Pëllumb Kulla: Shkrepëtima në vite

Pëllumb Kulla: Shkrepëtima në vite

Pëllumb Kulla

Nëse ndodh një revolucion në Shqipëri, historia e kësaj bote do të shënojë të parin revolucion të udhëhequr nga miliarderë. (Viti i Ri, Miami FL, 2018)

*     *     *

Kur la detyrën presidenti i fundit, u vu re se Shqipëria kishte më shumë Ndere Kombi, se shqiptarë të vaksinuar! (TemA, 2022)

*     *     *

Më shumë se sa burrë shteti, Enver Hoxha ngjante me një grua, që vit për vit mbetej me barrë. Gjersa mbylli sytë, kjo lloj gruaje, nuk pushoi që nuk pushoi së pjelli tradhtarët e vet! (Debat, 2021).

*     *     *

Fatos Nano në pleqërinë e tij në Austri, po boton veprat e plota. Njëra nga veprat, që po zgjon interes, është një libër i trashë me të gjitha faqet e bardha, boshe!... Nuk është difekt teknik i shtypshkronjës, por një publikim i plotë, dhe i hollësishëm i heshtjes së z. Nano në gjyq, kur akuzohej për vjedhjen e ndihmave italiane. Heshtja, botohet për herë të parë. (Shënime, 2020)

*     *     *

Një katundar zbriti në kryeqytet dhe pyeti se si mund të bëhej milioner edhe ai. Bëhesh, i thanë, po të merresh me politikë. Katundari pyeti se çfarë ishte kjo, politika. Ia shpjeguan, që është një zanat që ushtrohet duke u kujdesur për fatet e kombit. U bënë njëzet vjet tani, që ai, katundari, kujdeset vetëm për fatet e kombit! (Shou në Hartford CT, 2007)

*     *     *

President, në fund të fundit, janë të tjerët që të bëjnë. Ish-President, duhet të bëhesh vetë. Dhe nuk është aspak e lehtë! Presidentët shënohen që të gjithë në libra. Por ish presidentët, janë shumë të paktë ata, që mbeten në kujtesën njerëzore. (Bisedë me Mustafa Nanon, 2023)

*     *     *

Kur grave shtatzëna u vete mendja për limona, shegë, apo kumblla të tharta, plakat posepo, por edhe shkenca këshillon që duhet nxituar, t‘u plotësohet dëshira… Kësaj komshies shtatzënë, që kemi përballë, këto ditë i ka vajtur mendja për …qeveri teknike! (Bisedë me miq, 2024)/ Tema

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Aksident i rëndë në Korçë – Pogradec/ Përplasen dy makina, një i vdekur

Aksident i rëndë në Korçë – Pogradec/ Përplasen dy makina, një i vdekur