Opozita që SHBA-ja kërkonte prej kohësh

Opozita që SHBA-ja kërkonte prej kohësh

Tradita e kuvendit demokratik tek ne asht po aq e vjetër sa asht festa e halloween, me të cilën ka të përbashkët fantazmat që ndjellin zi si dhe krenat e kungujve bosh.

Këta të fundit tue ndjekë symbyllë fantazmat e tyne braktisën parlamentin. Tue dalë prej atij logu opozita shqiptare kreu sakrificën madhore, atë që s’e ndeshim as në shoqnitë primitive nën vijën e ekuatorit ku guximi asht i vetmi etalon i ekzistencës: ajo tredhi vetveten dhe humbi çdo lloj kuptimi politik që mund të kishte.

Kjo tregon se tek ne zgjedhjet janë nji proces qesharak pse ligji që i rregullon në kushtet tona konkrete i kthen në nji farsë ku votuesi e humbë kuptimin e vet në momentin që shtin fletën e palosun në kutinë e votimit.

Opozita e vetëtredhun shtyu javë dhe muej si nji sharabajkë e çmendun në teposhte e të gjithë e panë qartësisht se ata që dolën prej kuvendit treguen se nuk meritojnë ma kurrë me u kthye aty, pse arsyeja e qenjes së tyne në politikë nuk ka asnji lidhje me zgjedhësit por me disa familje kriminale që rrezikojnë seriozisht burgun dhe konfiskimin e pasunive të vjedhunave.

Protestat e këtyne muejve e deklasuen gradualisht uraganin që premtonte Nastradini i opozitës në nji shi pranveror që as lagë dhe as nxjerrë motin e mirë.

Torollakët dhe pitigonat që bahen zana të tretë në korin e çjerrun të hajdutëve dhe vrasësve s’kanë asnji të ardhme tashma. Politika nuk asht kurrë nji fenomen privat ku mund të jesh vetvetja tue nda llogoren me maskarenjtë. Në këtë sens Basha ka mbërrijtë me e shkatrrue opozitën shqiptare. LSI-ja nuk mund të konsiderohet parti e mirëfilltë dhe si e tillë i ban opozitë reformës në drejtësi ashtu siç i bajnë keqbasit ordinerë, në nji mënyrë jo politike.

Dinamikat e muejve të fundit njohtën nji faktor të ri e të panjohun ma parë, e kam fjalën për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj i cili shmangu me vendosmëni viktimat që kërkonte minotauri Berisha. Ministri Lleshaj për integritetin moral që ka asht shumë ma nalt se të gjithë kritikët e tij, sidomos ata që ulen krah për krah me vrasës e hajduta dhe grazhdohen prej tyne.

Ata që janë përgjegjes për plumbat vrastarë në mes të Tiranës u ankuen për gazin lotsjellës. Le ta provojë ndonjeni prej tyne me sulmue me shishe molotov pallatin e qeverisë në Romë, Dublin apo në Madrid dhe do ta shohë se çka do t’i ndodhin! E kemi të qartë që s’u hiqet mendsh kujtimi i 1997-tës por ajo histori nuk ka shanse me u përsëritë për me i shpëtue prapanicën kurrkujt. Gazi lotsjellës asht minimumi që mund të përdoret ndaj çdo individi që cënon rendin kushtetues dhe bashkon forcat me ata që e cënojnë atë.

Këtu hyjnë edhe të gjithë të mjerët në sensin hygoian të cilët marrisht besojnë ende se Berisha, Basha apo çifti presidencial nuk flejnë natën për me i nxjerrë nga mjerimi i skajshëm. Të “mjerët” e mirëfilltë, jo ata që kanë vila në Lalëz, nuk i paraqesin asnji zgjidhje vetvetes kur mtojnë me sulmue parlamentin me dhunë. Mos të harrojmë se të mjerët shumë lehtë mund të bahen edhe të poshtër, ne këtë gja na e ka tregue ma së mirit historia gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluem.

Ministri Sandër Lleshaj vendosi tarifa të reja për ata që emulojnë kriminelat dhe banditët që krijuen vitin e mbrapsht 1997, çdo akt kriminal lahet me lot aty për aty, por jo me gjak siç bante Berisha me Bashën për me mbrojtë Ilir Metën.

Nji opozitë e kalbun u vetëpërjashtue nga parlamenti e nji fat i tillë ndodh shumë rrallë. Nji opozitë e re po ia merr vendin dhe çkado që të bajnë do të jetë ma shumë sesa ajo që mbërrinte me ba ajo masa e pangjyrë dhe pa identitet që doli në mes të rrugës.

Ballirët, Bylykët e Bashës, Salianjët e Bardhët, patroklët shakllabana të demokracisë, do të vijojnë me e ngushëllue në minderet e Shqupit Akilin zaçjerrun që s’njeh as dy strofa të himnit kombtar, derisa të kumbojë edhe për ta ora e fundit në politikë.

Nji opozitë e re, shumë e dëshirueme prej miqve të huej po merr jetë dhe si Astrit Patozi si ata që e mbështesin do të kenë përkrahjen maksimale të aleatëve strategjikë të vendit tonë, pse nji opozitë si ajo e Bashës vetëm nji gja kishte sigurue deri më sot: karrigen e patundun të Edi Ramës.

Gjithçka do të kthehet në normalitet, kush mton me veprue ndryshe tue cënue rendin kushtetues me mjete joparlamentare dhe tue luejt në favor të atyne që kërkojnë me destabilizue Ballkanin do ta pësojë keq.

Çka përfaqsojnë për Shtetet e Bashkueme Berisha, Luli apo Monika në krahasim me Sadamit apo Gedafit? Ata s’vlejnë ma shumë se dy-tre kryepleq të lodhun katundit që s’çojnë kandarë për asgja! Rrjedhën e gjanave nuk do të mund ta ndryshojnë as lolot e oborrit, as kumarxhijtë dhe pijanecat profesionista, madje as pehlivanët e prostituimit mediatik që parja e Gërdecit ka ndërsye në këto orë me shantazhe kundër disa prej atyne që duen me u impenjue në opozitën e re.

Ka disa gjana në histori që mund të superohen por nuk mund të zhbahen. Ashtu si Haxhi Qamili dikur, sot Sali Berisha me zhganin e tij nuk do të mund ta kthejë mbrapa orën e Shqipnisë.

Tashma Edi Rama duhet të ndihet ma pak i sigurtë sesa ishte me Lulin, pse nji opozitë e mirëfilltë demokratike mund t’ia tundë themelet e tija prej kashtet edhe në fund të kësaj legjislature.

T’i braktisim njiherë e mirë regjistrat e zbrazun prej çdo kuptimësie: e majtë e djathtë, shpresojmë në nji opozitë të fortë që s’ka nevojë me mbrojtë as hajdutat e Rrugës së Kombit, as vrasësit e Gërdecit dhe as ata të 21 janarit, por t’ia mbledhin kompromisaxhisë së dashunuem me vetveten dhe veleitarit të vetëkënaqun që asht në atë vend vetëm prej iluzionit të nji “horror vacui” të pandehun. Zbraztia nuk ekziston as në natyrë e aq ma pak atë mund ta mbushin në politikë dioskurët qesharakë si Rama e Basha.

Rrugëtim të mbarë Astrit Patozi dhe opozita e re!

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja