TIRANË- Pasi i shkarkoi nga detyrat në parti, Lulzim Basha, ka ndërmarrë një tjetër vendim kundër mbështetësve të Sali Berishës. Report Tv mëson se Basha ka kërkuar edhe largimin e tyre si anëtarë të PD-së në komisionet Parlamentare.
Konkretisht mësohet se Partia Demokratike ka depozituar në kuvend kërkesën për ndryshimin e kryetares së komisionit të shëndetësisë Albana Vokshi dhe disa sekretarëve. Bëhet fjalë për deputetët që janë mbështetës të ish-kryeministrit Berisha. Bëhet fjalë për Flamur Nokën (Komisioni i Sigurisë), Albana Vokshin (Kryetare e Komisionit të Sigurisë), Oerd Bylybashin (Komisioni i Ligjeve) dhe Belind Këlliçin (Komisioni i Integrimit), megjithatë pritet që të ketë një njoftim zyrtar, si edhe nuk dihen emrat e deputetëve që do t'i zëvendësojë. Lajmi është konfirmuar nga burime brenda Kuvendit për Report Tv, por pavarësisht kësaj, vetë Partia Demokratike nuk e konfirmon.
Në PD ka nisur një betejë e brendshme, ku deputetët janë ndarë në mbështetës të Lulzim Bashës i cili mban sot vulën e partisë, dhe në mbështetës të Sali Berishës, i cili pretendon të marrë partinë duke thënë se Lulzim Basha është shkarkuar në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit.
Distancime mes demokratëve ka pasur edhe fizikisht në “shtëpinë” e tyre, ku në seli pretendohet se janë ndryshuar bravat e dyerve në mënyrë që mbështetësit e Berishës tashmë të shkarkuar nga funksionet të mos mund të futen. Sakaq, janë ndërruar edhe bravat e degëve të selisë në Sarandë, Elbasan dhe Shkodër.
Komente












