Nga 1 janari 2027, një paketë cigare do të kushtojë 8.5 lekë më shumë. Rritja e akcizës për duhanin do të ketë edhe kontribut pozitiv në rritjen e të ardhurave për vitin që vjen prej afro 50 milionë euro shtesë.

“Akciza për 1.000 cigare rritet me 7.750 lekë sot në 8.100 lekë në vitin 2027. Pra për konsumatorin rritja në vitin 2027 është rreth 8.5 lekë për paketë, përfshirë këtu dhe TVSH-në”, tha deputetja e PS Zamira Sinaj.

Ndërsa ndryshimet në 4 ligjet e tjera pjesë e Paketës Fiskale, si TVSH, tatimi mbi të ardhurat, procedurat tatimore apo taksat kombëtare, do të kenë një efekt negativ 300 milionë lekë të gjitha së bashku.

“Kjo paketë fiskale kërkon të japi mbështetje për personat në nevojë, njëkohësisht dhe për ata që punojnë. Së dyti, paketa fiskale kërkon që të krijoj edhe më mirë, parimin që kush fiton më shumë kontribuon më shumë, dhe së treti paketa fiskale kërkon të ndihmojë bizneset që të operojnë më mirë dhe më lehtë në një klimë ekonomike e cila vjen gjithmonë në përmirësim”, tha Milva Ekonomi.

Ulja e TVSH-së në 6% për produktet ushqimore, rritja e TVSH-së në 10% për strukturat akomoduese, përjashtuar agroturizmat, rritja me 1% i TVSH-së standarde që do të jetë 21%, apo tatimi mbi dividendin që shkon nga 8% në 15% për opozitën janë lëvizje të pakonsultuara.

“Konsultimet që është detyrim ligjor, sidomos 20 ditë përpara se prej buxheti të sillet në komision të ekonomisë apo të prezantohet ministrit duhet të ishin bërë dhe realisht më rezulton që nuk kemi konsultime të bëra aq më tepër me grupet e interesit. Kemi disa dhoma që janë shprehur kundër”, tha deputeti i PD Igli Cara.

“Unë nuk di një vit nga viti 1996 që shoqata e biznesit, grupet e biznesit, sipërmarrësit e të tjerë me radhë të kenë qenë dakord me buxhetin një apo aq mw pak me paketwn fiskale dy, sepse shkon në logjikën që pas vdekjes e vetmja gjë që nuk pranohet mbi dhe është të paguash taksën”, Braçe.

Gjatë prezantimit të relacioneve të paketës fiskale në Komisionin e Ekonomisë, Partia Demokratike njoftoi votën kundër me argumentin se “Projektbuxheti e Paketa Fiskale”, nuk i përgjigjen problemeve të vendit.

“Edhe pas 14 vitesh premtimi për të subvencionuar dhe të mbështetur sektorin arsimor me 5% të prodhimit të brendshëm bruto nuk zbatohet. Arsimi ngelet përsëri në shifrat mos gaboj 2.5%. E njëjta gjë me shëndetësinë. Pensionet vazhdojnë të ngelen veçanërisht të ulëta, dy deri në tre herë ndoshta të ulëta në krahasim me pensionet mesatare e disa vendeve të rajonit. Financimi i bujqësisë ngelet në të njëjtat në të njëjtin masë. E njëjta gjë ndodhet dhe me industrinë prodhuese vendase e cila prej kohësh edhe për shkak të goditjes që ka marrë monedha euro. Sot jemi totalisht në princip kundër këtij projekti buxheti. E konsiderojmë një projekt që i shërben interesave të caktuara, por nuk zgjidh asnjë nga problemet madhore të vendit”, tha deputeti i PD Eno Bozdo.

Në vitin e ardhshëm institucionet do të kenë në dispozicion për të shpenzuar 976 miliardë lekë, ndërsa pritshmëritë janë për të mbledhur nga tatimet e taksat rreth 907 miliardë lekë. Këto projeksione janë ndërtuar mbi pritshmëritë për rritje ekonomike në 3.9%.