Një hetim 2-vjeçar i Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me autoritetet austriake, goditën 3 call center në 12 zyra kryeqytet, që kanë mashtruar me mijëra qytetarë evropianë të cilët kanë humbur deri në 50 milionë euro. 10 persona u arrestuan, disa organizatorë e disa në flagrancë, dhe 4 u shpallën në kërkim. Në aksion, u sekuestruan 900 mijë euro cash, ndërsa në zyrat e call center u gjetën edhe 80 operatorë të cilët u morën në pyetje dhe iu sekuestruan celularët. Report Tv mësoi se në krye të skemës së mashtrimit qëndron Granit Pepnika, nga Tropoja, për të cilin pritet të lëshohet edhe masë arresti. 

***

Vetëm 100 metër larg qendrës së Tiranës, në hyrje të rrugës së Kavajës, në 3 kate të kësaj godine shumëkatëshe ishte ngritur një rrjet gjigand i mashtrimit të qytetarëve evropianë përmes call center-ave. Efektivët e Policisë së Tiranës, të hënën në mbrëmje, ruajnë godinën teksa agjentë të Krimit Kibernetik, prokurorisë së Tiranës dhe partnerë ndërkombëtarë, bastisin zyrat. Nga aty, dolën me çantat plotë me prova.

Brenda zyrave u gjetën 80 operatorë telefonikë, që u shoqëruan për t’u marrë në pyetje. Atyre iu sekuestruan edhe celularët. Njëkohësisht, të tjerë efektivë ishin në 2 call center të zbuluar pranë Kopshtit Zoologjik. 

7 urdhër arreste u lëshuan në total me urdhër të Prokurorisë së Tiranës për mashtrim kompjuterik, për persona të dyshuar si kryesorët e skemës, të cilëve iu kontrolluan edhe banesat. Policia arriti të ekzekutojë 5 masa Eduard Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi dhe Xhoel Mekolli, ndërsa 2 të tjerë, u shpallën në kërkim Marsel Lami dhe Xhoni Hitaj, ky i fundit i arrestuar më parë për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. Për 2 persona të tjerë u vendos masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit, por u ekzekutua vetëm për Aida Voklin 33 vjeç.

Dy prej tyre Tedi Agastra, i hetuar edhe më parë për skema mashtrimi, dhe Mateo Hoxha 24 vjeç dyshohet se konvertonin shumat që i vidheshin qytetarëve evropianë, në portofole kriptomonedhash, për të fshehur gjurmët e parave.

Burime nga grupi hetimor, thanë për Report Tv, se të arrestuarit janë administratorë të call center-ave mashtrues, punonjës IT, që merren me ngritjen dhe menaxhimin e sistemeve që zhvasin të huajt, të tjerë mirëmbajtës interneti dhe financierë.

Kur policia ndërhyri në këto call center-a, arriti të gjejë në to, edhe 5 persona, të cilët u prezantuan si individë me peshë në strukturën e aktivitetit kriminal, në rolin e drejtuesve të ekipeve. Ata u arrestuan në flagrancë. Një tjetër me funksione të tilla, një 24-vjeçar, u shpall në kërkim.

23-vjeçari Tedi Agastra, sipas burimeve nga organi i akuzës rezulton i dyshuar për veprën penale “ushtrim pa licencë i veprimtarisë financiare”.  Ai është arrestuar edhe më herët, në 2024-ën, në një grup me kryefinancierin e televizionit të familjes Berisha, “Syri Tv”, Evis Sopi, i cili kishte një Exchange që dyshohej se e përdorte për të këmbyer kriptomonedhat në para cash.

Gjatë kontrolleve në 3 call center të shpërndarë në 12 zyra, agjentët sekuestruan gati 900 mijë euro cash, si kompjuterë, USB, servera dhe kamera sigurie.

Hetimet zgjatën 2 vite me radhë, kohë gjatë se cilës u mblodhën prova e dëshmi nga qytetarë evropianë të mashtruar, dhe u bashkëpunua me autoritetet austriake.

