Shpërthimi në Zubin Potok dhe dëmtimi i kanalit që furnizon me ujë termocentralet e Kosovës është një ngjarje e rëndë që ka marrë dhe vëmendjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë SHBA e BE por dhe të shtetit amë, Shqipërisë. Të cilët e kanë dënuar me forcë dhe kanë kërkuar gjetjen e autorëve dhe një hetimk të plotë për këtë akt të rëndë terrorist. Dhe i meriton plotësisht Serbia sanksionet nga BE, jo të penalizohet Kosova, popullata e të cilës po vuan këto akjte terroriste.
Është një ngjarje që të krijon sakllëdi në këtë fund viti, të krijon një ndjenjë pasigurie por dhe frike për jetën dhe zhvillimet në Kosovë, një ndjenjë sikur institucionet, veprat e mëdha jetike për Kosovën, por dhe vetë jeta e qytetarëve është e pambrojtur dhe e pasigurtë. Çlirimi vjen për fatin e mirë se KFOR, EULEX dhe organizatat e tjera ndërkombëtare që kanë nën mbikqyerje sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës janë në gatishmëri të lartë, duke mos lejuar asnjë precipitim të rrezikshëm të situatës në Kosovë dhe mbrojtur jetën e qytetarëve.
Janë dhe qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj që shpërndajnë deklarata dhe akuza në drejtim të Serbisë, nuk themi pa të drejtë për hir të së vërtetës, duke e akuzuar Beogradin se qëndron pas këtij akti sabotues dhe terrorist. Nuk dyshojmë për këtë, dora e Beogradit është dhe pikë. Por ajo që na ngushëllon është se jemi të garantuar se sa kohë të jetë KFOR në Kosovë asnjë kërcënim serb s’do të ‘pipëtijë’ në këtë hapësirë. Kur të largohen forcat e NATO-s, nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë mund të kemi rezervat tona në lidhje me fuqinë apo pafuqinë e Kosovës për të përballuar siktuata konflikti me Serbinë. Albin Kurti nuk përballon asgjë, për këtë jemi të bindur.
Por përsëritja e këtyre akteve terroriste sa herë që ka ‘sezon’ zgjedhjesh në të dy anët e kufirit Serbi-Kosovë na duket si një ‘film’ i parë shumë herë gjatë këtyre viteve të qeverisjes së Albin Kurtit dhe të Aleksandër Vuçiç. Na krijon një sakëlldi të brendshme dhe na duken si shpërthime të komanduar dhe me ‘lejen’ e të dy palëve, në shërbim të axhendave politike të momentit dhe rritjes së kuotave politike të të dy liderëve Kurti e Vuçiç në vendet respektive. Qofshim të gabuar por kjo përshtypje krijohet, sepse Kosova nuk i kishte këto kasavete në qeverisjet e mëparshme.
Gjithe situata na duket vërtetë banale për të dyja palët, sikur disa njerëz vendosin ekspoziv tek kanali i ujit që furnizon industrinë e Kosovës dhe në ‘bythë të ferrës’ janë njerëz të tjerë që ndërhyjnë menjëherë dhe e rregullojnë dhe mirë kanë bërë. Rregullimi i shpejtë zgjidh problemin e furnizimit me ujë, por ama liderët në pushtet të Kosovës me krjimin e kësaj klime tensioni kanë shpartalluar qetësinë e shqiptarëve të cilët sa herë ka zgjedhje do të jenë të detyruar të përballen me situata të tilla konflikti, përplasjeje dhe krizash. E në fund shohin ‘ndërhyrjen’ e Kurtit, sovranistit të vendosur, që merr situatën në dorë dhe ‘vendos’ qetësinë në këtë cep të Kosovës.
Edhe shoku Enver Enver, këtu në Shqipëri gjatë komunizmit sa herë që përballej me vështirësi ekonomike, dhe priste që revolta të niste se kishte shkuar thika në kockë, i këpuste një incident në kufi, një sulm imperializmit amerikan e socialimperializmit sovjetik, kuptohet dhe një sulm të fortë Titos dhe Jugosllavisë së atëhershme që ka qëllime armiqësore ndaj Shqipërisë, dhe vëmendja e shqiptarëve, pa bukë në bark dhe të izoluar, përqëndrohgej tek armiku i jashtëm, përgatitja taktiko-luftarake për të përballuar agresionin. Pastaj Enveri shpallte dhe grupet armiqësore në ushtri, ekonomi, sigurim e kulturë dhe shqiptarët merreshon një dekadë me këtë punë. Partia mbi të gjitha. Kërcente prifti nga belaja me një fjalë. S’linte kohë me marrë frymë Enveri.
