Gjatë kësaj jave u publikua në media një studim statistikor nga Bashkim Shehu dhe Eduard Zaloshnja, i cili flet shumë për realitetin politik të Shoqërisë shqiptare, por që si shumë histori të të rëndësishme, u varros nga kakofonia e zakonshme e politikës së ditës.
Studimi merret me marrëdhënien e çuditshme që shqiptarët kanë me fjalët “i majtë” dhe “i djathtë,” dy etiketa që përdoren vazhdimisht, por që shpesh humbasin kuptimin sapo përballen me bindjet reale të qytetarëve.
Sipas studimit 41% e të anketuarve e identifikojnë veten si të majtë, 31.3% si të djathtë dhe 24.2% si të qendrës. 3.5% u përgjigjën me “Nuk e di.” Ironia është se të vetmit që e kanë realisht të qartë bindjen e tyre politike janë këta 3.5% që thonë sinqerisht se nuk e dinë se ç’bindje kanë. Pjesa tjetër, që janë edhe shumica, nuk e ka të qartë as se çfarë nënkuptojnë realisht etiketat “i majtë” apo “i djathtë.” Kjo bëhet e qartë më tej në studim, ku del se 82%-94% e të anketuarve mbështesin politika historikisht të asociuara me të majtën (arsim dhe shëndetësi publike, mbrojtje sociale, ndërhyrje të shtetit në ekonomi), por vetëm 41% e konsiderojnë veten të majtë. Madje, nga studimi del se edhe mes atyre që identifikohen si të djathtë, shumica (81%-95%) mbështesin politika të majta. Për ta thënë më thjesht, kur vjen fjala tek çështjet social-ekonomike (gjëra që prekin jetën e përditshme të njerëzve), shumica e të djathtës shqiptare ka mendësinë e të majtës europiano-perëndimore.
Ky është paradoksi shqiptar. Ndërsa dy partitë kryesore janë transformuar ideologjikisht në këto tri dekada – me PS që nuk përfaqëson më asgjë të majtë dhe PD që prej kohësh nuk përfaqëson më frontin antikomunist të fillimviteve 1990-të – reflekset bazë politike të shoqërisë nuk kanë ndryshuar pothuajse aspak.
Zakonisht pritet të ndodhë e kundërta. Shoqëria ndryshon me ritme më të shpejta dhe partitë detyrohen që ta ndjekin. Gjeneratat e reja përballen me konflikte të reja sociale dhe pasiguri ekonomike, duke i detyruar partitë të ripërkufizojnë vetveten ose të rrezikojnë zhdukjen dhe zëvendësimin nga forca të reja politike. Po e shohim të ndodhë në një pjesë të mirë të Europës. Megjithatë, duket se në Shqipëri partitë ia kanë dalë të modernizojnë teknikat e kontrollit të pushtetit, ndërsa shumica e votuesve mbetet e atashuar me hartën e vjetër politike të vizatuar në vitet e para të pas komunizmit.
Prova më domethënëse e kësaj është roli i historive familjare. Studimi tregon se mes qytetarëve që vijnë nga familje që kanë patur lidhje me regjimin e dikurshëm komunist, 72.2% e tyre votojnë për PS-në. Vetëm 11.3% e këtij grupi e identifikojnë veten si të djathtë, ndërsa vetëm 10% thanë se kanë votuar për PD-në. Ndërkaq, mes qytetarëve nga familje të persekutuara gjatë diktaturës, ose familje me histori të përzierë, 57.5% identifikohen si të djathtë dhe 46.8% si votues të rregullt të PD-së.
Pra, trashëgimia më e fortë politike në Shqipëri mbetet kryesisht trashëgimia në kuptimin e parë të fjalës. Kujtesa familjare është shumë më e rëndësishme se sa çfarëdo ideologjie apo programesh që forcat politike mund të prezantojnë gjatë fushatave elektorale. Pozicioni i familjes së dikujt gjatë diktaturës luan një rolë shumë më të rëndësishëm se sa politikat publike.
Tani, kjo nuk do të thotë se historia familjare është krejtësisht e parëndësishme dhe se kujtime të tilla duhen shpërfillur plotësisht. Nisur nga e shkuara e vendit, është e qartë për këdo se në Shqipëri historia ka patur rol të drejtpërdrejtë tek familja, pasi për shumicën ajo ka përcaktuar arsimin që do duhej të ndiqnin, karrierat, dënimet, privilegjet dhe poshtërimin. Problemi nis kur kujtime të tilla vijojnë të përcaktojnë identitetet politike edhe kur vetë partitë për të cilat votojmë nuk përfaqësojnë më konfliktet fillestare që i prodhuan ato.
Por konfuzioni politik i shoqërisë është i dukshëm edhe në marrëdhënien mes klasave shoqërore dhe mënyrës se si votojnë pjesa dërrmuese e qytetarëve. Zakonisht njerëzit me të ardhura të larta priren, të paktën ekonomikisht, drejt politikave të djathta sepse ato politika janë në interes të tyre (edhe pse dhe këtu ka vend për debat). Megjithatë, studimi tregon se në Shqipëri ndodh e kundërta. Mes të anketuarve nga familje me të ardhura mbi 1.500 euro në muaj, shumica (41.8%), identifikohen si të majtë dhe vetëm 23% si të djathtë. I njëjti grup rezulton më i prirur të votojë Partinë Socialiste (44.3%), krahasuar me vetëm 20% që votojnë për PD-në. Ndaj, nëse dikush pret që pakënaqësitë socio-ekonomike kthehen në motorë të ndryshimeve të thella politike, do të zhgënjehet sepse identiteti politik i shqiptarëve nuk ndjek një logjikë socio-ekonomike.
Ky ndoshta është edhe një nga dështimet më të mëdha të tranzicionit politik në Shqipëri. Një tranzicion që, edhe pse krijoi parti dhe zgjedhje, nuk ia doli dot mbanë të krijonte një shoqëri të aftë për ta diskutuar politikën përmes ideve. Teksa partitë mësuan t’i përditësojnë metodat e marrjes dhe mbajtjes së pushtetit, ndërsa votuesit mbetën brenda së njëjtës hartë politike të trashëguar nga prindërit, e në disa raste edhe nga gjyshërit e tyre. Sa kohë që kjo hartë të mbetet më e fortë se sa të kuptuarit e politikës, vendi do të vazhdojë të riprodhojë të njëjtin stanjacion politik në forma të ndryshme./ Tema
Komente