Aktualisht nën hetim po mbahen dhe disa baza të tjera të dyshuara se shërbejnë si call center mashtrimi në kryeqytet.

Në pranga
Eduart Dalla (masa e sigurisë e ekzekutuar)
Mateo Hoxha (masa e sigurisë e ekzekutuar)
Tedi Agastra (masa e sigurisë e ekzekutuar)
Ledio Toçi (masa e sigurisë e ekzekutuar)
Xhoel Mekolli (masa e sigurisë e ekzekutuar)
Kristjan Buda (arrestuar në flagrancë)
Benard Biba (arrestuar në flagrancë)
Kleidi Dyrma (arrestuar në flagrancë)
Ema Taip (arrestuar në flagrancë)
Eno Hana (arrestuar në flagrancë)
Ndalim dalje jashtë vendi
Aida Vokli (masa e sigurisë e ekzekutuar)
Në kërkim
Marsel Lami (në kërkim)
Xhoni Hitaj  (në kërkim)
Ledjon Cenaj (masa e sigurisë detyrim paraqitjeje e paekzekutuar)
D.J.

 

U SEKUESTRUAN
891,735 euro
443 kompjuterë;
238 telefona celularë
6 laptop
HDD, DVR
 
 
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:57
Zhvatja e 50 mln € nga evropianët, zbulohet ‘koka’ e 3 Call Center-ave që u goditën në Tiranë! Dyshohet se qëndron pas një rrjeti më të gjerë të skemave të mashtrimit (EMRI)

1776110549_WhatsAppImage20260413at22.01.35.jpeg

Granit Pepnika nga Tropoja është personi që ishte në krye të skemës së mashtrimit me Call Center-at që u goditën ditën e djeshme në Tiranë.

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se hetuesit kanë siguruar prova se ai qëndron jo vetëm pas 3 Call Centerave të goditur mbrëmjen e djeshme, por edhe pas një rrjeti më të gjerë në Tiranë. Ndërkohë pritet që Prokuroria të firmosë urdhër-arrest edhe për të.

Ora 16:02
Operacioni kundër Call Center në Tiranë/ 5 të arrestuar në flagrancë, 5 masa ‘arrest me burg’ të ekzekutuara

1776113795_callcenterliqeni.jpg

Pesë persona janë arrestuar në flagrancë nga operacioni i zhvilluar dje nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës në bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe austriake. Në total Prokuroria lëshoi 7 masa ‘arrest me burg’ 5 prej tyre të ekzekutuara, ndërkohë në kërkim janë shpallur në kërkim: Xhoni Hitaj dhe Marsel Lami. Gjithashtu policia ka shpallur në kërkim dhe një tjetër person, i cili është gjetur në zyrat e Call Center.

Nga operacioni policia sekuestroi: 443 kompjuterë; 238 telefona celularë; 6 laptopë; pajisje të tjera si HDD, DVR etj., dhe vlera të konsiderueshme monetare, në total 891,735 euro

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europolit, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Ghost Call”, në kuadër të goditjes së veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Ky operacion është rezultat i një hetimi të thelluar nga strukturat e hetimit të krimit kibernetik, i cili ka zgjatur rreth 2 vite. Hetimi nisi me iniciativën e strukturave të krimit kibernetik, pas një kërkese për informacion të ardhur nga autoritetet austriake, duke çuar në zbulimin dhe dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Gjykata e Tiranës vendosi lejimin e kontrollit të ambienteve ku ushtronin aktivitetin subjektet, si dhe kontrollin e banesave të 9 shtetasve të dyshuar.

Gjatë ndërhyrjes në ambientet e këtyre subjekteve, u konstatuan operatorë të ndryshëm duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm, çka mundësoi dokumentimin e menjëhershëm të veprimtarisë kriminale.

Në vijim të veprimeve procedurale, me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, u caktuan masat e sigurimit si më poshtë:

* “Arrest me burg” për 7 shtetas, konkretisht për shtetasit E.D. I datëlindjes 24.10.1978; M.H. i datëlindjes 14.07.2002; T.A. i datëlindjes 19.06.2003; L.T. i datëlindjes 28.08.1993 dhe Xh.M. i datëlindjes 05.12.1997, për të cilët u bë ekzekutimi i masave të arrestit. Ndërsa për shtetasit Xh. H. i datëlindjes 10.06.1995 dhe M.L. i datëlindjes 04.12.1997, u bë shpallja në kërkim.

* “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore” për 2 shtetas, ku masa u ekzekutua për shtetasen A.V., datëlindja 29.12.1993.

Po ashtu, gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë, në kushtet e ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm, shtetasit:

* K.B. i datëlindjes 06.04.1988;

* E.H. i datëlindjes 17.11.2000;

* B.B. i datëlindjes 02.10.2001;

* K.D. i datëlindjes 15.12.2001;

* E.T. i datëlindjes 04.08.1994.

Si dhe u bë shpallja në kërkim edhe për shtetasin D.J., i datëlindjes 02.08.2002.

Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas u identifikuan si individë me peshë në strukturën e aktivitetit kriminal, në rolin e drejtuesve të ekipeve.

Ekzekutimi i vendimeve u realizua nga oficerët e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, si dhe në koordinim të plotë me hetues nga autoritetet austriake dhe ekspertë të Europolit, të cilët ishin pjesëmarrës gjatë operacionit.

Gjatë ushtrimit të kontrolleve, u gjetën dhe u sekuestruan vlera të konsiderueshme monetare, në total 891,735 euro, si dhe një numër i madh pajisjesh elektronike, konkretisht:

* 443 kompjuterë;

* 238 telefona celularë;

* 6 laptopë;

si dhe pajisje të tjera si HDD, DVR etj., që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal.

Materialet e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në luftën kundër krimit kibernetik.

K.B/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • toma: 14/04/2026 17:16

    Dikur shqiptaret vjedhnin neper supermarketet, neper shtepi e kisha, sidomos ne Greqi, France dhe Itali, ndersa sot vjedhin qytetaret europiane nepermjet platformave qe kane mbjellur politikanet. Se Call Centre, pa mbeshtetje politike nuk ka. Turp. Dhe nje bravo te madhe per Policine.

    Përgjigju
  • Shkurt: 14/04/2026 16:50

    Dënim maksimal për mashtrimet kopjuterike që të mos kenë mundësi të gëzojnë lekët e vjedhura

    Përgjigju
  • Ori: 14/04/2026 12:17

    Shqiperia esht plot ne call centera.Gjith bota e di dhe vetem drejtesia e korruptuar shqiptare nuk e di.Aty pastrohen milionat e krimit.Gjith dalin nga burgu,gezojn leket qe kan rrjep ne bashkpunim me vet hallkat e shtetit

    Përgjigju
  • Lexues: 14/04/2026 09:46

    Edhe thone pastaj qe rrine bosh kullat ne Tirane. Plot e ke çdo zyre, ne çdo kat, me mashtruesa qe e bejne naten dite.

    Përgjigju
  • Standarte Shqiptare: 14/04/2026 09:31

    Shitet Apartament 1+1 56 M2 ke Myslim Shyri ,pallat i vitit 1956 pa ashensor kati 4 cmimi o cazzo ion per vetem 290 mije euro,nxitoni cmime te tilla jane te rralla dhe pronat blihen shpejt...

    Përgjigju
    • @Olsit: 14/04/2026 20:20

      O olsi mos u bo koqe kupto pak ironine ,ishte per te then nga vijn miliona euro prona.Tung

    • olsi: 14/04/2026 13:32

      Jam i interesuarm ku mund tju kontaktoj ?

  • Sondazhi i ditës: 14 Prill, 11:13

    Samiti i Diasporës, mendoni se është bërë mjaftueshëm për shqiptarët jashtë?