Pandemia i dha zhvillim të pazakontë tregtisë online. Mbi 2000 të rinj shqiptarë përfituan punë me pagesë nga shtëpia për kompani të huaja nëpërmjet platformave “Fiverr” dhe “Upwork”, ndërsa 54% e shqiptarëve rritën blerjet në internet. Ekonomistët e lartë të Bankës Botërore, Christoph Ungerer dhe Alberto Portugal, i pohuan “Monitor” se, qeveria dhe të gjitha grupet e interesit duhet të punojnë fort që të çojnë më tej këto zhvillime dhe t’i bëjnë ato më sigurta. Hapësirat për rritje që siguron e-commerce dhe ndërhyrjet që duhen bërë
Pandemia i dha hov të pazakontë ekonomisë dixhitale në të gjithë botën, por edhe në Shqipëri, hapa të cilët do të duheshin të ndërmerreshin për dekada në periudhë normale. Pavarësisht mangësive dhe infrastrukturës të dobët, tregtia online, mësimi dhe puna në distancë, aftësitë mbi shërbimet dixhitale u rritën me shpejtësi, duke hedhur bazat për një zhvillim të qëndrueshëm të e-commerce edhe në të ardhmen.
Mbi 2000 shqiptarë, kryesisht të rinj profesionistë, punuan me pagesë online për kompani të huaja. Banka Botërore, në një raport të posaçëm për zhvillimin e e-commerce gjatë pandemisë, vuri në dukje se Shqipëria pati një numër të lartë të profesionistëve që u regjistruan në platformat e punësimit online, “Fiverr”, “Upwork” etj.
Numri i shqiptarëve të regjistruar në këto platforma shpesh kaloi atë të vendeve të zhvilluara, të cilët ofruan kryesisht shërbime për IT, arkitekt, përkthyes, menaxherë, këshillues, ekonomistë, inxhinierë IT, etj. Të rinjtë shqiptarë profesionistë kanë marrë përgjithësisht vlerësime pozitive nga punëdhënësit, për shkak se ofrojnë shërbime të mira kundrejt një pagese jo shumë të lartë.
Ekonomistët e lartë të Bankës Botërore, Christoph Ungerer dhe Alberto Portugal, i pohuan “Monitor” se, pandemia nxiti ekonominë dixhitale, porse qeveria dhe të gjitha grupet e interesit duhet të punojnë fort që të çojnë më tej këto zhvillime.
Studimi i tyre, që u bazua në një sondazh të nëntorit 2020 në vendet e Ballkanit Perëndimor, mbi mënyrën se si konsumatorët dhe bizneset e përdorën tregtinë elektronike gjatë kohës së pandemisë, gjeti se COVID-19 ka përshpejtuar përdorimin e blerjeve në internet. 54% shqiptarëve të anketuar treguan se ata kanë rritur blerjet në internet gjatë krizës. Nga këta, 74% besojnë se do të vazhdojnë të blejnë në internet më shpesh edhe kur pandemia do të ketë kaluar.
Tregjet online në Shqipëri karakterizohen nga shitjet e brendshme nëpërmjet rrjeteve sociale dhe dyqaneve lokale, përmes pagesave cash dhe blerjeve elektronike në platformat ndërkombëtare të tregtisë elektronike përmes pagesave me karta elektronike. Nga të anketuarit shqiptarë që bëjnë blerje online, 67% theksojnë se përdorin rrjetet sociale për të blerë nga dyqanet vendase, ndërsa 61% deklarojnë se blejnë nga tregjet ndërkombëtare.
Pengesat
Në studimin e tyre, ekspertët Ungerer dhe Portugal theksojnë se, një nga pengesat kryesore për rritjen e tregtisë në internet është mungesa e besimit te blerjet online, veçanërisht kur shitësit janë vendas. 83% e të anketuarve shqiptarë theksuan se, rreziku i porositjes së një produkti që nuk plotëson pritshmëritë është pengesë kryesore për blerjet në internet nga shitësit vendas, ndërsa 30% e tyre shohin si shqetësim kryesor rrezikun e identifikimit dhe vjedhjes së pagesës. Veç të tjerash, të anketuarit nxjerrin në pah kostot e larta të dorëzimit dhe kostot e larta të detyrimeve doganore.
