Operacioni për hidrokarburet-Rama: Aksion rrënjësor dhe kapilar kundër grabitësve të pasurisë kombëtare

/ATSH/.- Kryeministri Edi Rama theksoi sot se operacioni i energjisë sikurse dhe ky në sektorin e naftës, janë pjesë e planit tonë për të çuar më tutje një proces që pasoi natyrshëm ndaljen e hemoragjisë që ishte pjesa e parë e mandatit tonë qeverisës.
Duke folur gjatë lançimit të operacionit në sektorin e hidrokarbureve, shefi i qeverisë tha se "para pak se të vija këtu isha në Panairin e Punës dhe e mbylla fjalën time me një shprehje që dëshiroj të filloj këtë fjalë, një shprehje të Shën Françeskut që thotë "bëj atë ç'ka është e nevojshme të besh, atë që është e mundur dhe atëherë do të bësh edhe të pamundurën".
"Çfarë kemi bërë deri me sot dhe çfarë po bëjmë sot me nisjen e këtij operacioni rrënjësor dhe kapilar kundër grabitësve të pasurisë tonë kombëtare dhe kundër mashtruesve të konsumatorëve tanë është pikërisht ajo që Shën Françesku porosit në fillim, e nevojshmja, ajo me të cilën fillon çdo peracion që tek operacionet për të shpëtuar jetë deri tek operacionet për të shpëtuar vendet, tek operacionet për të shpëtuar ndërmarrjet , sektorë apo struktura të cilat gjenden në kushtet e pamundësisë për të bërë ç'ka mund dhe duhet të bëjmë", tha Rama.
"Ne e gjetëm vendin si një trup të shtrirë për tokë që kullonte gjak nga të gjitha anët nga çdo organ vital nga çdo sektor. Nuk ka një sektor të jetës së vendit tonë ku mund te thuhet se 18 muaj më parë gjendja ishte hemoragjike. Sektori i energjisë që është padyshim edhe zemra e ekonomisë dhe jetës së një vendi, ishte shëmbylltyra më kuptimplotë e kësaj hemoragjie asfiksuese", nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se "njësoj siç bëmë me energjinë elektrike, sepse ketu jemi përsëri në një aksion brenda sektorit të energjisë, u angazhuam për të ndaluar hemoragjinë dhe pastaj filluam operacionin që vazhdon dhe do të vazhdojë deri kur i gjithë organizmi të jetë në lëvizje të plotë për t'u vënë në funksion të konsumatorit".
"Faktikisht çfarë kemi bërë për të ndal hemoragjinë; kemi marrë masat që të kemi në dore instrumentet e nevojshme për të qenë në gjendje që hemoragjia të ndalet dhe instrumentat kanë qenë, instrumenta kontrolli për veprime të menjëhershme, ndalimi dhe ndëshkimi, por edhe instrumenta më afatgjatë të natyrës ligjore dhe administrative dhe sot falë këtij vizioni dhe këtij plani të qartë, ne kemi një bazë ligjore mbi të cilën mund të thellojmë më tutje me këtë operacion që sapo kemi nisur", theksoi Rama.
Gjatë vitit 2014, shtoi ai, u shënua momenti i kthesës , por nuk është kryer kthesa , ka filluar. "U rrit prodhimi i naftës bruto me rreth 15 % krahasuar me një vit me parë , u prodhua më shumë u përpunua edhemë shumë , në raport me 2013, 300 mijë ton në 2014, në raport me 60 mijë tonë në 2013 parashikojmë dyfishimin. Këtë vit u arkëtuan nga pagesat e lëndës minerare një shumë prej 242 milionë dollarësh pavarësisht uljes dramatike të çmimit të naftës në tremujorin e katërt të vitit 2014 dhe nga marrëveshjet e hidrokarbureve në fushën e ndërtimit u arkëtuan plot 200 mijë dollarë.
Tahiri: Do ti shkojmë paligjshmërisë deri në rrënjë
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri shprehu angazhimin e Policisë së Shtetit në këtë operacion, që siç deklaroi ai, "do ketë suksesin e dy të tjerëve".
