Dihet që në këndvështrimin shkencor me standardin merren gjuhëtarët, por për atë kanë nevojë më parë e më shumë shteti, që të komunikojë me shtetasit e vet në situata ligjërimore zyrtare me të njëjtin variant gjuhësor, pra, me një standard gjuhësor, sikundër edhe shoqëria civile në marrëdhënie me shtetin dhe me grupet sociale në situata të tilla ligjërimore. Në këtë drejtim standardi gjuhësor është edhe një mjet i fuqishëm bashkues kombëtar. Nuk mund të mendohet të ketë abetare, ligje, tekste mësimore, media etj. në çdo të folme, nëse nuk duam të ngremë një “kullë të Babilonit” a “kullë të Babelit” brenda kombit tonë. Në këtë mënyrë standardi i shërben politikës kombëtare të bashkimit, larg politikave partiake të përçarjes.
Akademia e Shkencave ka ndjekur vazhdimisht me vëmendje veprimtarinë e KNGJSH, si dhe artikujt në shtyp e bisedat në televizion për të. Zhurma që bëhet në mediat e Shqipërisë për këtë Këshill, për veprimtarinë e tij, për diskutimet e propozimet dhe për anëtarë të tij, ka sajuar madje edhe mjaft të pavërteta, me tejçuarje të ideve racionale drejt absurdit dhe me epitete të politizuara, duke krijuar ndarje gegërisht – toskërisht, Veri – Jug, të vjetër – të rinj, të djathtë – të majtë, “konservatorë” a me mendësi “komuniste” – “përçarës” e “antikombëtarë” dhe ca cilësime të tjera që i dinë tashmë jo vetëm gjuhëtarët. Për shkak edhe të mosnjohjes së të vërtetave, janë shprehur shqetësime sikur “po shëmbeshin themelet e Kongresit të Drejtshkrimit”, se “po merreshin vendime që ndryshonin drejtshkrimin e sotëm”, pra, po ndryshonte standardi, se “tash nënës e babës do t’i themi nans e babs!”, se po hiqet kudo ë-ja e patheksuar e “do të shkruajmë aleanc në vend të aleancë!” ose republikes në vend të republikës, se po shtohen “dyzimet e kategorive gramatikore” e mjaft të tjera.
Përse u ngrit Këshilli Ndërakademik? Ishte marrëveshje e dy akademive, të Shqipërisë e të Kosovës, që në Protokollin e bashkëpunimit, dhe Vendimi (më 2004) i dy kryesive të tyre për ngritjen e një grupi pune, të Këshillit Ndërakademik, “si organ me autoritet shkencor për shqyrtimin e të gjitha çështjeve që lidhen me përdorimin dhe me zhvillimin e shqipes standarde”, për t’iu përgjigjur kështu edhe porosisë së Kongresit të Drejtshkrimit që “Drejtshkrimi i njësuar i gjuhës shqipe .. çel rrugën për ta përmirësuar më tej normën drejtshkrimore të kësaj gjuhe në pajtim me zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës e të kulturës sonë kombëtare” dhe “Kongresi porosit që, duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha letrare gjatë zhvillimit të saj, si dhe çështjet e reja që nxjerr praktika gjuhësore, ‘Rregullave të drejtshkrimit’ t’u bëhen në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet e plotësimet e duhura”. Vendimi u nënshkrua publikisht nga kryetari i atëhershëm i ASHSH, akad. Ylli Popa dhe kryetari i atëhershëm i ASHAK, akad. Rexhep Ismajli. Kryesia e KNGJSH përbëhej nga dy bashkëkryetarët, akad. Shaban Demiraj e akad. Rexhep Ismajli, dhe nga dy bashkësekretarët, prof. Emil Lafe e akad. Besim Bokshi. Këshilli ka punuar sipas Rregullores së miratuar që në atë kohë.