Më tej, në popullatën e gjerë, pengesa themelore mbeten metodat e pagesës, mungesa e aftësive në gjuhën angleze dhe aksesi i kufizuar në internet. Gati 46% përmendën pagesat si pengesë, 40% mosnjohjen e gjuhës angleze dhe 35%, infrastrukturën jo të mirë dixhitale.
Në përgjithësi, shqiptarët parapëlqejnë të blejnë në internet për të kursyer kohën, përveçse për t’u mbrojtur nga pandemia. Ndërsa 57% preferojnë të blejnë online se kanë më shumë zgjedhje. Rreth gjysma e pjesëmarrësve shqiptarë në studim, thanë se për momentin, tregtia elektronike është një plotësim i blerjeve që nuk gjenden në dyqanet fizike të Shqipërisë.
Nga ana tjetër, logjistika e shtrenjtë dhe e ngadaltë, duke përfshirë procedurat doganore, kufizojnë aftësitë e bizneseve për të rritur klientët e tyre. Një trajtim i paqartë dhe i pafavorshëm tatimor mban kompanitë larg tregtisë elektronike. Shumë klientë shqiptarë ende nuk janë të gatshëm të marrin pjesë në ekonominë dixhitale. Specialistët e IT dhe tregtisë elektronike që mund të ndihmojnë në krijimin e bizneseve në internet, mbeten të kufizuar në numër.
Për ta bërë më të lehtë tregtinë online, Banka Botërore rekomandon një sërë ndërhyrjesh për të përmirësuar infrastrukturën, që nga Dogana, sistemet e pagesave dhe shërbimet postare. Për shembull shërbimi i pagesave PayPal, megjithëse njihet për shtrirjen e tij të gjerë ndërkombëtare, deri më tani ka funksion të kufizuar në Shqipëri. PayPal nuk është regjistruar në Bankën e Shqipërisë për të operuar dhe për të siguruar shërbimet në vend. Bizneset e regjistruara në Shqipëri mund të kryejnë pagesa përmes PayPal, por ato përballen me tarifa të larta transaksioni, pasi atyre u duhet të kryejnë pagesa nëpërmjet një llogarie bankare të regjistruar në SHBA. Procedura është e shtrenjtë dhe kërkon kohë.
Zhvillimi i modeleve hibride
Pak biznese shqiptare shesin produktet në internet. Sipas Anketës për Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit në Ndërmarrje të INSTAT, vetëm 5.8% e bizneseve shqiptare i shitën produktet në internet më 2019. Sidoqoftë, një ekosistem i sipërmarrjeve shqiptare gradualisht po shfaqet, duke shitur online mallrat e importuara nga interneti në tregun e brendshëm. Ekzistojnë konfigurime të ndryshme, në të cilat kompania e tregtisë elektronike vepron si prodhues dhe shitës i produktit.
Lojtarët e tregtisë elektronike kanë zhvilluar në përgjithësi modele të përshtatura për tregun shqiptar. Mallrat e importuara me shumicë mund t’i dorëzohen klientit përfundimtar më shpejt dhe me kosto më të ulët dhe nga ana tjetër, klienti përfundimtar është plotësisht i mbrojtur nga procedurat doganore. Shqiptarët mund të porosisin në internet pa qasje në pagesa elektronike.
Faqet web në përgjithësi janë plotësisht të arritshme në gjuhën shqipe. Përkundër këtyre përparësive, shitësit shqiptarë në internet janë ende në procesin e krijimit të besueshmërisë për të fituar klientë. Ofrimi i produkteve është i kufizuar dhe nevojitet një rritje e mëtejshme për të shfrytëzuar më mirë kërkesën, sugjeron studimi i Bankës Botërore. Barometri i Biznesit në Ballkan i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal konkludon se, kompanitë shqiptare ndjekin Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut në përdorimin e kanaleve të shitjeve në internet.
Call Center dhe turizmi, sektorët pararojë
Në Shqipëri po lulëzon një industri që ofron shitjen e shërbimeve nga interneti për të huajt nëpërmjet call center. Kompanitë call center në Shqipëri punësojnë 25,000 deri në 32,000 profesionistë. Këto biznese gradualisht po evoluojnë përtej thirrjeve telefonike në qendra të ofrimit të shërbimeve financiare, IT etj.
