Para zgjedhjeve dhe Presidentit
PS e LSI përfshihen në tensione

Para zgjedhjeve dhe Presidentit<br />PS e LSI përfshihen në tensione
Tension dhe klimë mosbesimi mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat përbëjnë boshtin e koalicionit qeverisës. Në një kohë kur opozita shqiptare duket se ka dalë tërësisht jashtë loje, ku më shumë se për fitore po punon për justifikimin e humbjes së radhës, beteja politike befas është zhvendosur brenda koalicionit.

Në prag të zgjedhjes së presidentit dhe pesë muaj para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, përfaqësues të dy partive kryesore në pushtet kanë shkëmbyer replika në distancë, për një çështje të vitit kaluar, por e rikthyer në vëmendje ditët e fundit.

“Molla e sherrit” duket se është sërish Ministria e Brendshme, për të cilën, edhe në të shkuarën LSI nuk ka pasur konsideratë maksimale, e herë pas here nuk i ka kursyer as kritikat.

Balili
Sinjali i parë i ftohjes së marrëdhënieve erdhi ditën e mërkurë, kur Ilir Meta, në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, i dërgoi një letër Presidentit Bujar Nishani për të thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare mbi çështjen e rëndësisë së veçantë, mos arrestimin e Klement Balilit, trafikantit të drogës, të njohur si “Eskobari i Ballkanit”. Meta thoshte në letër se autoritetet përgjegjëse po dështonin të kapnin këtë të shumëkërkuar, duke shigjetuar kështu Policinë e Shtetit si autoritet përgjegjës. Më parë, ministri i LSI-së, Manjani ishte shprehur se Ministria e Drejtësisë kishte mbaruar punë me këtë çështje që kur kishte përcjellë dosjen e autoriteteve greke pranë prokurorisë. Nishani ju përgjigj një ditë më pas Metës duke pranuar të mbledhë Këshillin e Sigurisë. Kjo përgjigje nxiti menjëherë reagimin e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili pasi siguroi që Balili do të kapej, tha se ishte qesharake që Nishani thirri Këshillin e Sigurisë Kombëtare për çështjen “Balili”, teksa nuk e pati thirrur për kultivimin e drogës në Lazarat. Nën zë, Tahiri ironizoi po kështu edhe iniciatorin e kësaj mbledhjeje, Metën. LSI nuk e la pa përgjigje këtë “atakim” dhe përmes një komunikimi të menjëhershëm për median të Petrit Vasilit, tha se Metës i ishte kërkuar nga zyrtarë të lartë në Uashington gjatë vizitës së fundit, të nxisë autoritetet të kapin Klement Balilin.

Policia dhe zgjedhjet
Mbrëmjen e së premtes, një tjetër zyrtar i lartë i LSI-së, ministri i Mjedisit, Lefter Koka tha në një intervistë televizive se policia po vendos në rrezik zgjedhjet. “Eksponentë të caktuar ku në vetvete kanë kërkuar të involvojnë dhe punonjës të policisë dhe kjo është akoma më e rëndë e cila rrezikon të sjellë destabilitet dhe rrezikon të kemi zgjedhje jo me standarde. Ndaj për të thënë çdo behet nesër me aleancën? Sigurisht do e diskutojnë e vendosin forumet e LSI, por unë personalisht do të jap mendimin tim personal “jo”. LSI sot ka potencialin dhe shifrat e dimensionet e saj për ta vetëqeverisur Shqipërinë”,-tha Koka. I pyetur për këto deklarata, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, edhe ai i akuzuar për abuzime nga Koka, tha se nuk i merrte seriozisht këto deklarata. Dje, Vangjel Tavo mblodhi mediat në Gjirokastër për të përforcuar këtë sinjal të lëshuar nga Koka. Ai zgjodhi ta kritikojë policinë në raport me mbjelljen e kanabisit. “Në fakt konstatoj edhe unë në Gjirokastër një tentativë, përpjekje nga ana e policisë së shtetit për të ndikuar në procesin zgjedhor. Do i kërkoja sinqerisht si pjesë e këtij koalicioni ndërhyrjen e ministrit Tahiri tek drejtuesit e policisë së shtetit të mos merren me politikë sepse nuk është prioritet i policisë së shtetit”,-është shprehur Tavo.

