Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar sërish në lidhje me parkimin dysh të automjeteve veçanërisht në kryeqytet. Përmes një postimi në rrjetet sociale Braçe shprehet se miratimi i ligjit për parkimin dysh javën e kaluar në Kuvend "Është thjesht për një rast që nuk është në fotot" që ai ka publikuar.

Ai ka risjellë edhe njëherë Nenin 293/1 ku thekson se ky postim është 'Për të ndihmuar politikanët që përtojnë të mendojnë'. Ndër të tjera ai thekson se parkimi në fjalë është në shkelje të Kodit Rrugor dhe ndëshkohet sipas kodit rrugor. Jo sipas kodit penal!

Postimi i plotë:

Ai rasti kur përton të mendosh;

Hëm kur je i fortë-i pushtetshëm me makinë të madhe;

Hëm kur je në hall-nuk ke ku parkon edhe kur ke makine të vogël;

Hëm kur je polic e bën detyrën-vë gjobën ligjore, tejkalon detyrën-bën e dërgon foto;

Hëm kur je politikan, deputet tamam tamam-bën ligjin pa menduar apo bën si i fortë me trimat;

Ky në foto nuk është parkim dysh apo “pushim mjeti ne karrexhatë në rresht të dytë”!!

Ky është parkim në shkelje të Kodit Rrugor dhe ndëshkohet sipas Kodit Rrugor. Jo sipas Kodit Penal!

Për të ndihmuar politikanët që përtojnë të mendojnë po sjell këtu nenin e ri të kodit penal për PARKIMIN DYSH:

Neni 293/1

Pushimi i mjetit në karrexhatë në rresht të dytë

Pushimi i mjetit në karrexhatë në rresht të dytë, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me 2 mjete me pedal, 2 ciklomotorë me dy rrota ose 2 motorë me dy rrota, që pengon qartazi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë lëvizjen e automjeteve në shërbim të policisë, zjarrfikëseve dhe autoambulancave apo shërbimeve të tjera të institucioneve, bllokon tërësisht rrugën, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve të tjera ose shkakton bllokim total të rrugës për këmbësorët, duke u bërë pengesë serioze për sigurinë publike, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Pra ky NENI, nuk është për rastet në foto e të tjerë raste si to;

Është thjesht për një rast që nuk është në foto:

Dy makina në rrugë në krah të njëra tjetrës dhe që i zënë rrugën policisë, zjarrfikëses, ambulancës!

Kur e le makinën në krah të koshave është shkelje e KODIT RRUGOR si parkim i paligjshëm, por politikanët që përtojnë të mendojnë nuk e kriminalizuan e nuk të cojnë në burg!

Sipas ndryshimeve në Kodin Penal, në rast se parkimi dysh pengon lëvizjen e mjeteve të shërbimeve jetike, parashikohet dënim deri në 1 vit burg.

Foto nga postimi i Erion Braçes