Nga ana tjetër, shumë të vetëpunësuar shqiptarë kanë përfituar nga platformat ndërkombëtare të punës online si “Upwork” dhe “Fiverr” duke ofruar shërbime sipas kërkesës, përfshirë krijimin e faqeve në internet, planifikimin financiar dhe përkthimin, arkitekturën etj.
Banka Botërore analizoi se depërtimi i shqiptarëve në këto faqe të pavarura, shpesh e tejkalon atë të shumë ekonomive të përparuara. Duke pasur fuqi punëtore të aftë, që zotëron më shumë se një gjuhë, pagat e ulëta, si dhe pengesat ende të forta për emigrim, Shqipëria po përfiton duke shitur shërbime nga profesionistët në distancë për tregun amerikan dhe atë europian.
Gjithashtu, sektori në rritje i turizmit në Shqipëri po përdor gjithnjë e më shumë kanalet e shitjeve në internet. Potenciali turistik i Shqipërisë ka qenë prej kohësh i nënshfrytëzuar. Me një vijë të gjatë bregdetare, pyje të shumta, me lumenj e liqene, e pasur në trashëgimi kulturore dhe historike, Shqipëria ka shumë për të ofruar për turistët, sidomos ata të aventurës.Por pengesat kryesore përfshijnë infrastrukturën e kufizuar të turizmit. Mungojnë emrat ndërkombëtarë të hotelerisë, si dhe nuk ka marrëveshje të qëndrueshme me agjencitë ndërkombëtare për paketat turistike. Për të kapërcyer këto pengesa, ofruesit lokalë të shërbimeve turistike shqiptare kanë qenë të shpejtë për të miratuar platforma online të drejtpërdrejta.Duke u regjistruar në Booking, hotelet dhe bujtinat e vogla edhe në zonat më të thella në vend kanë siguruar klientë nga e gjithë bota. Midis 2014 dhe 2019, vizitorët e huaj në Shqipëri u rritën me 74%.
E-commerce, hapësira për biznese të reja
Tregtia online zhvillon hapësira të reja për biznes. Një sërë sektorësh ndërlidhës shqiptarë dhe ndërkombëtarë ofrojnë shërbime për shpërndarjen ndërkombëtare të mallrave, duke rritur ofertat për punë të shërbimeve postare. Konsulentë juristë dhe të TIK-ut ofrojnë paketa të specializuara për të mbështetur kompanitë e tregtisë elektronike, për të ngritur biznesin e tyre.Ata ndihmojmë sipërmarrësit të marrin vendime komplekse ligjore, teknike dhe strategjike, të nevojshme për të ndërtuar kanalet e tyre të shitjeve në internet. Po shfaqen ofrues të pagesave elektronike shqiptare, përfshirë paypay-n, me mundësi të reja pagese për klientët elektronikë dhe shitësit elektronikë shqiptarë.Në intervistat me kompanitë shqiptare të tregtisë elektronike, Banka Botërore ka gjetur se, ekonomia e madhe informale e Shqipërisë ishte një pengesë për zhvillimin e ekonomisë dixhitale.
Tarifat e skanimit duhet të ulet
Banka Botërore vë në dukje se, praktikat e tarifimit nga doganat dekurajojnë tregtinë, veçanërisht dërgesat e vogla. Së pari, një tarifë skanimi aplikohet për dërgesat që hyjnë ose dalin nga Shqipëria (ekuivalente me 22 euro dhe nëse vlera e dërgesës kushton 1,000 euro, tarifa e skanimit është 5 euro).
Sipas Bankës Botërore, kjo përbën një taksë të pazakontë që aplikohet për eksportet dhe importet, gjë që është veçanërisht e rëndë për dërgesat e vogla, për të cilat pagesa e skanimit mund të jetë e konsiderueshme. Së dyti, importuesit raportojnë se zyrtarët e doganave rregullisht korrigjojnë çmimet e referencës, duke rritur në mënyrë fiktive ngarkesën tatimore. Banka Botërore këshillon qeverinë të eliminojë tarifat e skanuesit për dërgesat me vlerë të ulët.
