Ashtu siç kishte paralajmëruar, mazhoranca po shkon drejt miratimit të një formule për pagat e magjistrave në seancën e ardhshme, më 17 shtator. Në komisione parlamentare ka nisur diskutimi i projektligjit të propozuar nga socialistët, që paga referuese e magjistratëve të rritet nga 36 në 38% të pagës së Presidentit të Republikës.

Pritet që të jetë pikërisht ky propozim që do të miratohet, me qeverinë që ka dhënë dakordësinë përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave.  Drafti i PS parashikon një rritje me rreth 8500 lekë për rrogën referuese të magjistratëve, ndërkohë që pretendimi i tyre, i miratuar edhe nga KLGJ e KLP, është 9-fish më i lartë, rreth 80 mijë lekë më e lartë.

Report Tv ka siguruar edhe mendimin zyrtar që Këshilli i Ministrave i ka dërguar Kuvendit. Qeveria përllogarit rreth 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, periudhë nga e cila Kushtetuesja kërkon efektet financiare. Për shkak të kostos, propozon që shuma të mos paguhet menjëherë, por me këste brenda dy viteve.

Diskutimi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave është shoqëruar me debate mes palëve politike. Deputetja Aulona Bylykbashi theksoi se Kushtetuesja nuk i ka imponuar Kuvendit një formulë konkrete, por i ka lënë ligjvënësit të drejtën ta përcaktojë atë, me kusht që paga e magjistratëve të mos pësojë ulje. 

“Me këtë nismë synojmë të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Synojmë përcaktimin e pagave, por edhe pabarazinë në hierarkinë brenda sistemit. Neni 138 garanton se pagat e përfitimeve dhe gjyqtarëve nuk mund të ulen. Kushtetuesja nuk na ka referuar një formulë të detyrueshme, zgjedhja është te ligjvënësi me kushtin që të mos ketë ulje.  Koeficienti 0.38 është zgjedhur për garancitë kushtetuese për magjistratë, por edhe nga ana tjetër ta themi hapur, ka marrë në konsideratë mundësitë e buxhetit të shtetit”, tha propozuesja e draftit Aulona Byklykbashi. 

Ndërkohë, siç e pati paralajmëruar Partia Demokratike se do të votojë kundër draftit të PS, që pritet të kalojë për miratim seancën e 17 shtatorit. Deputeti Enno Bozdo tha se ngërçi është pasojë e moszbatimit në kohë të vendimit të Kushtetueses. 

“Kjo situatë është pasojë e drejtpërdrejtë e mosrespektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Që në prill iu kërkua qeverisë një projektligj dhe nuk e solli, por e sollën kolegët. Ne nuk na intereson fare, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është ligj për ne. Në emër të grupit njoftoj se ne do të votojmë kundër këtij projektligji”, tha Bozdo.

I ashpër me KLGJ dhe KLP që përcaktuan vetë pagat për gushtin, ishte deputeti socialist Erion Braçe. Duke pranuar se vetë Kuvendi duhet të kërkojë ndjesë se nuk e plotësoi detyrimin e tij për një ligj brenda 31 korrikut, Braçe tha se veprimi i organeve të qeverisjes së drejtësisë është për kallëzim penale.

"Ata të KLP dhe KLGJ t’i kërkonin ndjesë minimalisht deputetëve të këtij komisioni, që ka atributet kushtetuese për përcaktimin e rrogave të tyre. Ky Kuvend, pasi të kërkojë ndjesë pse nuk ka zbatuar vendimin para datës 31 korrik, t’i kallëzonte ata. ..... Në qoftë se gjithkush në këtë vend, që ka një fuqi në dorë, do të dalë nesër e të thotë “i dua të ardhurat e mia” kaq, kjo i vë shkelmin parave të shqiptarë.  Në thesarin e shtetit nuk fut dorën kurrkush që nuk është ia autorizuar nga ligji", tha Braçe. 

Pas diskutimeve, me 8 vota pro dhe 1 abstenim, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi draftin e mazhorancës si komision për dhënie mendimi. Opozita u largua dhe nuk votoi.

Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë kulmoi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.

Kliko këtu për të lexuar mendimin e qeverisë për pagat e drejtësisë 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:55
Braçe i ashpër me KLGJ dhe KLP për vendimet për pagat: Në thesarin nuk fut dot dorën kushdo, s’i vë dot kush shkelmin parave të shqiptarëve

1789388243_erjonbrace.JPG

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, vijoi me kritikat ndaj KLGJ dhe KLP për vendimet për pagat e magjistratëve. Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, Braçe tha se askush që nuk është i autorizuar me ligj nuk mund të vendosë për paratë e Thesarit të Shtetit.

“Në qoftë se gjithkush në këtë vend, që ka një fuqi në dorë, do të dalë nesër e të thotë “i dua të ardhurat e mia” kaq, kjo i vë shkelmin parave të shqiptarë. Ata janë paratë e taksapaguave shqiptarë. Përgjegjshmëria duhet të vijë nga këtu dhe jo nga fuqia për të detyruar. Nëse ndjek rrugën e fuqisë, natyrisht që i vëmë shkelmin shteti.

Ka qenë vullneti ynë politik, që ata të paguheshin edhe shumë më mirë se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Në hierarkinë e pagave janë shumë më lart. Në thesarin e shtetit nuk fut dorën kurrkush që nuk është ia autorizuar nga ligji.

Kemi kohë që nuk kemi rënë në kriza të forta pikërisht prej kësaj, sepse nuk ka më fut dorën dhe ik. Disiplina fiskale është themelore për shtetin. A mban më ky vend të hyjë në një krizë ekonomike dhe financiare? Unë mendoj që nuk mban. Duke ruajtur se kush pozicionin e vet, mendoj se ai dalim”, tha Braçe.

Ora 14:12
Pagat e magjistratëve/ Erion Braçe: KLP e KLGJ duhet të kërkojnë falje se morën kompetencat e Kuvendit, mund t’i kallëzojmë (VIDEO)

 

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, tha se KLGJ dhe KLP duhet të kërkojnë falje për vendimin për të përcaktuar vetë pagat e magjistratëve. Në komisionin për Ekonominë dhe Financat, deputeti i PS tha se KLGJ e KLP morën kompetencat e Kuvendit, ndërsa shtoi se vendimi i tyre mund të kallëzohet.

“Ata të KLP dhe KLGJ t’i kërkonin ndjesë minimalisht deputetëve të këtij komisioni, që ka atributet kushtetuese për përcaktimin e rrogave të tyre. Vendimi i tyre, jo vetëm që nuk ka pyetur për këtë, por ka marrë kompetenca të drejtpërdrejta të Kuvendit të Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese i kërkoi parlamentit t’ia përcaktonte rrogën. Ai akti që ata kanë bërë është edhe akt i kallëzueshëm. Kallëzimi që ata kanë bërë për drejtuesit e thesarit të Shqipërisë është i paprecedentë, akt vetëgjyqësie i pandodhur në këtë vend. Ky Kuvend, pasi të kërkojë ndjesë pse nuk ka zbatuar vendimin para datës 31 korrik, t’i kallëzonte ata”, tha Braçe.