Kështu dhe Albini në Kosovë, si një marksist i vërtetë këtë ‘mëny’ zgjedh për shqiptarët e Kosovës, gjen si objektiv armikun e jashtëm, jo se nuk ka Kosova armiq të jashtëm, por Albini i servir për qejfin e vet armiqtë medje bën dhe pak me ta, dhe bën thirrje që qytetarët të shtrëngojnë radhët pas tij dhe partisë që udhëheq, Vetëvendosjes. Ka zgjedhje në radhë. Ndoshta Serbia e Kosova janë të vetmet vende në Evropë ku nacionalizmi banal ‘prodhon’ vota ende. Në Shqipëri një marrëzi e tillë iku me kohë dhe vakt, dhe mund të përdorësh sa të duash terma e përplasje nacionaliste, por shqiptarët e shtetit amë janë të bindur se “nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”. Ndaj dhe ata që e kanë përdorur nacionalizmin si strategji për të thithur vota, janë me kohë dhe vakt duke ‘prerë thumba’ në opozitë në Shqipëri. E do vazhdojnë kështu.
Ndërsa në Kosovë dhe në Serbi vijon një marrëdhënie e tillë ‘toksike’ mes krizës, përplasjes me deklarata, marrëveshjeve të heshtura po ‘toksike’ mes liderëve politikë Vuçiç dhe Kurti, për të ‘prodhuar’ kriza dhe përpjekur për të maksimalizuar mbështetjen popullore në Serbi e Kosovë e për pasojë për të ‘prodhuar’ vota në të gjitha rastet kur ka zgjedhje të përgjithshme parlamentare në favor të dy liderëve të këtij pakti të heshtur, Vuçiç e Kurti.
Ishte Vuçiç ai që e kërkoi i pari mbështetjen e Kurtit përmes krijimit të acarimeve në Veriun e Kosovës, ‘lëvizjes se trupave të ushtrisë serbe” dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Kishte nevojë Vuçiç për një dorë ndihme pasi e kishte vënë para opozita përmes protestave, dhe i rrezikonte pushtetin. Njëherë para zgjedhjeve dhe më pas gjatë protestave për miniera e litiumit ku kishte interes Gjermania, kreu serb kërkoi ndihmë, sa për të larguar vëmendjen nga situatat kundër tij. Kurti ia dha, thjeshtë ia ‘ngriti topin’ Vuçiçit me këto përplasjet dhe krizat e krijuara me lejen e të dyja palëve, dhe Vuçiç e vuri situatën nën kontroll në Serbi.
Tashmë ka ardhur radha që Vuçiç t’i kthejë ‘nderin’ Kurtit, sepse zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë në fillim të shkurtit, ndërsa “VV” në qeverisje prej 4 viteve është në ‘pikiatë’ për shkak të konfliktit me SHBA e BE, vendosjen nën sanksione të Kosovës nga BE, publikimit të dokumenteve të korrupsionit të hapur shtetëror të realizuar nga njerëzit e Kurtit dhe mungesës së njohjeve dhe qetësisë për shtetin më të ri në Evropë. Me një fjalë Kurtin e kanë vënë para në Kosovë opozita e qytetarët dhe pritet të ketë një rezultat akoma më katastrofik se në zgjedhjet e fundit vendore ku doli në vend të katërt si subjekt politik me vetëm 4 komuna të fituara.
Eshtë një marrëdhënie dhe një pakt ‘toksik’ dhe i heshtur kjo mes Kurtit e Vuçiç në shërbim të axhendave të tyre politike në Kosovë dhe Serbi, që për fatin e keq janë në kurriz të shqiptarëve të Kosovës më së shumti. E themi këtë sepse kjo ‘lojë’ nuk po zhvillohet as në jug të Serbisë, as në Veri të saj, por po zhvillohet brenda territorit të Kosovës, në veri të Kosovës dhe në ‘fushën’ e shqiptarëve. Dhe të gjitha ‘kusuret’ po i vuajnë qytetarët shqiptarë të Kosovës.
Për hir të axhendës së pushtetit, Albin Kurti po cënon interesat e qytetarëve të Kosovës, të cilët për katër vite i ka zhytur në rrënim të thellë, madje dhe në depresion duke iu injektuar psikozën e luftës, a thua se Kosova e Albin Kurti kanë hallet e tërë Ballkanit në kurriz, ndonëse nëse nuk do të ishte KFOR nuk mbyllte dot as hallet e veta. Stabilitetin e kufijtë i ruan NATO në Kosovë.
E themi këtë sepse po të ishte ndryshe, pra të mos ishte caktuar KFOR për ruajtjen e kufijve të Kosovës, në momentin kur vetë Kosova arrin të forcohet deri në atë shkallë sa të ruajë vetë sovranitetin e stabilitetin e vendit, Kurti deklaron gjithnjë se e ka nën kontroll këtë dhe shfaqet para shqiptarëve të Kosovës sidomos në prag të zgjedhjeve si garantues i stabilitetit e sovranitetit të vendit, pra që në momentin kur Kosova e ruan vetë sovranitetin, atëherë partnerët tanë të mëdhenj ndërkombëtarë largohen pasi nuk kanë pse harxhojnë para dhe burime njerëzore për këtë punë. E bën vetë Kosova ruajtjen e kufijve në këtë rast.