5 ndërhyrje për mbështetjen e ekonomisë dixhitale
Tregtia elektronike po lulëzon në një mjedis kompleks me kufizime në të gjitha dimensionet. Në vijimësi, ato duhet të trajtohen për të mbështetur ekosistemin e tregtisë elektronike të Shqipërisë, këshillojnë ekonomistët e lartë të Bankës Botërore, Christoph Ungerer dhe Alberto Portugal.
Logjistika dhe doganat
Shërbimet postare dhe kompanitë e tjera të logjistikës duhet të zhvillojnë zgjidhje të përshtatura që të mbështesin kompanitë e tregtisë elektronike. Administrata doganore duhet të adaptojë dhe të forcojë proceset në mënyrë efektive, të trajtojë ngarkesat me vlerë të ulët e me vëllim të lartë që lidhen zakonisht me tregtinë elektronike.
Nga ana tjetër, kompanitë e tregtisë elektronike duhet të investojnë në strategjitë e tyre të magazinimit, duke siguruar inventarë të mjaftueshëm dhe duke mundësuar shpërndarjen e shpejtë, të besueshme dhe të përballueshme deri në miljen e fundit, kur blerja është bërë në internet.
Lidhja dixhitale
Ndërhyrjet e sektorit publik dhe privat janë të nevojshme për të zgjeruar aksesin në internet me shpejtësi të lartë, i cili kërkon mobilizimin e financimit për investime në infrastrukturë, si dhe riorganizimin të lejeve. Përtej kësaj, investimet në teknologjitë celulare, duke përfshirë edhe përdorimin e 5G, janë thelbësore në përgatitjen e Shqipërisë për gjeneratën e ardhshme të mundësive të biznesit në internet.
Pagesat në internet
Zgjerimi i aksesit në mjetet elektronike të pagesave midis klientëve është çelësi për rritjen e e-commerce. Nga ana tjetër, bizneset duhet të investojnë në zhvillimin e aftësive për të pranuar pagesa nga interneti. Rritja e secilës palë në treg mund të përshpejtojë zhvillimin e tjetrës, duke vënë në lëvizje të gjithë tregtinë elektronike.
Rritja e aftësive në sektorin privat
Tregjet në internet kanë nevojë për një sektor privat të tregtisë elektronike, ku mbi të gjithë të dominojë piramida e aftësive njerëzore. E-sipërmarrësit shqiptarë duhet të mbështeten, si nëpërmjet financimit dhe trajnimit, por edhe duke zhvilluar një mjedis të përgjithshëm mbështetës të biznesit.
Për shembull, duke krijuar korniza ligjore tatimore transparente dhe miqësore ndaj biznesit për tregtinë elektronike. Bizneset elektronike duhet të mbështeten me konsulenca, kompani IT dhe operatorë të logjistikës. Të gjitha këto së bashku krijojnë një kornizë të rëndësishme që mund të ndihmojë bizneset lokale të zhvillojnë kanalet e shitjeve në internet. Më në fund, klientët shqiptarë duhet të arsimohen, që të mund të jenë blerës të sigurt në internet, të dinë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre dhe të shmangin mashtrimet.
Kuadri rregullator i tregtisë elektronike
Transaksionet në internet duhet të mbështeten nga një kornizë e fortë rregullatore që të sigurojnë mbrojtje për të gjitha palët e përfshira, duke ndërtuar, së pari besimin tek ekonomia dixhitale. Shfaqja e platformave në internet kërkon nevojën e zhvillimit të një infrastrukture ligjore të dedikuar për qartësimin e të drejtave dhe përgjegjësive me të cilat përballen këto lloje të reja biznesesh. Teksa tregu rritet, rreziqet kryesore që lidhen me tregjet online do të ndodhin, por gjithashtu duhet të menaxhohen.
Agjencitë qeveritare, si administrata tatimore dhe doganore, do të duhet të azhurnojnë procedurat për të menaxhuar me efikasitet bizneset elektronike, duke luftuar informalitetin në tregjet online, si dhe të sigurohen që operatorët ndërkombëtarë të tregtisë elektronike të paguajnë pjesën që u takon taksave në Shqipëri. Kuadri i konkurrencës së Shqipërisë do të duhet të gjejë zgjidhje praktike për të mbrojtur klientët nga gjigantët e tregtisë elektronike që mund të dominojnë tregjet dhe të kufizojnë konkurrencën./Monitor.al