Donald Lu thotë se SHBA disponon shumë informacion për çështjen e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA përmes një kompanie të lidhur me rusët. Në "Opinion" Lu tha se në Shqipëri ka nisur një hetim për këtë çështje, ndërsa nuk dha detaje nëse lobimi po hetohet edhe në SHBA. I pyetur për ndikimin rus në Shqipëri, Lu tha se SHBA po monitoron nga afër atë që po ndodh.
Në Shqipëri ka një debat të madh për një kontratë PR nënshkruar nga PD dhe një person në SHBA që është një kompani PR në SHBA. U botua nga Mother Jones një investigim që thoshte se ato para vinin nga Rusia dhe nga Kremlini. Cili është opinion juaj, e para, dhe e dyta, a ka një hetim në SHBA për këtë çështje? Nuk flas për hetimin e madh për ndikimin rus në zgjedhjet e SHBA.
Ambasadori Lu: Ne, qeveria e SHBA dimë shumë për këtë çështje. Në SHBA, lobimi pranë qeverisë së SHBA është i ligjshëm, përfshi lobimin nga ente të huaja, fuqi të huaja, në këtë rast një parti politike. Por për të lobuar në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të ligjshme, lobisti duhet të bëjë deklarime publike të kontratave, të financave dhe të aktiviteteve që ndërmerr, në këtë rast për PD. Pra, çdo gazetar, çdo qytetar mund të hyjë në faqen e Departamentit të Drejtësisë dhe të gjejë të gjitha këto hollësi, të gjitha kontratat, dhe shifrat. Pra, dimë shumë dhe kemi ditur në fakt për gjashtë muaj se çfarë ndodh me këtë rast. Janë dy çështje këtu. Njëra çështje është nëse janë shkelur ligje në Shtetet e Bashkuara apo në Shqipëri. Në SHBA mund ta dini se kemi ligje kundër të huajve që ofrojnë para për fushata politike. Në Shqipëri, dimë që Lulzim Basha ka kërkuar nga prokuroria të hapin një hetim. Kanë hapur një hetim dhe janë në proces për t’i kërkuar SHBA, qeverisë së SHBA dhe prokurorëve të SHBA, për dokumente për këtë çështje. Pra, ka një hetim të hapur në Shqipëri. Nuk mund të konfirmoj nëse ka një hetim të hapur në Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, gjëja e dytë për të cilën dua të flas është çështja e Rusisë, sepse Qeveria e SHBA dhe ambasada jonë janë shumë të shqetësuara për prova në rritje të ndërhyrjes ruse në zgjedhje kudo në Europë. Po e ndjekim çështjen nga shumë afër, nëse rusët kanë dhënë kontribute tek lobisti në emër të Partisë Demokratike dhe Luli Bashës. Nëse kjo është e vërtetë, do të ishte një përpjekje shumë serioze nga rusët për të ndërhyrë në zgjedhjet e një shteti anëtar të NATO-s.
Basha tha se është Rama ai që mbështet investimet e rusëve në Shqipëri. Keni ndonjë informacion mbi këtë?
Ambasadori Lu: Kemi monitoruar atë që ndodh këtu me rusët nga shumë afër. Nuk mund të them se kemi shumë hollësi për këtë tani, por ju siguroj që ne këtë çështje e ndjekim nga shumë, shumë afër.