Pengimi me ligj i KLSH
veprim antikushtetues

Ndodhur përpara një fakti tashmë publik në lidhje me ndërhyrjet e bëra me ndryshime në dispozitat e projekt-ligjit për Kontrollin e Lartë të Shtetit(KLSH), nga ana e Komisionit të Ekonomisë së Kuvendit, ne si shoqatë “Lidhja e Kontrollorëve Shqiptarë”, e krijuar në vitin 2011, i drejtohemi Kryeministrit të Shqipërisë dhe çdo Deputeti të Kuvendit me këtë kërkesë publike: Mos ndërhyni, duke kufizuar me ligj të drejtën e KLSH për informacion! Po ta bëni, dhe po qe se ky gabim do të marrë votat në Kuvend, do të rezultojë në një nga gafat më të mëdha, të bëra në lidhje me realizimin e misionit të Shtetit Shqiptar, gjithmonë e më të dallueshëm e më të kërkuar në luftën e tij ndaj korrupsionit.

Ajo që na shqetëson më tepër, është fakti flagrant i moslejimit nëpërmjet ligjit, që pritet të miratohet nga ana e Kuvendit, i  institucionit të KLSH për të kontrolluar, audituar punën e zyrave të taksave dhe tatimeve të Republikës së Shqipërisë. Kjo, me arsyetimin më absurd në botë, se KLSH nuk duhet të ketë akses në të dhënat personale të subjekteve taksapaguese. Por, kur ky institucion ka akses (dhe të pakufizuar) në të dhënat personale të subjekteve që paguajnë doganat, pse e lejoni?! Në një kohë që, sipas nenit 162 të Kushtetutës, KLSH është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomiko-financiar.

Në një kohë që, Parimi i 4-t i Deklaratës së Meksikos (Standardi 10 i standardeve nderkombetare INTOSAI) e thotë qarte: qasje e pakufizuar në informacion për çdo KLSH në botë. Dhe, në një kohë kur, nga ana e këtij institucioni kushtetues, nëpërmjet projekt-ligjit të paraqitur po prej tij, nuk po kërkohet të kontrollohet subjekti privat, por puna e taksambledhësve të shtetit. Kjo flagrancë/shkelje e parë bëhet për të justifikuar të dytën: ”Mos lejoni KLSH-në të auditojë administratën tatimore!”

Nën zë dhe nëpër media, një gjë e tillë është justifikuar me një arsyetim shumë grotesk se, nga ana e punonjësve të KLSH është abuzuar, kur kanë kontrolluar këto taksambledhës të shtetit. Nuk hezitojmë ta quajmë të drejtë edhe këtë arsyetim, pasi, kur flitet për ligj, edhe hipotezat duhen dhe janë të nevojshme të  merren parasysh. Rezultati i marrjes parasysh të kësaj hipoteze është se: Në KLSH që nga krijimi modern i saj, viti 1998 (aprovimi i Kushtetutës), ka funksionuar një drejtori me rreth 10 auditues, që kanë kontrolluar taksat dhe tatimet deri në vitin 2007, pra rreth 9 vjet. Sa ka qenë ky abuzim, që paska ndodhur, kur dihet se si qëndron raporti në krahasim me numrin e taksambledhësve të shtetit?

Në rast se ka pasur abuzim nga këta punonjës dhe u kërkuaka që të përjashtohet me ligj auditivi, atëherë me këtë logjikë nuk duhet të kishte fare zyrë taksash e tatimesh, po të kihet parasysh abuzimi nga nëpunësit e tyre gjatë gjithë kohës. Pse harrohet të tregohet fakti se institucioni i KLSH nuk është lejuar prej 6 vjetësh të kontrollojë në këto struktura? Po kur në treg prej 6 vitesh paska munguar një “hajdut”, a u bë në këto vite ndonjë rritje e performancës së administratës tatimore në drejtim  të mbledhjes më të mirë të detyrimeve të Shtetit?

Po të kishte ndodhur një gjë e tillë, me të gjithë gjasat nuk do të kishte pasur këtë perceptim popullor e ndërkombëtar e nuk do të kishte pasur as ndryshim pushteti. Ajo që ka ndodhur është gjëja më unikale në Europë, është gjetur një ekuilibër i përsosur i trekëndëshit politikë- taksambledhës-taksapagues. Që për këdo që ndërhyn në të, dhe për KLSH, është si trekëndëshi i Bermudës me koordinata fiks mbi “Kuletën” e Shtetit.
Ligji i Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk është një ligj i thjeshtë, por një ligj që miratohet me 3/5 e votave të Kuvendit, gjë që tregon për rëndësinë që ka ky ligj dhe për pamundësinë në të ardhmen e afërt për t’u riparuar, nëse diçka bëhet gabim sot.

Por çfarë sjell ky moslejim i KLSH për të kontrolluar? Ne mendojmë se, me të njëjtën logjikë, KLSH nuk duhet të auditojë as edhe të ardhurat nga Administrata Doganore. Gjithashtu, shumë shpejt nuk do të duhet të kontrollojë as edhe zyrat e taksave të pushtetit lokal, megjithëse pritet që, sipas reformës territoriale administrative, këto zyra të jenë mjaft të fuqishme, pasi do të jenë mbi bazën e territoreve më të mëdha. Pra, përfundimi: KLSH, si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomiko- financiar të Shtetit, nuk do të mund të kontrollojë punën, performancën e nëpunësve të këtij Shteti për arkëtimin e të ardhurave, si nga tatimet dhe nga doganat.

