Korçë - Një mjek kirurg është arrestuar në Korçë pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 21-vjeçare. Kallëzimi në polici për mjekun N.N raportohet se është bërë nga vetë e reja.

Paraprakisht bëhet me dije, se 21 vjeçarja ishte dërguar në urgjencë për shkak të dhimbjeve të barkut e të vjellave ndërsa pas kontrolleve mjekësore, është vendosur që të kryejë ndërhyrje për apandesit.

Sipas kallëzimit , thuhet se mjeku e ka ngacmuar seksualisht duke e prekur në pjesë intime me pretendimin e kontrollit mjekësor. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pritet që në vijim, mjeku kirurg të dalë në masë sigurie ku do të jetë Gjykata që do të vendosë për këtë çështje.

Ndërkohë babai i 21-vjeçares thotë për mediat se, kjo e fundit i kishte treguar se mjeku kishte bërë veprime të pahijshme ndaj saj, ndër të tjera ai thotë se e bija i ka rrëfyer se ai ka tentuar edhe që ta puthte. 

Po ashtu i ati të resë nënvizon se e bija e nuk i kishte treguar për këtë çështje, pasi i trembej një konflikti të mundshëm.

"Kam bërë mbrëmë një denoncim për vajzën time për ngacmim seksual. Kam dy javë që kam ardhur nga Gjermania. Pas dy ditëve çupa mu ankua nga stomaku, kishte dhe të vjella. Vajta në farmaci i mora ca ilaçe, nga ilaçet s'pati përmirësim dhe mamaja ime e çoi në spital. Më merr në telefon dhe më thotë hajde se çupa është sëmurë. Shkoj në spital, i bëjnë analizat dhe eko, ekoja i doli mirë. Tha doktori që eko s'tregon mirë, analizat e nxjerrin që ka apandesit. Doktori ishte N.N.

Për shkak se çupa kishte pirë ujë ato ditë, e lanë operacionin për nesër në mëngjes. E bënë operacionin dhe doli mirë, e lanë në dhomë, por doktori tha që ka infeksion dhe do e mjekojë dhe për këtë gjë. Më tha që do ta mjekoj në prezencë të mamasë tënde, por ai kishte bërë veprime të tjera që vajza mi tregoi më vonë. Çupa më tha që më vinte dorën, më aplikonte kremin madje kishte tentuar që edhe ta puthte çupën. Ja kishte zënë fytyrën. Kur ja aplikonte kremin i thoshte mamasë time që mos shiko këtej. Është një rast i përsëritur më thotë vajza, por s'më thoshte se kishte hall mos bëja sherr. Ai afrohej, unë e largoja", thotë babai i vajzës për mediat.

Nga ana tjetër ai thotë se nuk do ta lërë këtë çështje pa zgjidhur, por do të 'luftojë' deri në fund për drejtësi.

"Vetëm ditën e fundit e mora vesh unë. Lajmërova direkt policinë. Ne erdhëm dy javë për pushime dhe më ndodhi kjo gjë këtu. Vajza është e shqetësuar, s'ja priste mendja të ndodhte kjo gjë. Kemi vite që jetojmë jashtë shtetit dhe s’na e priste mendja të kishte akoma në 2026 pedofila. Unë kërkoj drejtësi sepse më thanë që këtu s'ka drejtësi. Edhe në spital që isha, pa lekë në dorë s'të ndihmonte njeri. Po e them hapur që i kam dhënë edhe lek në dorë doktorit. Kërkoj drejtësi, të marrë maksimumin sepse ai person ka patur dhe raste të tjera si këto. Unë kam patur besim të plotë te ai sepse e pashë burrë të moshuar, me eksperiencë. Vajza është në shtëpi, kam edhe një javë leje dhe do largohem por pa e sqaruar këtë çështje nuk e lë. Do gjej avokat andej për çështjen dhe se lë në asnjë mënyrë. Kur bënte këto gjëra s’ka patur njerëz të tjerë në dhomë, vetëm ajo dhe nëna ime", shtoi ai.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë