vetëm 84 kandidatë plotësojnë kriteret e vendosura. Për 27 vendet në organet e vetting-ut kishin aplikuar 193 kandidatë, 109 nuk i plotësuan kriteret.
 
Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i është dorëzuar lista nga Avokati i Popullit me emrat e kandidatëve, të cilët i kanë plotësuar kriteret formale dhe lista e kandidatëve, që nuk i kanë plotësuar kriteret formale sipas ligjit.

Vlerësimi dhe rekomandimet për kandidatët nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, do t’i përcillen Avokatit të Popullit, që së bashku me dy listat e sipërcituara do t’ia dorëzojë më pas Kuvendit të Shqipërisë.

Deklarata e plotë e ONM
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) përshëndet përfundimin e aktiviteteve nga komisioni vlerësues në Zyrën e Avokatit të Popullit, në kuadrin e procesit për krijimin e institucioneve të vetingut. Gjatë ditëve të fundit, nën  mbikëqyrjen nga afër të ekipit të vëzhguesve ndërkombëtarë të ONM-së komisioni i vlerësimit ka shqyrtuar dorëzimet e dokumenteve të certifikuara nga mbi njëqind aplikues.
 
Pa paragjykuar vlerësimin e fundit procedural nga vëzhguesit ndërkombëtarë, që aktualisht po përgatitet, bazuar në gjetjet fillestare, ONM-ja e lavdëron edhe një herë punën shumë të plotë, të saktë dhe profesionale të komisionit të vlerësimit pranë Zyrës së Avokatit të Popullit. Shqyrtimi i certifikatave të paraqitura nga kandidatët për të plotësuar dosjet e tyre të aplikimit është kryer me kujdes, në përputhje me funksionin shqyrtues që pasoi thirrjen e parë dhe bazuar në kriteret e parashikuara në kuadrin përkatës legjislativ. ONM-ja lavdëron gjithashtu gatishmërinë e Avokatit të Popullit, z. Igli Totozani, për të proceduar me publikimin në kohë të një liste të konsoliduar kandidatësh që plotësojnë kriteret e kualifikimit për postet e ndryshme në institucionet e vetingut.
 
Vëzhguesit ndërkombëtarë të ONM-së do të procedojnë tani me shqyrtimin e tyre të pavarur të të gjithë dokumenteve të paraqitura. Pas përfundimit të këtij procesi, po të jetë nevoja, Avokatit të Popullit do t’i paraqitet një vlerësim i përditësuar dhe i arsyetuar, si dhe rekomandime për t’ia transmetuar në mënyrë konfidenciale Kuvendit të Shqipërisë.
 
ONM konfirmon se kanë vazhduar përgatitjet për ardhjen e vëzhguesve ndërkombëtarë afatgjatë që do t’u bashkëngjiten institucioneve të vetingut. Nisja e procesit të vetingut do të jetë  me rëndësi historike për Shqipërinë. Qytetarët e vendit meritojnë një gjyqësor vërtet të pavarur, efikas, të përgjegjshëm dhe plotësisht profesional. Rivlerësimi i gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve është vendimtar për ta arritur këtë objektiv dhe do të nisë pa vonesa të mëtejshme. ONM-ja po punon me themel për të përfunduar rishikimin e gjithë dosjeve të aplikimeve të konsoliduara rishtas dhe për t’i mundësuar Kuvendit të fillojë shqyrtimin e kandidatëve.
 



dy.b/shqiptarja.com