Për ministrin e Pushtetit Vendor, Ervin Demo, Paketa e Maleve është një instrument shumë i rëndësishëm për bashkitë sa i takon zhvillimit të territorit.
Në një intervistë për "Sot Live në Shqipëri" në Report Tv, Demo u shpreh se 15 bashki kanë përcaktuar zonat prioritare, teksa aktualisht ka pasur mbi 150 aplikime.
Demo shpreson që deri në fund të vitit, të ketë 1 mijë aplikime në 61 bashkitë.
“Paketa e Maleve është instrument shumë i rëndësishëm për bashkitë, kur flasim për zhvillimin e territorit. Qartazi ne mund të themi që do jetë nismë e rëndësishme. Kemi rreth 15 bashki që kanë përcaktuar zonat e prioritetit, ditën e premte ne kalojmë 4 bashki të tjera. Në proces, kemi pothuajse rreth 45-50 bashki të cilat kanë filluar procesin e përcaktimit të zonave prioritare, në bashkitë ku zonat prioritare janë vendosur, ne numërojmë mbi 150 aplikime, bashkitë janë në proces duke i marrë në konsideratë. Shkodra, ka shumë aplikime, për shkak të territorit, por edhe bashkitë e tjera. 6 mujori i parë do tregojë një mekanizëm që do lëvizë me shpejtësi të madhe. Ne pretendojmë që brenda 31 dhjetorit 2026 të kemi 1 mijë aplikime në suksesshme në 61 bashkitë. Besoj se është shifër e realizueshme", theksoi ai.
Ministri Demo sqaroi se ka dy kategori që mund të aplikojnë.
"Ka dy kategori. Kategoria e parë është kur banorët e zonave kanë përdorur një pronë të caktuar, për më shumë se 10 vjet. Përmes Paketës së Maleve, atyre iu lind e drejta që në këtë pronë, as komuniteti nuk e kundërshton, që të bëjnë një investim. Kemi raste të tjera, që në zona të caktuara të Shqipërisë, ka prona që posedohen nga banorët e zonave që nuk janë shpërndarë sipas 7501, por janë prona që banorët i njohin sipas kufijve të vjetër, që kanë pasur në territor. Nëse një pale e tretë që bie dakord me pronarin faktik të pronës, mund të aplikojnë. Por lidhja duhet të jetë me dy kategoritë e para. Interesi është i lartë.", tha ministri.
Lidhur me reformën territoriale, Demo deklaroi se ajo që është e rëndësishme, është procesi dhe shtoi se të gjithë aktorët duhet të jenë të pranishëm.
Demo nënvizoi se reforma nuk duhet të lidhet me votën apo maksimizimin e saj, por me problemet që ka territori.
“Ajo çfarë është e rëndësishme është procesi. Më vjen mirë që opozita ka reflektuar për rolin e vet në komisionin e posaçëm. Koha që kemi përpara është e shkurtër. Të gjithë aktorët duhet të jenë të përfshirë. Muajt që do të kemi përpara janë të rëndësishme për të krijuar një platformë të shëndetshme, ku merren në konsideratë të gjitha qëndrimet. Maksimizimi i votës, kemi dy nivele të autoriteteve lokale, maksimizimi i votës nuk ka të bëjë detyrimisht me kufijtë e bashkive, sot vota është e ndarë në nivel qarku. Shqipëria është e ndarë në 12 zona, 12 qarqe. Sa i përket bashkive brenda një qarku, nuk ka efekt. Vota llogaritet në nivel qarku, jo në nivel bashke. Flasim për zgjedhjet parlamentare. Për zgjedhjet vendore, patjetër që ka të bëjë me territorin e bashkisë. Kjo reformë duhet bazuar në eksperiencën e deritainshme, duke marrë në konsideratë 3 dekadat e fundit.
Proceset që kemi përpara, e bëjnë të rëndësishme reformën territoriale. Bashkitë duhet të kenë kapacitetet e duhura, për të kapur standardet që ky proces do të dojë. Ne duhet të kemi bashki që të jenë konkurruese. Ne mund të na ndodhë si disa vende të BE, që kur kanë hyrë nuk kanë marrë benefite. Duhet të krijojmë struktura lokale që t’i qëndrojnë sfidave të kohës, t’i ofrohen shërbime më të mira qytetarëve. Ajo çfarë është e rëndësishme, nuk do ndërrohen kufijtë e bashkive, ne duhet të shkojmë të bëjmë analizë të detajuar të funksionit që kanë bashkitë sot.
Reforma territoriale nuk duhet të lidhet me votën, duhet të lidhet me sfidat që ka territori. Buxheti i këtij viti, 61 bashkitë e vendit do administrojnë 1 miliard euro në vitin 2026. Bashkitë sot administrojnë më shumë se 1 miliard euro. Kjo është një sfidë shumë optimiste. Janë trefishuar të ardhurat lokale. Ne duhet të kemi bashkitë, që në gjenezë të kenë mundësi për zhvillim ekonomik, të gjenerojnë të ardhura lokale. Reforma është e rëndësishme për të nxjerrë mësime edhe nga reforma e fundit.", tha ministri Demo.
Komente











