Kujtime, por edhe një histori institucionale e Teatrit të Operas dhe Baletit vijnë përmes librit “Opera ime”, që mban autorësinë e mjeshtrit Zhani Ciko.

Një jetë e tërë në shërbim të muzikës shqiptare: violinist, koncertmaestër, pedagog dhe drejtues i institucionit të operës, Zhani Ciko është një prej emrave që ka ndikuar thellë në zhvillimin e operës dhe baletit në Shqipëri dhe ka qenë drejtuesi më afatgjatë i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

“Çdo herë që kam luajtur bagetën në këtë teatër, nuk e kam bërë as për lavdinë personale ose pasionin tim të padiskutueshëm, po e kam bërë për të zgjidhur një problem. Kam marrë veprat më të vështira që pa autoritetin e drejtorit, orkestra do refuzonte ose këngëtarët nuk do të përgjigjeshin. Pra kjo na bëri atë që dolëm faqebardhë nga kjo punë dhe kështu është e mira që jetëgjatësia të prodhojë gjëra pozitive.” , tha Zhani Ciko.

Drejtori aktual i TKOB-it e përshkruan Cikon, si një nga arkitektët e transformimeve moderne të institucionit.

“Është një libër me artefakte dhe ese, që ju do ta shihni nga afër. Nuk bëhet fjalë vetëm për të prezantuar vepra, për të vënë në skenë vepra të cilat vihen anë e mbanë botës, por duke marrë parasysh të gjithë periudhën historike të teatrit, ku ka pasur vështirësitë e veta dhe ka qenë çdo vepër e vënë në skenë një mision më vete. Dua ta falenderoj dhe për për gjithë angazhimin e tij në edukimin, në ngritjen e brezave, në ngritjen e ansambleve, e orkestrave, që sot duhet të ndjekim një rrugë të tillë. Po ashtu së shpejti do të kemi një opera premierë, opera shqiptare që maestro Zhani Ciko është kujdesur, sepse bëhet fjalë për një opera premierë absolute botërore nën regjinë e profesor Nikolin Gurakuqit, ku do të jetë vepra ‘Fundi i Golemëve’ e kompozitorit Nikolla Zoraqi.”, tha Aulon Naçi.

Figura e tij vlerësohet edhe nga personalitete të artit dhe politikës, si një model i vazhdimësisë dhe i edukimit artistik.

“Ishte një kohë e vështirë, kishte probleme shumë serioze. Vështirësia ishte se si do gjej mekanizmin edhe për të ndryshuar drejtuesin, sepse nuk ishte fillim mandati. Kam përshtypjen që profesor Ciko është i vetmi që nuk është ndërruar kur janë ndërruar mazhorancat.”, tha Arta Dade, ish-ministre e kulturës në kohën kur Ciko ishte drejtor në Teatrin e Operës dhe Baletit.

Ndërsa artistë dhe bashkëpunëtorë e shohin këtë botim si dokumentim të një epoke të rëndësishme për artin shqiptar.

“Mendoj që kjo periudhë 10 vjeçare, 2003-2013, shënon një periudhë kthese në veprimtarinë e institucionit në pikëpamje të krijimit të standarteve të duhura të një institucioni të këtij lloj. të bashkëkohësisë së tij dhe të plotësimit të institucionit, sidomos në drejtim të repertorit dhe cilësisë së paraqitjes.”, tha muzikologia Zana Shuteriqi.

 

“Duke qenë prej 40 vjetësh që kam kaluar në këtë teatër dhe kam qenë në drejtimin e disa drejtorëve që kanë bërë punën e tyre sigurisht me përkushtim, me ndërgjegje dhe me atë çfarë jep detyra atyre. Por me profesor Zhanin është një ndryshim shumë i madh. Krijoi një atmosferë të jashtëzakonshme mirëkuptimi. Krijoi një atmosferë artistike bashkëpunimi. qetësie që është kaq shumë e nevojshme për artistët dhe për ata që jetojnë në teatër.”, tha sopranoja Edit Mihali.

Libri “Opera ime” vjen si një testament i zhvillimit të operës shqiptare, e një rrugëtimi artistik dhe njerëzor që shtrihet në dekada pune, krijimtarie dhe reformimi institucional.