"Sot është dita për të kuptuar sa shumë kemi bërë dhe sa shumë duhet për të garantuar dinjitetin njerëzor, për t'i dhënë dinjitet dhe mirëqenie çdo qytetari. Ne besojmë sot se duhet të kthejmë dinjitetin nëpërmjet punës dhe mirëqenies. Sot koordinojmë forcat mes shumë institucioneve për të shëruar një plagë shumëvjeçare siç është vjedhja e pasurisë kombëtare për të mos patur ngjarje si në Marinzë, që po hetohet, duke e bërë tregun e naftës monopol deri tek cilësia e karburantit që nuk prish vetëm makina dhe shkatërron shëndetin e çdo qytetari duke dërrmuar mjedisin. Lufta jonë është që ta bëjmë Shqipërinë më të pastër dhe më të jetueshme", tha ministri Tahiri, ndërsa nënvizoi se, "nuk ka abuzim më të madh se sa ata që përdorin varfërinë për të bërë politikën e ditës".
Ai premtoi se "do ti shkojmë paligjshmërisë deri në rrënjë, të çmontojmë skemat e konsoliduara që nëpërmjet mashtrimit, evazionit, monopolit e cilësisë skandaloze kanë dëmtuar rëndë situatën në këtë vend. Do ketë nga ata që do ngrenë zërin dhe të thonë polica të mos merret me ketë se paskërka punë më të mëdha, unë po ju them se falë këtyre angazhimeve nga janari deri në 1 Maj 2015 kemi numrin më të vogël të vrasjeve në dy dekadat e fundit".
Ministri Cani: Kontroll tregut për të ndaluar evazionin fiskal
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani duke e vënë theksin tek rëndësia e cilësisë së karburanteve në vend tha se, kontrolli rigoroz i tregut do të ndalë evazionin fiskal. "Ministria e Finanacve do marrë pjesë në këtë aksion të ri, duke kontrolluar tregun në bashkëpunim me institucionet e tjera"-tha Cani. "Sot shoqëritë e hidrokarbureve janë fiskalizuar, ose janë në proçes fiskalizmi, do raportojnë sasinë e prodhuar on linë. Ne do ndalojmë futjen në treg të sasive të paligjshme, pra që bëjnë evazion fiskal. Do bëjmë procesin e markimit", tha kreu i Financave ndërsa shtoi se, "Kemi fituar përvojë nga operacione të tjera, qoftë për energjinë dhe ndërtimet pa leje."
Gjiknuri: Masa ndëshkuese për ata që abuzojnë me çmimin e naftës
Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknur, dha disa nga detajet në lidhje me operacionin e tretë më të rëndësishëm në vend, atë të hidrokarbureve.
Gjiknuri pohoi se deri më tani janë penalizuar 75 subjekte. "Sfidë e vërtetë për kontrollin. Detyrimet që ka Shqipëria do bëjë të mundur që ky kontroll të jetë i rreftë dhe masat ndëshkuese do jenë të mëdha dhe kudo që do operojë në vend do ta ketë të vështirë, janë penalizuar 75 subjekte deri tani. Pse kërkojmë ti ashpërsojmë më shumë? Kjo është një sfidë më e madhe dhe ky është qëllimi i operacionit. Nga ana tjetër, dua të them diçka për hidrokarburet. Ka pasur probleme për ata që prodhojnë naftë dhe shtetit.", tha ministri.Teksa u ndal tek shpërthimi i puseve të naftës në Marinzë, Gjiknuri pohoi se do nxirren të gjithë përgjegjësit.
"Edhe ngjarja që ndodhi në Marinzë, shteti vepron në kohën e duhur. Bëjmë një investigim të qartë dhe nxjerrim përgjegjësit, dhe kemi marrë masa ndaj kompanisë, me përgjegjësin që i takon asaj. Ne nuk kemi nëpërkëmbur interesat e shtetit. marrëveshjet e hidrokarbureve kanë klauzola sekrete dhe jo të gjithë mund të dalin në publik, por auditimet janë bërë më shumë se këto 10 vite. Për një gjë ju garantojmë se me ato auditimet po i shkojmë çështjeve deri në fund. Nuk do mbyllim sytë për publikun. Operacion shumëdimensional të gjitha institucionet bashkë nën një qendër koordinimi, që të kemi rezultate si tek energjia elektrikë",tha gjatë fjalës së tij ministri Gjiknuri. 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

El Clasico në finalen e Superkupës, Ancelotti: Na duhet ky trofe! Flick: Sfidë e madhe, Barça gati