Kjo vjen si një nismë e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë për të promovuar kërkimin shkencor, e quajtur ndryshe Inisiativa e Ekselencës e cila do t’i shërbejë krijimit të një profili shkencor të fakultetit dhe në një të ardhme të afërt, të forcojë pozicionin e tij si një institucion shkencor në rajon. Në katër ditë, ky kongres u dha mundësinë të rinjve shqiptarë të paraqesin punimet e tyre në një audiencë internacionale. Disiplinat e kërkimeve të paraqitura varionin nga mjekësia, kirurgjia, shëndeti publik, biologjia, farmacia, stomatologjia etj.
Jana Nano, drejtuese e Komitetit Organizativ shprehet ”Qëllimi i Kongresit ishte promovimi i Kërkimit Shkencor në vendin tonë, si një hallkë e rëndësishme në përmirësimin e cilësisë së shërbimit mjekësor që i ofrojmë pacientëve tanë. Të gjitha punimet u prezantuan në anglisht, çka përbënte një sfidë të madhe të kapërcyer suksesshëm nga pjesëmarrësit. Sot, anglishtja është gjuha e shkencës duke e bërë atë një domosdoshmëri themelore në shkëmbimin e njohurive dhe eksperiencave profesionale me kolegët kudo nëpër botë. Ky kongres përbën një platformë komunikimi të rëndësishëm, e cila do të prodhojë ide të reja, partneritete dhe sinergji në proceset e kërkimit shkencor në vendin tonë”
Taulant Muka, gjithashtu një nga drejtuesit e punimeve të Kongresit, theksoi faktin e mungesës së një infrastrukture të mirfilltë për Kërkimin Shkencor në Shqipëri. “ Ka shumë punë ende për të bërë. Në Shqipëri mungojnë statistikat elementare për të evidentuar problematikat kryesore që drejtojnë politikat e shëndetit publik. Me këtë kongres menduam të themelojmë një traditë akademike e cila jo vetëm i shërben universitetit-si një institucion kërkimor, por shkon edhe më tej, si një ngjarje që prodhon evidenca të reja për mjekësinë shqiptare.
Të ftuar specialë, figura prominente të kërkimit shkencor në universitetet më të mira të botës si McGill-i i Kanadasë, Ludvig-Maximilians i Mynihut, Universiteti i Roterdamit, Hollandë etj, mbajtën kumtesat e tyre duke ndarë me pjesëmarrësit eksperiencat dhe njohuritë nga institucionet që kanë shkruajtur historinë e shkencës botërore.
DIABETI
Trajtimi me Insulinë, zgjidhje e së djeshmes
Një nga të ftuarit e nderit ishte Dr. Lawrence Rosenberg nga Jewish Hospital, McGill University, Kanada. Ai drejton në spitalin universitar të Montrealit departamentin e kirurgjisë. Dr. Rosenberg solli në Tiranë eksepriencën e tij 30 vjeçare në studimet për diabetin. Së bashku me disa kolegë të tjerë, ata zbuluan ekzistencën e një protein endogjene e cila ka aftësi të mira rigjeneruese në qelizat pankreatike. Kontributet e tij shkencore në fushën e rigjenerimit qelizor të pankreasit janë vlerësuar me çmime të shumta në kontinentin e largët.
”Në laboratoret tona ne kemi zbuluar një proteinë e cila rigjeneron qelizat që prodhojnë insulinën. Kjo do të thotë që jemi tashmë shumë afër kurës së diabetit. Insulina nuk e trajton përfundimisht sëmundjen. Ajo është vetëm një zëvendësuese e hormonit natyral të organizmit. Ne po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për pacientët me diabet.
Implantimi i qelizave rigjeneruese të pankreasit, të afta të zëvendësojnë qelizat e dëmtuara dhe të prodhojnë insulinën, duket se është çelësi i zgjidhjes së epidemisë botërore të diabetit.Shumë shpejt, trajtimi me insulinë do të përbëjë vetëm zgjidhjen e së djeshmes”.
Eni Nano, doktorante e të njëjtit Institut në Kanada shprehet “ Mjekësia rigjeneruese është tashmë trendi më i fundit në shkencë. Ajo ka një potencial të madh për t’i dhënë zgjidhje shumë sëmundjeve kronike si diabeti, sëmundjeve të zemrës etj. Jam shumë e kënaqur që jam këtu sot të ndaj eksperiencën time me kolegët shqiptarë.
Diabeti është diagnoza e tretë më e shpeshtë në Shqipëri dhe shumë pacientë arrijnë të diagnostikohen vetëm në fazat e ndërlikuara të sëmundjes. Ka shumë për të bërë sidomos në fushën e promocionit dhe edukimit shëndetësor. Tashmë diabeti konsiderohet si një sëmundje kronike dhe studiuesit po punojnë fort për të gjetur një zgjidhje përfundimtare nëpërmjet qelizave staminale”.
FORMATIMI I MARRDHËNIES MJEK-PACIENT
Dr. Brigitte Strahwald nga Universiteti i Mynihut “Ludwig Maximilians Universitat”, theksoi rolin e rëndësishëm që ka komunikimi mjek-pacient në vendimarrjen terapeutike. Një element i rëndësishëm i këtij të fundit është pikërisht komunikimi i riskut që mund të ketë pacienti nga vet sëmundja, nga ndërhyrjet kirurgjikale apo efektet e padëshiruara të medikamenteve.
“Komunikimi efektiv i riskut qëndron në themel të konsentit të informuar të pacientit në lidhje me zgjedhjen terapeutike. Në mjekësi, risqet janë shumë herë më të larta dhe komplekse sesa në situata të tjera. Prandaj është e rëndësishme që çdo mjek të jetë i aftësuar me strategjitë e komunikimit të riskut me pacientët e tij
MJEKWSIA E PERSONALIZUAR, E ARDHMJA
Dr. Abbas Dehgan nga Qendra Mjekësore e Roterdamit, Hollandë përshëndeti Kongresin me një leksion dedikuar studimeve mbi gjenetikën. “Studimet në qendrën tonë kërkimore janë të orientuara drejt gjenetikës.
Ne po ekzaminojmë variantet gjenetike të mijëra individëve për të zbuluar lidhje midis sëmundjeve madhore të ditëve të sotme dhe trashëgimisë gjenetike. Modeli mjekësor i së ardhmes drejtohet nga mjekësia e personalizuar çka do të thotë që të gjitha vendimet mjekësore terapeutike, do të aplikohen sipas karakteristikave gjenetike të pacientëve. Kjo është e ardhmja e mjekësisë.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.05.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)