Ditën  e djeshme Partia Demokratike, përmes kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka njoftuar depozitimin e një kërkese në Kuvend, për shkarkimin e Presidentit të Republikës Bajram Begaj, pasi pretendon se kreu i shtetit ka shkelur 7 herë kushtetutën.

Avokati Indrit Sefa, i ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’, të moderuar nga Nertil Agalliu, tha se për shkarkimin e presidentit Begaj, duhet një kërkesë nga ¼ e deputetëve të Kuvendit.

Ndërsa më tej Sefa tha se për shkarkimin e presidentit, duhen të votojë pro 2/3 e Kuvendit, pra 94 vota pro.

“Duhet me së paku ¼ e deputetëve të Parlamentit, që PD i ka për të bërë një kërkesë të tillë dhe një kërkesë e tillë duhet të mbështetet nga 2/3 e deputetëve, që i bie minimalisht 94 vota. Nuk besoj se PD-ja i ka këto 94 vota dhe duhet një akordim me mazhorancës, të cilët me zotin Balla, e bënë të qartë që nuk do ta mbështesin këtë nismë te opozitës dhe kjo kërkesë do të konsiderohet si e rrëzuar që në seancë plenare”, tha Sefa.

Sa i përket procedurës, Sefa tha se ¼ e deputetëve të PD, duhet të relatojnë shkresën me të cilën pretendojnë se janë shkeljet e presidentit. Ndërsa më tej avokati shtoi se edhe nëse bëhen 94 vota pro për shkarkimin e Begajt, është Gjykata Kushtetuese që vendos për fatet e presidentit.

“Bëhet një kërkesë nga ¼ e deputetëve të PD, të cilët do të relatojnë shkresën me të cilën pretendojnë se janë shkeljet e presidentit. Kuvendi do ta marrë në konsideratë këtë kërkesë dhe më pas do të vendosi nëse do ta pranojë apo jo. Pastaj, edhe në rastet kur Kuvendi e pranon këtë kërkesë dhe bëhen 94 votat e opozitës, atëherë kjo kërkesë i dërgohet Gjykatës Kushtetuese. Në rast e GJK rrëzon këtë kërkesë të Kuvendit, kemi të bëjmë me kërkesë së rrëzuar. Kemi rastin konkret të zotit Meta, ndaj të cilit janë bërë dy kërkesa për shkarkim nga Kuvendit dhe të dyja janë rrëzuar nga Parlamenti”, shtoi avokati.

Po ashtu Sefa theksoi se akoma nuk ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që vendimet e Presidentit, janë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Komisioni Hetimor mund të ngrihen nga opozita, por nuk ka lidhje me këtë procedurë. në rastin konkret, opozita ka pretendime se Begaj ka shkelur Kushtetutën në 7 raste, ndërkohë që ne nuk kemi sot një vendim të GJK që vendimet e presidentit janë në kundërshtim me Kushtetutën. Ne kemi një vendim të GJK për ndalimin e zgjedhjeve në Tiranë. Por Gjykata Kushtetuese që për mendimin tim në vitin 2022 ka dhënë një vendim, i cili tregon rrugën dhe se kur mund të bëhet një shkarkim i presidentit për shkeljet”, tha ai.

Sa i përket kërkesës së Presidentit për Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjet në Tiranë, Sefa tha se ky është detyrim i Presidencës, pasi është palë në këtë proces.

“Nuk e ka të drejtë presidenti, por e ka detyrim, pasi presidenti është palë në proces. Në kërkesën që ka bërë zoti Veliaj, ka kërkuar rrëzimin edhe dekretin e presidentit për shpalljen e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës. Në këtë moment GJK, iu cakton palëve afatin e nevojshëm, për të treguar se ku i mbështesin ata kërkesat e tyre. Në këtë rast kërkesa proceduriale, lidhet ngushtë me procesin gjyqësor, pasi GJK nuk është kompetente për këtë çështje. Kërkesa e presidentit është procedurale dhe është detyrë e presidentit që ta çojë një kërkesë të tillë”, tha Sefa.