Partitë politike janë e keqja më e madhe e vendit

Partitë politike janë e keqja më e madhe e vendit

Cila është e vërteta? Kujt t’i besojmë? E vërteta që na afrohet a është edhe e vërteta jonë? Çfarë të vërtetash na afrohen çdo ditë dhe sa guxim kemi t’i diskutojmë ato? Të vërtetat që na afrohen a janë relative? Pse strukemi dhe i marrim ose bëjmë sikur i pranojmë si forma absolute? Keni vënë re që mendimi, opinioni publik në Shqipëri jo vetëm është i manipuluar dhe i censuruar, por ai është i orientuar në një drejtim të caktuar që ka për qëllim të krijojë trazira mendimesh, dilema situatash e kështu në një situatë të tillë, me mjegull dhe errësirë, qytetari nuk është i kthjellët dhe i vetëdijshëm të analizojë, kritikojë dhe të dyshojë për të gjetur të vërtetën ose versionin më të afërt të vërtetës.

Ka të paktën nja 20 vjet që i ndjek debatet publike, opinionet e gazetarëve, diskutimet e qëndrimet e politikanëve që gjejnë armiq, kundërshtar e problematika kudo për situatën e vazhdueshme të ngërçit politik/institucional, por asnjë herë këto problematika nuk i gjejnë tek partitë politike e tek sistemi politik i ndërtuar në këto vite të gjata tranzicioni. Pra, flasin për korrupsion, për keqqeverisje, për varfëri, për manipulim zgjedhjesh, për lidhje të primi me politikën, krijojnë çdo lloj alibish, por asnjë herë nuk përmendin problemet e partive politike dhe të sistemit politik. Të krijohet ndonjëherë bindja sikur në Shqipëri nuk ka parti politike, por faktorë të tjerë që cenojnë ose i manipulojnë partitë politike për të mos bërë misionin e tyre.

Realisht është krejt e kundërta. Të gjitha të këqijat e shqiptarëve dhe të Shqipërisë vijnë nga partitë politike, të cilat të gjitha së bashku formojnë atë që quhet sistemi politik shqiptar. Sekretari i Pci (Partisë Komuniste Italiane) në një intervistë të dhënë për Scalfari flet për moralin politik. Intervista e tij e gjatë ve në dukje të njëjtat fenomene më të cilat përballe politika shqiptare sot. Fakti që Berlinguer ishte Sekretari i Pci, kjo nuk duhet të influencojë opinionin tonë në lidhje me temën që po trajtojmë, sepse ai ishte drejtuesi i një ndër partive më të rëndësishme të sistemit politik italian në Republikën I e po ashtu ai vetë ishte një intelektual i madh dhe një kundërshtar i hapur i modelit sovjetik të cilin ka pasur kurajë ta kundërshtojë edhe në Moske. Madje, në një moment të rëndësishëm historik për Italinë, qëndrimi i Berlinguer ishte hapur pro qëndrimit të Italisë në Nato se sa në Paktin e Varshavës.

Ja çfarë thotë Berlinguer për partitë politike në Itali duke mos përjashtuar as Pci që ai vetë drejtonte: “Partitë politike kanë pushtuar Shtetin, të gjitha institucionet duke përfshirë edhe qeverinë. Kanë pushtuar entet lokale, bankat, ndërmarrjet publike, institutet e kulturës, spitalet, universitet, Rai TV (Në atë kohë nuk kishin lindur mediat private televizive të Berluskonit dhe RaiTV ishte e vetmja media vizive), disa gazeta. Për shembull sot është e mundshme që një ndër gazetat më të mëdha ditore në vend “Corriere della Sera”, mund të bjerë në duart dhe në kontrollin e njërës parti politike. Rezultati i kësaj situate është dramatike, sepse institucionet të ndryshme private apo publike bashkë me drejtuesit e tyre janë në shërbim të partive ose të klaneve që kontrollojnë pushtetin. Një kredi bankare lëshohet nëse është fondi i marrë është në këtë funksion, një autorizim administrativ lëshohet nëse është në këtë interes të partive e pushteti. Pra, çdo gjë bëhet e mundur vetëm nëse finaliteti është besnikëri, pasuri e rritje pushteti për partitë politike. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vjet nga dhënia e kësaj interviste, koha duket se për shqiptarët dhe Shqipërinë nuk ka lëvizur, por është ndalur. Situata, aktuale në Shqipëri është identike e ndoshta edhe më e rëndë se kjo që përshkruan Berlinguer, sepse politika shqiptare ka monopolizuar çdo formë që prodhon pasuri, ide, apo forma të tjera nga të cilat varet qëndrueshmëria dhe rritja e pushtetit. Çdo gjë në Shqipëri është në shërbim të partive politike dhe çdo gjë rritet ose vdes me lejen e partive politike ose të klaneve që formojnë e prodhojnë pushtet. Kemi një sistem financiar e bankarë që është totalisht i përfshirë në sponsorizimin dhe financimin e partive, të fushatave elektorale. Kemi një sistem kreditimi që funksionon vetëm mbi bazën e rekomandimeve politike dhe fondi i dhënë duhet të ketë finalitet forcimin e tyre dhe mbajtjen ose marrjen e pushtetit.

