Gjykata e Tiranës ka lënë në masën e sigurisë “arrest në burg” dy vëllezërit Jurgen dhe Kevin Neza dhe kushëririn e tyre Hysen Neza, të cilët morën peng ndërtuesin Florian Sula pak ditë më parë.

Tre të arrestuarit nuk kanë folur në sallën e gjyqit, por avokati i tyre mbrojtës ka pretenduar se ata nuk e kanë marrë peng Sulën, por ky i fundit i kishte atyre një borxh 60 mijë euro dhe se e morën me automjet për tu sqaruar.

Avokati ka pretenduar se të mbrojturit prej tyre kur kanë konstatuar se Florian Sula ka qenë në pamundësi financiare për ti kompensuar shumën e parave e kanë lënë të lirë.

Njëri prej tyre, theksoi mbrojtja është vetëdorëzuar pasi mësoi që ishte në kërkim, ndërsa dy të tjerët kanë qenë në momente depresioni dhe nën efektin e lëndëve narkotike, por nuk paraqiti dokumentacion në gjykatë për ta vërtetuar këtë pretendim.

Tre të arrestuarit pak ditë më parë, u prezantuan si agjentë të BKH dhe rrëmbyen 32-vjecarin të cilin e mbajtën për disa orë peng në një subjekt privat.

Sipas hetimeve paraprake, në 31 mars tre të rinjtë rrëmbyen , dhunuan dhe i kërkuan Florian Sulës 2 milionë euro në këmbim të lirimit të tij.

Sula i premtoi tre personave se do t’i jepte një shumë prej 500 mijë euro, por biznesmeni pas lirimit denoncoi rastin në polici.

Lajmi në përditësim....