Anëtarët e Këshillit e të grupeve të punës nuk janë “akademikë” e “të ditur” në thonjëza, por gjuhëtarë të njohur, me kontribute thelbësore për gjuhën shqipe dhe me integritet moral të padiskutueshëm, që me përkushtim e përgjegjësi i studiojnë çështjet e diskutojnë si të ruajnë gjithçka që është bërë mirë dhe të propozojnë ato ndryshime që sjellin njësim, plotësim, përmirësim e përsosje të standardit. Këtu përfshihet edhe pasurimi i standardit nga dialektet. S’është e drejtë që të gjykohen rrafsh të gjithë anëtarët e Këshillit dhe të gjitha propozimet e bëra. Në themelimin e vet Këshilli kishte 17 akademikë e profesorë, gjuhëtarë të njohur nga akademitë, institutet shkencore e universitet shqiptare të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë e të arbëreshëve të Italisë (akademikët Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Remzi Nesimi, Besim Bokshi, Rexhep Ismajli, Francesk Altimari, Jani Thomai, Gjovalin Shkurtaj dhe profesorët Emil Lafe, Mehmet Çeliku, Seit Mansaku, Enver Hysa, Tomor Osmani, Shefkije Islamaj, Isa Bajçinca, Imri Badallaj, Abdullah Zymberi). Sot ai ka në përbërje 22 anëtarë (i zgjeruar me anëtarë të rinj: akademikët Ethem Lika e Kolec Topalli dhe profesorët Shezai Rrokaj, Bardh Rugova e Rrahman Paçarrizi) dhe 6 grupe pune për studimin e çështjeve të leksikut e të terminologjisë, të drejtshkrimit e të drejtshqiptimit, të morfologjisë, të sintaksës, të shkollës, të transkriptimit të fjalëve të huaja, me 6-7 anëtarë secili e me mundësi për t’u zgjeruar, pra, rreth 40 gjuhëtarë të tjerë nga të gjitha institucionet e përmendura.
Sot kryesia e Këshillit përbëbet nga akad. Jani Thomai e akad. Rexhep Ismajli – bashkëkryetarë dhe akad. Ethem Likaj, akad. Kolec Topalli e akad. Besim Bokshi – anëtarë.
Këshilli nuk është konferencë shkencore për pjesëmarrje të hapur e të pakufizuar; si çdo grup pune dhe sipas marrëveshjes ndërmjet dy akademive, ai ka një numër të caktuar anëtarësh, që, së bashku me grupet e punës për fushat e veçanta, studiojnë, diskutojnë dhe argumentojnë shkencërisht propozimet për përmirësime të nevojshme e të mundshme në standard, jo për ndryshim të standardit.
Është e drejtë, madje detyrë, e akademive të ngrenë komisione, grupe pune a këshilla për shqyrtimin e diskutimin e çështjeve të ndryshme të fushave që mbulojnë. Të diskutosh për çështje gjuhësore, qoftë edhe për standardin, nuk përbën “krim” dhe nuk është “kundërshkencor, kundërqytetar dhe kundëratdhetar”. KNGJSH zhvilloi disa mbledhje më 2005-2006, kryesisht për çështje të leksikut të shqipes standarde, por edhe për disa çështje të drejtshkrimit, pastaj pati një ndërprerje disavjeçare për shkak të zbatimit të reformës në ASHSH, dhe rifilloi punimet më 2010 me 2-3 mbledhje në vit, alternativisht në Tiranë e në Prishtinë. Këshilli dhe veprimtaria e tij është çmuar edhe si një nga format e bashkëpunimit ndërakademik dhe të integrimit kombëtar të gjuhësisë shqiptare.
Themelimi i KNGJSH mbështetet edhe në parimin që standardi nuk është organizëm i ngrirë dhe nuk mbrohet duke e ngurosur, por duke e pasuruar e duke e përsosur. Vetë standardi zhvillohet e ndryshon, sado ngadalë, ka çështje të drejtshkrimit që nuk janë trajtuar në veprat kodifikuese të hartuara pas Kongresit, të tjera që nuk i kanë qëndruar kohës, zgjidhje të ndryshme për të njëjtën dukuri, përjashtime e rregulla që mund të thjeshtohen e të njësohen etj. Këto kërkojnë që, siç porositi Kongresi, ‘Rregullave të drejtshkrimit’ t’u bëhen në të ardhmen, kur të jetë e nevojshme, përmirësimet e plotësimet e duhura”.
A e prekin sistemin e bazën dialektore ndryshimet e propozuara? Gjuhëtarët, edhe në Këshill, janë në një mendje për shumë çështje, por është e natyrshme të kenë edhe qëndrime të ndryshme për çështje të veçanta, madje edhe qasje, koncepte e ndiesi të ndryshme për standardin. Njihet teza që bazë reale e standardit është në radhë të parë e përbashkëta, ndërdialektorja, e cila përbën mbi 90% në të gjitha nënsistemet e tij. Ndërkaq, KNGJSH i është përmbajtur kujdesit që propozimet për ndryshime në standard nuk duhet të cenojnë sistemin e tij dhe nuk duhet të tjetërsojnë bazën dialektore, të përbashkëtën e të dallueshmen. Kjo bazë mbështetet në dukuri gjuhësore kategoriale e të përgjithshme, si alternimet â/ë (hâna / hëna), rotacizmi (vena / vera), e/ë (vend / vënd), ua/ue (lexuar / lexues, i lexueshëm), nj/j (punonj / punoj, ftonj / ftoj), grupet bashkëtingëllore mb, nd, ng (shkëmbi, ndiej, ngec), grupet zanore ie, ye (miell, fyell), paskajorja e foljeve (me dalë) e në ndonjë tjetër më të ngushtë.