Reagimi i Ramës
Teksa Ilir Meta ka preferuar të mos komentojë në mënyrë të drejtpërdrejtë këto deklarata nga funksionarët e lartë të tij, Edi Rama ka zgjedhur rrjetet sociale të japë përkrahjen e tij ndaj Policisë së Shtetit. “Pas anketimit të bërë disa muaj më parë nga Komisioni Europian, Policia e Shtetit konfirmohet përsëri si institucioni më i besuar i shqiptarëve në Indeksin e Besimit tek Institucionet. #Rilindje #ShqipëriaeGjeneratësTjetër #QentëLeTëLehinKarvanidoEcëPërpara”,-shkruan Rama.

Avokati i Popullit
Burime për “Shqiptarja.com” bëjnë me dije se një tjetër përplasje e pa dalë në sipërfaqe brenda Metës dhe Ramës është dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit. Kuvendi do të votojë javën e ardhshme kreun e ri të këtij institucioni, por mësohet se LSI nuk është dakord me kandidaturën e PS-së. Burimet bëjnë me dije se një ambasadë e rëndësishme në Tiranë i ka kërkuar Metës që grupi i tij parlamentar të votojë Igli Totozanin për një mandat të  dytë. Njeriu i Kokëdhimës e fitoi këtë post si një dhuratë nga PS, atëherë në opozitë, për shkak të marrëdhënieve të ngushta mes Ramës dhe Kokëdhimës. Tashmë, Totozani kërkon një mandat të dytë por e ka humbur përkrahjen nga Partia Socialiste,e  cila edhe pse vetë i dha një mandat, vlerëson se performanca e tij në këtë mandat të parë ka qenë zhgënjyese dhe nuk dëshiron ta votojë, duke hedhur në garë një prej ekspertëve të saj më të spikatur për çështjet ligjore, Genc Gjonçaj. Vota e LSI-së pro Totozanit mësohet se ka qenë një përplasje e fundit Rama-Meta, por që vijimi i tij ngelet për tu parë gjatë votimit në seancë plenare.

Koalicioni
Sipas afateve të vendosura prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, limiti kohor për të regjistruar koalicionet zgjedhore është caktuar të jetë 19 prilli, datë kur KQZ-ja ka planifikuar të miratojë në mbledhje të posaçme kërkesat e partive për të kandiduar në koalicion më 18 qershor. Kështu, dy partitë kryesore të qeverisë aktuale do të duhet të kenë marrë një vendim për të ardhmen e marrëdhënies së tyre, e cila paraprakisht do të thotë arritja e marrëveshjes për ndarjen e pushtetit në mandatin e dytë qeverisë. Ajo që Rama dhe Meta preferojnë ta quajnë “ndarja e përgjegjësive” në dikasteret qeverisës, do të duhet të kalojë një sprovë fillestare: konsensusi për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Presidenti
Bujar Nishani përfundon mandatin e tij si President i Republikës më 24 korrik 2017. Bazuar në praktikën e zgjedhjes, nevojën për pesë votime, procedura për zgjedhjen e Presidentit do të duhet të nisë në fundin e muajit mars dhe fillimin e muajit prill 2017, pra rreth pesë muaj përpara se të mbarojë mandati kushtetues presidencial. Kjo periudhë përkon me shpërndarjen e parlamentit për shkak të zgjedhjeve të 18 qershorit, dhe balancat politike janë të vështira për tu parashikuar nëse PS dhe LSI nuk arrijnë dakordësi për zgjedhjen e presidentit. Edhe pse në raundin e pestë presidenti i ri mund të zgjidhet edhe me vetëm 71 vota, PS nuk mund ta zgjedhë e vetme kreun e ri të shtetit, sikundërse në rast hipotetik, është thuajse e pamundur që LSI bashkë me PD-në të arrijnë këtë shumicë të thjeshtë. Megjithëkëtë, ky ngërç ka një rrugëdalje pa pasoja. Kushtetuta parashikon zgjedhje të parakohshme nëse parlamenti nuk zgjedh dot presidentin, e në këtë rast (kur vendi është praktikisht në zgjedhje) do t’i takojë parlamentit të ri të zgjedhë kreun e shtetit.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Namir Lapardhaja: Zgjedhja e drejtuesit të SPAK nga populli, hapi i nevojshëm për pavarësinë e vërtetë të drejtësisë

Namir Lapardhaja: Zgjedhja e drejtuesit të SPAK nga populli, hapi i nevojshëm për pavarësinë e vërtetë të drejtësisë