TIRANE-Partia Demokratike do të bojkotojë edhe seancën e tretë plenare për sesionin e ri parlamentar. Ditën e enjte grupi parlamentar i PD do të mblidhet në qytetin e Durrësit.

Lajmi konfirmohet nga burime pranë selisë blu për Report Tv, pas mbledhjes së grupit të PD, ndërsa këtë javë do të bojkotohen edhe komisionet parlamentare. Pas mbledhjes së grupit të PD, Basha do të zhvillojë një takim me aleatët për të koordinuar mbledhjen e ditës së enjte në Durrës.

Në datë 3 shtator kur u zhvillua seanca e parë plenare, opozita e bojkoti duke u zhvendosur në Shkodër, ndërsa në mbledhjen e dytë të Kuvendit, PD dhe LSI zhvilluan një takim paralel në Elbasan, ku Basha prezantoi nismen e vettingut ne politike.

Edhe në takimin e radhës që është planifikuar në Durrës pritet që grupit të PD ti bashkohen edhe aleatët LSI dhe PR.

Argumenti i opozitës për zhvendosjen e mbledhjeve paralele të Kuvendit nga njëri qytet në tjetrin ditën e seancave plenare është se gjithçka bëhet për të qenë pranë banorëve pas ngjarjeve të fundit kriminale.

Në Shkodër në dy muajt e fundit janë shënuar 6 vrasje dhe 2 persona janë zhdukur, ndërkohë që edhe në Vlorë janë zhdukur 3 persona të tjerë.