Këshilli Ndërakademik nuk është marrë me dukuri të tilla që tashmë kanë zënë vend përfundimisht në standard dhe përbëjnë bazën e tij. Ndryshimet e propozuara deri tani, që nuk lidhen me këto dukuri gjuhësore kategoriale, nuk e cenojnë bazën e standardit e aq më pak ta tjetërsojnë atë ose të krijojnë një standard të dytë. Gjithsesi, çdo shqetësim për këtë pronë e pasuri të përbashkët e të patjetërsueshme është e ligjshme dhe e çmohet si thirrje për maturi e kujdes.
Ç’tagër ka ky Këshill dhe ç’vlerë kanë diskutimet e propozimet e tij? Shumë herë është theksuar gjithashtu që Këshilli nuk ka tagër të marrë vendime të detyrueshme për t’u zbatuar, ai diskuton e propozon zgjidhje që mendohet se e përsosin standardin. Këshilli nuk ka fuqi ligjore të rrëzojë vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit.
Jo për mungesë transparence, por pikërisht për të mos çoroditur praktikën gjuhësore, zgjidhjet e propozuara nga Këshilli nuk janë botuar zyrtarisht nga akademitë, që të mos merren si vendime për t’u zbatuar në gjithë praktikën gjuhësore; as është hartuar ndonjë “kod i ri” i dejtshkrimit të shqipes. Asnjë vendim zyrtar nuk ka dalë nga asnjë institucion kompetent (nga akademitë) që të mos respektohet standardi në këtë apo në atë rregull, nuk ka ndonjë ndërhyrje zyrtare që të mos zbatohen vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit. Patjetër do të vijohet të shkruhet sipas rregullave të drejtshkrimit të sanksionuar në Kongresin e Drejtshkrimit, si, fjala vjen, Evropë, brumë, gjalpë, djalë, ballë, gojëtar, mjekësi, miqësi, lumenj, ullinj etj. Pas përfundimit të diskutimeve në Këshill, ato do të botohen e do t’i nënshtrohen një diskutimi të gjerë e të hapur për të marrë një formë përfundimtare, që duhet të shqyrtohet nga një forum shkencor i ligjëruar nga shteti (qeveritë a parlamentet), i cili i miraton, nuk i miraton a i ndryshon.
Sipas KNGJSH, nga numri e pesha e ndryshimeve të propozuara del se nuk ka fare gjasa për ndonjë kongres të ri të drejtshkrimit. Por kjo i takon së ardhmes. Tani Këshilli ka përpara për diskutim disa çështje të zbatimit të standardit në shkollë, në publicistikë, në dokumentacionin zyrtar, çështje të njësimit të terminogjisë, të huazimeve leksikore etj.
Në Këshill dhe në grupet e punës është normale të ketë mendime krejt të ndryshme, madje edhe të skajshme, prandaj edhe është e nevojshme të diskutohet; por propozimet e pambështetura me argumente shkencore bindëse nuk gjejnë miratim të përgjithshëm, siç ndodhi p.sh. në diskutimin për integrimin në standard të paskajores në trajtën e gegërishtes.
Është e vërtetë që gjendja e shqipes standarde në përdorim nuk është e mirë. E shohim këtë qartazi në shkolla, në publicistikë, në akte zyrtare, në ligjërimin e qeveritarëve, të deputetëve, të pushtetarëve, të politikanëve e gjithandej. Dhe jo vetëm për drejtshkrim e drejtshqiptim, por edhe për leksikun, me huazime të panevojshme, me keqpërdorim fjalësh semantikisht, me përzierje dialektore që e ulin nën standard rrafshin e ligjërimit. Dhe mbi të gjitha një varfëri mjetesh të shprehjes. Ky është shqetësim i kohës, shqetësimi i gjuhëtarëve e i atyre që merren me lëvrimin e gjuhës është i motivuar e me synim parambrojtës.
Ka një shkujdesje të pafalshme për standardin, e folur e të shkruar, në ato rrethana ligjërimore që e kërkojnë përdorimin e tij. Kjo gjendje erdhi që para themelimit të Këshillit, që në vitet ’90 të shekullit të kaluar, sepse në kushtet e rrethanat e atëhershme vëmendja e shtetit dhe e shoqërisë u zhvendos në të tjera probleme, kurse standardi në përdorim është lënë mënjanë, kur janë shteti dhe shoqëria civile në radhë të parë të interesuar për një standard të përbashkët. Ndodh edhe për shkak të moszotërimit të plotë e të qëndrueshëm të standardit nga ata që e përdorin e që ndikojnë më fort tek të tjerët. Në atdheun tonë të përbashkët është e domosdoshme të kemi një gjuhë të përbashkët, një standard, së paku në komunikimin zyrtar e publik, në veprimtarinë shtetërore e dokumentet ligjore (që nga kushtetuta, ligjet e deri te shkresat më të thjeshta të zyrave), edhe në ligjërimin e folur në Kuvend, në mbledhjet e qeverisë etj., po ashtu në shkollë (që nga abetarja e deri tek tekstet universitare, dokumentacioni shkollor e në ligjërimin e mësimdhënësve), në letërsinë shkencore, në shtyp e në radio-televizion e kudo ku kërkohet të komunikohet në standard.
