Krerët e opozitës, Lulzim Basha i PD dhe Monika Kryemadhi e LSI, kanë deklaruar se brenda kësaj jave nis mosbindja civile dhe protesta masive në të gjithë vendin. Basha dhe Kryemadhi iu kanë bërë thirrje qytetarëve të mos paguajnë asnjë taksë dhe të bashkohen në protestë, që sipas tyre, do të jetë me të gjitha format. 

"Patëm takim të zgjeruar të opozitës. Kemi vendosur të jemi në krah të qytetarëve shqiptarë, që po poshtërohen nga qeveria. Jemi në krah të gjithë shqiptarëve që goditen me taksat, hiqen nga ndihma ekonomike. Shqipëria ndodhet në prag të një humnere ekonomike, shkaktari është Edi Rama. Pasi vodhi zgjedhjet, vazhdon të qeveris me bandat dhe banditët. Në këtë vend nuk ka zgjedhje të ndershme, demokraci, qeveria shkel Kushtetutën.

Në këtë vend merr fund reforma  në drejtësi, se mos vëllezërit e kryeministrit e të ministrit dalin bashkëpunëtor me trafikantët. Hapësira e vetme për t’i qëndruar në krah qytetarëve është mosbindja civile dhe kjo nis këtë javë, me të gjitha format e mosbindjes. Ky është vendim unanim i opozitës, e cila nis që sonte për të bërë realitet mosbindjen qytetare. Ne do ndërthurim të gjitha format e nevojshme të aktivitetit opozitar për të arritur qëllimin. Protesta në të gjitha format dhe mënyrat"

Lulzim Basha, kryetar i PD

"Mobindja qytetare do të thotë të heqësh dorën e Edi Ramës nga xhepi i shqiptarëve. Mosbindja qytetare është shumë e thjeshtë, të heqin shqiptarët litarin që u ka hedhur në qafë dhe që po ua shtrëngon çdo ditë e më shumë. Mosbindje qytetare do të thotë të ndihesh shqiptar, të ndihesh qytetarë dhe do të thotë ti thuash: Ik Edi Ramës, se boll ja more shpirtin këtij populli kaq të vuajtur, që çdo ditë e më shumë po vuan dhe më shumë. Ju bëj thirrje të gjithë ju mediave, të gjithë ju gazetarëve që të bëheni pjesë e kësaj mosbindje qytetare, sepse pagat tuaja të vogla janë si rrjedhojë e uzurpimit dhe e vjedhjes që çdo ditë i bën Edi Rama.

Duke ju mbyllur gojën gazetarëve, politikanavë dhe qytetarëve, Edi Rama çdo ditë e më shumë po instalon diktaturën e krimit, diktaturën e vjedhjes, diktaturën e drogës. Prandaj ju bëj thirrje, mos ndaloni çdo ditë, bëhuni misionarë të atyre qytetarëve, bëhuni misionar të atyre 23 të burgosurëve, të cilët janë sot heronjtë e Shqipërisë dhe janë mësim dhe për ne opozitën. I falenderoj me zemër në emër të të gjithë grave dhe nënave shqiptare, që do të jenë nesër në dyert e gjykatës, ku do ku ta bëj gjyqin Edi Ramës, në Kukës apo në Tiranë, gratë dhe vajzat shqiptare do të jenë në përkrahje të atyre burrave që I dhanë dinjitet shqiptarëve, I dhanë dinjitet këtij populli, që Edi Rama me një fjalor rrugaçi i fyeu në mënyrën më vulgare"

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI

Sipas kreut të PD, vendi qeveriset nga një bandë që grabit, vjedh, plaçkit shqiptarët, duke shtuar se këtë e tregoi qartë Kukësi. Lulzim Basha iu ka bërë thirrje demokratëve për mosbindje civile, duke iu kërkuar të bllokojnë rrugët, të mos paguajnë taksat e rritura, taksën e pronës, të Rrugës së Kombit, të ujit dhe dritave.

“Zgjidhja nuk vjen vetëm nga kërkesat ekonomike, do të kërkojmë zgjidhje politike. Këta po veprojnë si në diktaturë, ne nuk bëhemi më pjesë e këtij teatri. Stabiliteti i krimit në Shqipëri nuk pranohet, vetëm demokraci”,

Lulzim Basha, kryetar i PD

Këto deklarata erdhën pas mbledhjes së Lulzim Bashës me Kryesinë e PD, grupin parlamentar dhe krerët e degëve, ku të pranishëm ishin dhe deputetët e LSI, shoqëruar nga kryetarja Monika Kryemadhi. Ndërkohë, në orët e pasdites edhe LSI mblodhi grupin parlamentar, ku në përfundim të saj, Kryemadhi i bëri thirrje Kuvendit të përjashtojë nga punimet e tij kryeministrin Edi Rama, me pretendimin se ka fyer kosovarët.


(Monika Kryemadhi dhe deputetët e LSI duke hyrë në selinë e PD)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:09
Basha-Berisha thirrje për mosbindje civile: Kukësi ndezi shkëndijën

PD dhe LSI po përgatiten për një protestë të madhe kundër qeverisë Rama. Mbledhjet e njëpasnjëshme kanë vijuar në selinë blu prej orës 18:00, ku kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur Kryesinë, grupin parlamentar dhe krerët e degëve, ku të pranishëm kanë qenë dhe deputetët e LSI me kryetaren Monika Kryemadhi. Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë bërë thirrje për mosbindje civile, duke kërkuar që të gjithë të bllokojnë rrugët dhe të mos paguajnë taksat.

“Lëvizjet e mëdha fillojnë kur nuk e pret. Ne kemi përballë një barbar të vërtetë, që nuk ka lënë asgjë pa përdorur, në radhë të parë kundër opozitës. Ndaj Kukësi e nisi, e ndezi shkëndijën. Ne nuk largohemi deri në përmbysjen e kësaj qeverie. A jemi shumë apo pak? Me siguri absolute ju them jemi shumë. Kjo është mosbindje me vendosmërinë që ta nisim dhe nuk kthehemi më!”,

Sali Berisha, deputet i PD

“Është momenti për të qenë në krah të njerëzve. Vendimin duhet ta vëmë menjëherë në zbatim. Mos paguani taksat. Në këtë situatë ku Rama e ka futur vendin ne nuk ndjekim interesin tonë vetjak, por duhet të jemi në krah të qytetarëve. Të vendosim cilat janë hapat e parë, duke nisur me praninë masive të opozitës në sallën e gjyqit, sepse ata janë simboli i mosbindjes civile. Ne nuk çojmë kërkesë për leje në polici. Do ta kërkojmë kur të jetë Olsi Rama, Agron Xhafaj, Saimir Tahiri”,

Lulzim Basha, kryetar i PD