/ATSH/- Komuniteti i biznesit duhet që brenda ditës së sotme të paraqesë propozimet për ndryshimet ligjore apo kërkesat e tyre për lehtësitë fiskale që do të nisin zbatimin në vitin 2016.
Sipas burimeve nga Ministria e Financave, sot është afati i fundit që komuniteti i biznesit ka për të dorëzuar propozimet për paketën fiskale të vitit 2016 në ministrinë e Financave.
Nga ana e saj, ministria e Financave pasi të jetë konsultuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, do të dërgojë paketën për miratim në qeveri e më pas në Parlament për të hyrë në fuqi në fillim të vitit që vjen.
Pak ditë më parë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i bëri thirrje dhomave te tregtisë, shoqatave të biznesit, por dhe gjithë grupeve të interesuara, që të paraqesin propozimet për ndryshimet ligjore apo kërkesat e tyre për lehtësitë fiskale.
Prej vitesh komuniteti i biznesit vendas, por edhe ai i huaj që ushtron aktivitetin ekonomik në vendin tonë, kanë kërkuar më shumë kohë për diskutimin e ndryshimeve në legjislacionin fiskal./