Për pasojë, Kuvendi  dhe, më e rëndësishmja, publiku, do të shërbehet me të dhënat e vetë taksambledhësve. Për arsye se të kontrollosh shpenzimet e shtetit e të mos kontrollosh të ardhurat, e pastaj të të kërkojnë të çertifikosh “diferencën” (Buxhetin e Shtetit, sipas kërkesës së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, germa: “a”, pika: 1, e Nenit 164) nuk do të thotë gjë tjetër veçse një çertifikim farsë. Kaq logjikë e thjeshtë është kjo, sa dhe në  mbretërinë e Zogut para gati treçerek shekulli (viti 1929) parashikohej që: “Kontrolli prevenditiv si dhe kontrolli konsumativ i gjithë të ardhurave dhe harxhimeve të shtetit bëhen prej Këshillit Kontrollues, i cili në ushtrimin e detyrës është i pavarur”.

Edhe Mbretëria i kishte garantuar këtij institucioni pavarësi në kontrollin e të ardhurave e shpenzimeve të Shtetit. Kurse sot nga KLSH si një agjenci e Kuvendit (pra jo e pavarur, sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese) në zbatim të detyrave kushtetuese dhe detyrimeve ndërkombëtare dhe i çertifikuar prej tyre, paraqitet për miratim një ligj që, për këtë pikë nuk kap as parametrat e dispozitës së Mbretërisë së Zogut e megjithatë nga Komisioni i Ekonomisë së Kuvendit ndërhyhet duke e eliminuar jo dispozitën, por gjithë misionin e këtij institucioni Kushtetues që e thjeshtuar është: Dhënia e një garancie të arsyeshme jo vetëm pushtetit, por të gjithë publikut, për vërtetësinë e të dhënave financiare të Shtetit. Prandaj neni 162 i Kushtetutës e vendos KLSH si institucionin më të Lartë të kontrollit ekonomiko-financiar të Shtetit. Si është menduar, kush do t’ia japë këtë garanci publikut? Kush do të kontrollojë tatimet, nëse nuk e bën KLSH-ja?  

Gjithashtu, në ligj parashikohen dhe ndryshime të tjera, sigurisht, merret me mend, në kontrollin e strukturave të stafit të KLSH, nëpërmjet Kuvendit. Demek do të vijnë njerëz të zot në punë, do të vijnë nga radhët e partive. Kështu është menduar garantimi i pavarësisë së këtij institucioni?! Kjo bie ndesh me sloganin e deklaruar publikisht nga Kryeministri: “Hajde ta bëjmë Shqipërinë, ku një profesionist të jetë më i rëndësishëm se një Kryeministër”.

Institucionet e Kontrollit e çdo profesionist përparon vetëm nëpërmjet oponencës së punës së tyre dhe jo me narkozë. Kjo dëmton të shërbyerin, por jo vetë profesionistin.
Miratimi i ligjit “Për organizimin e funksionimin e gjumit të KLSH” nga ana e Kuvendit nuk dëmton KLSH dhe as profesionistët brenda tij, por sjell një “të mirë” shumë të madhe, gati gati një “arritje” për popullin Shqiptar.
E çuditshme, për nëpunësit e këtij institucioni është, se si kjo klasë politike, megjithëse e ka ndjerë dhe e ka parë që institucioni i KLSH këto dy vitet e fundit është ringritur, ka punuar e po punon aq fort në të gjitha drejtimet në përmbushje të misionit të tij kushtetues, dhe se si e sa dhe ndërkombëtarët, në të gjitha aktet e tyre të fundit vetëm e lavdërojnë (vlerësojnë) punën e tij, kjo klasë politike, jo vetëm nuk krenohet, por kërkon që ky institucion të kthehet me ligj në kohën e gjumit. Në një kohë, që gjithë bota e përparuar kërkon luftë ndaj abuzivizmit e korrupsionit.  

Se ku përfundon Shteti, kur nuk ka kontroll të pavarur, këtë e dinë më mirë pushtetarët që mbajnë dhe bizneset e tyre, nga përdorimi i pushtetit. Por duhet ta dinë dhe ndërkombëtarët, të cilët  kanë dhënë asistencë  për përgatitjen e  ligjit që ka paraqitur KLSH. Të mos kontrollohesh është gjëja më e mirë që mund të ëndërrojë kushdo, që nga një fëmijë në shkollë. Po kështu ëndërruan dhe grekët, në dramën e tyre të sotme...
Në respekt të punës sonë të deritanishme si auditues.

Plotësisht të ndërgjegjshëm për atë që ky institucion ka arritur e ka objektiv për të arritur në përmbushjen e misionit të tij. Në harmoni të plotë me kërkesat kushtetuese e detyrimet ndërkombëtare. Aspak të pezmatuar, por këmbëngulës për të mos humbur kohë në ndërtimin e institucionit modern të auditivmt më të lartë Shtetëror. Duke mos dëshiruar të shohim audituesit tanë, duke vrapuar në sportelet e partive për tesera anëtarësie, ne si shoqatë “Lidhja e Kontrollorëve Shqiptarë”, shoqëri civile profesionistësh, po përpiqemi sot, vetëm të japim një sinjal  “SOS” nga KLSH, në mënyrë që nesër të mos pretendoni që t’ju kërkojmë sinjalin e kutisë së zezë të Shtetit.
 
Kryetar i shoqatës “Lidhja e Kontrollorëve Shqiptarë”

Shkrimi u publikua sot (23.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Kontrabandë bagëtish dhe cigaresh nga Greqia, 2 të arrestuar dhe 2 të tjerë nën hetim

Korçë/ Kontrabandë bagëtish dhe cigaresh nga Greqia, 2 të arrestuar dhe 2 të tjerë nën hetim