Ndahen çmimet e Panairit të Librit “Tirana 2018”. Lexuesi shqiptar është më shumë i orientuar për të lexuar letërsinë e huaj, por megjithatë janë 130 vepra të analizuara nga juria, ku prej tyre 50 për qind kanë qenë vepra shqiptare, 50 për qind të huaja. Kryetarja e jurisë, ishte Lili Sula (pedagoge), anëtarët, Ledia Dushi (përkthyese), Arta Marku (gazetare e Kulturës), Agim Baçi (kritik letrar) dhe Rudi Erebara (shkrimtar).
Çmimi i karrierës shkoi për shkrimtarin Kim Mehmetin, me motivacionin për stilin origjinal në krijimin e polifonisë artistike, që karakterizon romanin “Pusi” edhe të gjithë veprën e tij letrare
Kushdo qoftë do të kishte gënjyer se nuk ndihet mirë kur merr çmim. Unë asnjëherë nuk kam mundur që të vetëgënjej veten, se do të ketë kaq vëmendje në Tiranë. Tirana është vendi që na krijon vetësigurinë krijuese.
Kim Mehmeti, shkrimtar
Çmimi për krijimtarinë origjinale më të mirë të vitit iu dha Brajan Sukajt, për romanin “Ciklopi” me motivacionin për ndjeshmërinë e thellë njerëzore të përcjellë përmes një ligjërimi sa reale aq edhe fantastik .
Çmimi për përkthimin më të mirë për Donika Omarin për përkthimin e romanit “Nga ana e princeshës së vdekur” të autores Kenize Mourand me motivacionin “Për shqipërimin dhe gërshetimin mjeshtërore të identitetit gjuhësor dhe artistik”.
Çmimi për përkthimin nga gjuha franceze, iu dha Ilia Lëngut për shqipërimin e veprës “Të drejtët” e Albert Camys.
Dy çmime inkurajuese iu dhanë autores Iva Nikolli për romanin “Vetëm për ty” dhe Flogerta Krypit për librin “Gjithçka rreth asgjësë” me motivacionin e përbashkët për befasinë dhe origjinalitetin në kërkimit dhe përshkrimin e njerëzores. Krypi ndryshe nga fituesit e tjerë, zgjodhi që mos të falënderojë, por të kritikojë institucionet për gjendjen ku e kanë lënë librin sot në Shqipëri
Përveç fondeve që merrni për përkthimin e veprave të huaja, mendoj se ka ardhur koha, që të kërkoni projekte për të financuar autorët shqiptarë. Kjo thirrje shkon për të gjitha institucionet, duke nisur nga ministra e shkatërrimit të kulturës shqiptare, përfaqësuar nga zonja Mirela Kumbaro, që i ka dhënë fund bibliotekës shqiptare. Para disa muajsh janë shkatërruar 12 mijë libra edhe sot nuk mban asnjë përgjegjësi. Jemi i vetmi shtet në botë që nuk kemi bibliotekë kombëtare prej tre vitesh. Studentët lënë kartën për të marrë një libër, ky është turpi i Zotit. Të vish në Shqipëri edhe të mos kesh librat, kjo do të thotë që jemi shndërruar në një komb injorantë. Ne nuk kemi nevojë për çmime, por kemi nevojë për një komb që lexon.
Flogerta Krypi, autore e re
Në këtë edicion nuk mungoi as çmimi special, të cilin e mori poeti Zef Skiro Di Maxho për “Poema Arbëreshe”, me motivacionin trashëgues i denjë i traditës deradiane, që mitit të Skënderbeut i transmeton në ditët tona mekanizmin çlirues të dramës shqipe përkundrejt dramës së dhimbjes dhe ikjes. Shkruar me mjeshtëri artistike
Çka ju thom?! Ju them se një libër i botuar nga aga arbëreshe është një mrekulli botuar nga botues shqiptarë. Është një mrekulli më e lartë akoma që të fitoi një çmim si ky. Ne kemi pasur për 500 vjet, kujtimin e moresë, që sot morea është Shqipëria.
Zef Skiro Di Maxho, Poet
Panairi i Librit vazhdon të qëndrojë hapur deri në datë 18 nëntor në Pallatin e Kongreseve.
Shume mire i ka thene. Duhet me tepr ndergjegje per librin. Ehste historia jone.
PërgjigjuTe lumte Flogerta !! Prononcim me shume permbajtje dhe i drejtperdrejte.Serisht perserisim qe jemi i vetmi vend - kryeqytet ne Europe,pa Biblioteke Kombeare ! Gjithecka brenda saj,sikurse 50 vite me pare.Po ashtu pa Opera dhe Teater kombetar.Tre institucione qe i japin "fytyre" kombit.Ende shpresoj qe qeveria ti konsideroje seriozisht.Asgje nuk ka vlere pa keto institucione ! Lymi Tutit.
Përgjigju