Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi bërë një reagim në Facebook ku paralajmëron se "vera për disa ka për të qenë përvëluese" por nuk dihet se kujt i referohet. Kryemadhi thotë se po tentohet që të largohet vëmendja nga rritja e çmimeve, karburantit dhe kostove të jetesës nga personat e përfshirë në aferën e inceneratorëve.

"Konet e inceneratorëve marrin pagesa për të dalë nëpër banaqe dhe të heqin vëmendjen nga çështjet e vërteta që prekin shqiptarët, si çmimet e ushqimeve, shtrenjtimi i karburantit dhe kostos së jetesës. Apo nga cënimi i integritetit territorial dhe interesave kombëtare të Shqipërisë. Ndërkohë, vetëm evazioni fiskal i inceneratorëve shkon 100 milionë euro!!! Firmat e Ramës, Veliaj, Subashit, Agaçit, etj., janë aty, dhe vera për disa, ka për të qenë përvëluese..", shkroi Kryemadhi.

Kujtojmë se sipas SPAK, jo vetëm në Inceneratorin e Elbasanit, por edhe në atë të Fierit janë shkelur procedurat për dhënien e koncesioneve por edhe janë konsumuar vepra penale nga zyrtarë deri të nivelit më të lartë. Rreth 3.3 milionë euro pasuri e sekuestruar (1.2 Lefter Kokës, 2 milionë euro në Elbasan dhe 140 mijë euro babait të deputetit Bllako) dhe 9 masa të tjera arresti për Fierin dhe 5 për Elbasanit ishte bilanci i fundit SPAK. 

Lefter Koka do të rrijë në qeli edhe për çështjen e inceneratorit të Fierit pasi apeli i GJKKO nuk i pranoi lirinë. Përveç Lefter Kokës, masa është lënë në fuqi edhe për të akuzuarit e tjerë: Arenc Myrtezani, Sabina Cenameri, Pëllumb Abeshi dhe Etleva Kondi.