Dhe këtë ta kemi të shtrirë në gjithë gjeografinë e gjuhës shqipe. Ky nuk është ndonjë “zbulim” a “veçanti” e kombit tonë. Lidhur me ndikimet e gjuhëve të huaja, nuk ka dyshim që gjuha shqipe, sikundër edhe gjuhët e tjera, qofshin edhe të ashtuquajtura “të vogla”, do ta ruajë plotësisht identitetin e saj edhe në kushtet “e dominimit e të zhvillimit të madh të anglishtes”. Ndikimet janë pothuajse vetëm leksikore, edhe këto më shumë në fusha të kufizuara, krysisht në terminologji. Nuk kanë hyrë anglicizma, f.v., në letërsinë artistike, shqipe e të përkthyer, në ligjërimin e zakonshëm, në tekste mësimore, jo “rrënuese” edhe në publicistikë e në dokumentet zyrtare të marrëdhënieve jondërkombëtare.
Kjo nuk është thirrje për të mbyllur sytë e për të pranuar verbtas çdo anglicizëm, siç po ndodh sot, për fat të keq një pjesë jo për arsye gjuhësore objektive, se shqipja ka nevojë për to, por më shumë për arsye subjektive, për snobizëm, për mungesën e përkujdesjes për gjuhën, për një “liberalizëm” të papërligjshëm. Gjuha vetë bën domosdo punën e saj përzgjedhëse, por edhe gjuhëtarët e lëvruesit e gjuhës nuk mund të rrinë dorëjashtë.
Për Akademinë tonë të Shkencave, sikundër edhe për institucionet e qendrat e tjera të studimeve gjuhësore, mbetet detyrë urdhëruese ruajtja, ngulitja, pasurimi e përsosja e mëtejshme e standardit, ngritja e kulturës gjuhësore në të gjitha nivelet, edhe në kushtet e hapjes e të trysnisë nga gjuhë të tjera, të zhvillimeve të reja në disa fusha të veprimtarisë, të globalizmit e të dygjuhësisë, të synimit për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian.
Në Bashkimin Evropian do të hyjmë me identitetin tonë, edhe gjuhësor. Gjuhësisë shqiptare sot i bie barra të bashkojë forcat e veta, duke i dhënë fund çdo lloj përçarjeje, politizimi, paragjykimi, fryme krahinoriste e mendësie lokaliste, diletantizmit, snobizmit, protagonizmit etj., të shtojë radhët e veta me studiues të rinj të talentuar e të zellshëm, të gjallërojë punën e tyre dhe të institucioneve përkatëse duke forcuar frymën bashkëpunuese, të ndërmarrë e të çojë përpara projekte dhe hartimin e veprave të përbashkëta (si: fjalori i madh i gjuhës shqipe, fjalorët terminologjikë, studime për politika gjuhësore dhe për prirjet e zhvillimit të shqipes standarde, ndërtimi i bazës së të dhënave për terminologjinë, ngritja e një kartoteke elektronike kombëtare për leksikun e frazeologjinë, hetimi e regjistrimi i ligjërimit të folur, studimet socio-linguistike, gjuha shqipe në shkollë, në publicistikë e shumë probleme të mëdha e fusha të kërkimit gjuhësor që sot po heshtin), të ndërgjegjësojë shoqërinë civile, por edhe shtetin, për më shumë vëmendje e vlerësim për gjuhën tonë.
Shtetarët, politikanët, shkollarët, pedagogët e mësuesit, shkencëtarët, krijuesit letrarë, publicistët, përkthyesit, intelektualët e të gjitha fushave, gjithë përdoruesit e kultivuesit e shqipes standarde duhet të jenë të ndjeshëm ndaj vetë gjuhës standarde dhe ndaj kërkesave të gjuhësisë sonë për ta përdorur mirë këtë mjet të komunikimit të gjithanshëm, që na bashkon si një nga atributet më kryesore të identitetit tonë kombëtar. Gjuha standarde shqipe sot po dëmtohet a po “rrënohet” më shumë nga keqpërdoruesit e saj, që e shpërfillin, e shëmtojnë me mungesën e kulturës gjuhësore, si kur flasin, edhe kur shkruajnë, më keq akoma - pa ndjenjën e përgjegjësisë për këtë pasuri kombëtare të përbashkët e të patjetërsueshme.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)