Albin Kurti po e përdor tensionimin e situatës me Serbinë si një ‘kartë’ për të maksimalizuar votën në zgjedhjet e shkurtit të vitit të ardhshëm. Sidomos duke luajtur dhe me diasporën. Ata janë rehat, me mundin e vet kuptohet, sepse pasi mbarojnë punën që u siguron të ardhura, futen në rrjetet sociale, bëjnë ‘patriotin’ dhe i bëjnë thirrje Kurtit të ‘qëndrojë fort’ kundër Serbisë, imperializmit amerikan, britanik, të BE si dhe “vllaut të Vuçiç” Edi Rama. Janë kaluar ata, pasi vuajtjen e kanë shqiptarët që jetojnë në Kosovë.
Duke e paraqitur veten si në lider që po funksion dhe mbron sovranitetin e Kosovës përballë ndërkombëtarëve që ia kanë ‘më hile’ Kosovës, pavarësisht se Kosovën ndërkombëtarët dhe lufta e UÇK e bënë shtet, sikur është përballë një konsiracioni të zgjeruar ballkanik dhe botëror, dhe po lufton fort për të mbrojtur qytetarët e Kosovës dhe vetë shtetin nga e keqja, Albini nuk bën as më pak dhe as më shumë por vetëm një shërbim ndaj pushtetit të tij dhe jo ndaj shtetit.
Për fatin e keq shqiptarët e Kosovës e kanë ngrënë deri më tani këtë krizë kallp të Albin Kurtit, këtë patriotizëm kallp të Albin Kurtit i cili kur ishte koha për të shkrepur ndonjë pushkë doli kundër luftës së UÇK, ndërsa më pas në shenjë hakmarrjeje nuk e pati për gjë të bashkëpunonte dhe me Radojiçiçin për t’u prerë të ardhurat ish luftëtarëve të UÇK. Pa lënë jashtë vëmendjes dhe furnizimin e Hagës me “materiale” për të lënë në qeli ish komandantët e e UÇK, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Eshtë një skenar i mirëmenduar ky i Albin Kurtit për të shtuar ndonjë votë, teksa ka parë se është në “rënie të lirë”. Nuk besojmë se shqiptarët e Kosovës do gënjehen për të tretën herë nga Kurti e do të lëkunden në votën e tyre kundër tij. Shpresojmë që ata do ta hedhin votën pro stabilitetit të Kosovës, pro bashkëpunimit me aleatët e mëdhenj, pro njohjeve të Kosovës dhe integrimit në strukturat euroatlantike të saj. Pro dhe bashkëpunimit me shtetin amë, Shqipërinë.
Sa për ruajtjen e sovranitetit, ata që luftojnë me të vërtetë janë në Hagë por dhe në Kosovë si njerëz të thjeshtë, megjithëse pa pensione e pa punë, për shkak të qeverisë së Albin Kurtit. Tek Kurti askush nuk duhet të mbajë shpresë. Përpos mbështetësve të tij. Ndoshta dhe të ndonjë ish gardiani serb të burgut ku ka qënë Albini në kohën e luftës, i cili vinte ‘dorën në zemër’ dhe pa ‘marrë asgjë në këmbim’i jepte të lexonte shumë libra. Ai po. Shpreson që Kurti do ta shpëtojë për sjellje të mirë. Si i mbejetuari i vetëm shqiptar i qelive të Miosheviçit në atë burg.
Ndërsa Vuçiç është njeriu më i interesuar për të fituar Albin Kurti në Kosovë në zgjedhjet e shkurtit. Pasi mban tensionin ngritur, tensione me leje dhe dakordësi me Kurtin, dhe përballë ndërkombëtarëve Vuçiç krahasimisht paraqitet shumë më mirë se Kurti. Duket ‘lule’ me një fjalë siç ka ndodhur deri më tani. Pasi Albin Kurti është thuajse ‘non grata’ në vendet anëtare të BE dhe në SHBA e Britani. Kosova me Albin Kurtin nështë nën shaksione, ndërsa Serbia për fatin tonë të kjeq, jo vetëm që nuk ka sanksione, por po favorizohet shumë. “Dhelpër” e vjetër Vuçiç. Ka etje për pushtet por ka dhe ca ‘gram’ patriotizëm për kombin e vet. Ndërsa Kurti ka vetëm etje për pushtet Por shpresojmë që pas shkurtit, Kosova ta shmangë gremisjen bashkë me Kurtin në izolim të thellë ndërkombëtar. Me votën e vet të lirë Kosova do ia dalë.