Intervista qe Berlinguer ka dhënë në atë kohë duket sikur është dhënë sot për shqiptarët. Në atë kohë ishte fushatë elektorale në Itali dhe Berlinguer përshkuan në një moment diçka që ka bëjë me zgjedhjet në Shqipëri dhe me sidomos me zgjedhjet e fundit të 25 Qershorit. Ja çfarë thotë Berlinguer: “Të frekuentosh mafiozët, të japësh dorën një Boss (e ka gjithmonë fjalën për mafiozët), të dalësh në shëtitje me këtë fundit (gjithmonë e ka fjalët për mafizoët, të inkriminuarit) në rrugët e qytetit gjatë kohës kur je kandidat ( këtu e ka fjalën për politikanët që kandidojnë  dhe në fushatë elektorale takohen e shoqërohen me këtë kontingjent personash) nuk ka asnjë vepër penale, sepse nuk ka kod penal që e dënon një gjë të tillë. Pra sipas Berlinguer juridikisht është e padënueshme. Ndërsa, sipas tij në këndvështrimin politik kjo sjellje e këtij/këtyre politikanëve është moralisht e papranueshme”. Shoqërimi i politikanit kandidat me një person të tillë, me forma mafioze përmes frikës, parasë dhe heshtjes merr një numër të caktuara votash, që në thelb nuk përfaqësojnë vullnetin e lirë të qytetarëve e as interesat e tyre të përfaqësimit. Po ashtu mesazhi që u jepet qytetarëve me një veprim të tillë është se nuk është shteti që komandon mbi drejtësinë, por është drejtësia bashkë me shtetin në shërbim të inkriminuarve. Këtë situatë pak a shumë kështu reale e përshkroi Pandeli Majko në një fjalim të tijin në fillim e kësaj legjislature, duke thënë se në fushatë kemi pasur ftesa nga elementë të caktuar për t’i takuar e pirë kafe me ta dhe pas zgjedhjeve kur kemi pasur një rezultat të dëshpëruar votash, përgjigja e shtabeve elektorale ka qenë se: kjo ka ndodhur për faktin se refuzuat të pinit kafenë me “atë”. Pra, Majko po jepte versionin e tij se kishte refuzuar të takohej, të bashkëpunonte dhe të identifikohej me persona të tillë e për të këtë kishte marrë edhe kosto elektorale, por që nuk ishte pishman. Megjithatë, të gjithë e dimë se zgjedhjet e 25 qershorit janë fituar pikërisht nga përfshirja e plotë e këtyre personave në fushatë elektorale dhe në proces zgjedhor që kishin për të qëllim të garantonin vota dhe fitore politike e si këmbim do të merrnin imunitet dhe favore të tjera që rrjedhin nga pushteti.

Çështja morale për Berlinguer nuk është një çështje që ka lidhje me hajdutët, të korruptuarit, të cilët duhet të denoncohet dhe distancohen nga sfera politike. Për të “çështja morale” është pushtimi i Shtetit nga ana e partive qeverisëse. Partitë Politike duhet t’i japin fund pushtimit të Shtetit dhe ashtu siç thuhet në Kushtetutë duhet të konkurrojnë për vullnetin politik të kombit dhe këtë mund ta bëjnë pushtuar gjithnjë e më shumë hapësirat dhe institucionet shtetërore.

Partitë duhet të orientohen nga opinionet publike e pavarura publike, pa influencuar për ta adresuar atë ose edhe më keq për ta përvetësuar.

Partitë Politike duhet të organizojnë aspiratat popullore në mënyrë demokratike. Detyra e Shtetit është të mbrojë interesat e përgjithshme e sidomos të atyre që janë më të dobët dhe të përjashtuar nga proceset e vendimmarrjes dhe të formave të tjera të pushtetit.

Në Shqipëri flitet për demokraci dhe për problemet që ajo ka, sikur të ishte diçka e jashtme që nuk ka lidhje me politikën ose sistemin politik shqiptar e në fakt ajo është prodhim i formave të organizimit dhe të funksionimit të partive politike që së bashku formojnë sistemin politik shqiptar. Si mund të pretendohet për demokraci shqiptare, ku të gjitha partitë politike shqiptare, pa bërë përjashtime, janë të orientuar nga oligarkia për nga mënyra e funksionit dhe po ashtu për nga forma e organizimit janë krejtësisht antidemokratike e mund të themi se fjalën “demokraci” e urrejnë deri në vdekje. Demokracia e brendshme e partive politike shqiptare është inekzistente, me vite të tëra kemi të njëjtët kryetarë e po ashtu në disa raste kemi kalim lidershipi me trashëgimi dhe kjo ka filluar të pasqyrohet jo vetëm ne jetën politike të brendshme të partive në forumet e tyre, por edhe në përfaqësimin e deleguar që ata kanë në Parlament. Si mund të flitet për mundësi reale për të luftuar korrupsionin dhe për të pasur transparencë, kur partitë politike shqiptare janë të sponsorizuara dhe sigurojnë fonde në mënyrë më të errët dhe përmes formave të tjera të korrupsionit. Nuk mund të ketë luftë nda korrupsionit në nivel institucional për sa kohë partitë politike që kanë pushtuar e kontrollojnë çdo formë shtetërore duke përfshirë edhe institucionet e promovojnë korrupsionin dhe mungesën e  transparencës për të forcuar, mbajtur ose për të marrë pushtetin politik. Asgjë nuk ka për të ndodhur në Shqipëri, për sa kohë mendimi dhe opinioni publik nuk merr kurajën të flas e të diskutojë mbi mënyrën e funksionimit të partive politike, sponsorizimet dhe sigurimin e fondeve të tyre. Gjithashtu, kurrë Shqipëri nuk do të ketë një demokraci të qëndrueshme dhe funksionale për sa kohë opinioni publik e trajton këtë fundit sikur të ishte diçka e jashtme që nuk ka lidhje me funksionin e partive politike e të krejt sistemit politik shqiptar.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Rama: Ku janë sot përfaqësuesit e UÇK-së që Rexhep Qosja i kërkonte në udhëtimin historik drejt Rambujesë

Rama: Ku janë sot përfaqësuesit e UÇK-së që Rexhep Qosja i kërkonte në udhëtimin historik drejt Rambujesë