'Për të ngritur flamurin, pa yllin komunist, vendosëm të çanim duart dhe me gjak të lyenim copën e bardhë...', dëshmia e rrallë e organizatorit të Revoltës së Spaçit

'Për të ngritur flamurin, pa yllin komunist, vendosëm të çanim duart dhe me gjak të lyenim copën e bardhë...', dëshmia e rrallë e organizatorit të Revoltës së Spaçit

 Janë publikuar dëshmitë e panjohura të Bedri Çokut me origjinë nga fshati Muçias i rrethit të Lushnjes, i cili që në moshën 19 vjeçare teksa kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Gjirokastrës, u arrestua nga dy oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe pas një gjyqi publik “demaskues” me akuza të montuara në kinemanë e atij qyteti, u dënua për agjitacion e propagandë së bashku me vëllanë e tij, Çaushin, për të vetmin “faj” se babai i tyre, kishte vuajtur disa vjet si i burgosur politik në kampet e punës së detyruar nga ku ishte liruar në vitin 1959. Dëshmitë e rralla të Bedri Çokut që bëri 24 vjet në burgjet e Spaçit, Burrelit e Qafë Barit dhe së bashku me dy vëllezërit, Esatin dhe Çaushin si dhe babanë e tyre, Azemin, vuajtën plot 64 vjet burg në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u liruar vetëm në shkurtin e vitit 1991. Kujtimet e Bedri Çokut të përshkruara me mjeshtëri në librin e tij “Kryengritja që tronditi diktaturën”, e cila i kushtohet kryesisht Revoltës së Spaçit në majin e vitit 1973, ku ai si një nga organizatorët kryesorë të saj, hedh dritë për herë të parë duke bërë publike disa ngjarje dhe fakte të panjohura nga ajo revoltë ku u ngrit flamuri pa yllin e kuq të komunizmit, e deri tek puna e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Kampeve dhe Burgjeve pas viteve ’90-të, ku ai “arrestoi” shokun e tij të ngushtë, bashkëvuajtësin e kampeve dhe burgjeve të diktaturës dhe e dërgoi në qelitë e ‘Burgut 313’ të Tiranës, ku vuanin dënimin pjesa më e madhe e ish-Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së me në krye Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën.

Kryengritja që tronditi diktaturën

(Bazuar mbi një histori të vërtetë)

“Për të ngritur flamurin, pa yllin komunist, unë shpreha mendimin se, në pamundësi për të gjetur një çarçaf të kuq, të çanim duart dhe, me gjakun tonë, të lyenim copën e bardhë…! I pari që çau dorën me thikë, ishte vëllai im, Çaushi, i dyti Gëzim Medolli, Bedri Çoku, Gjet Kadeli, Ulsi Pashollari, e të tjerë…”

Shpresonim shumë të Sigurimi dhe Bashkëpunimi Europian i cili po realizohej me një shpejtësi marramëndëse nën kujdesin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me të drejtë i gjithë njerzimi po priste me padurim çastin e madhe historik. Firmosjen për Mirkuptimin e Popujve të Europës, shteteve demokratike perëndimore dhe atyre komuniste të Lindjes, të cilat vuanin ende nga regjimet diktatoriale, për të vendosur së bashku një rend të ri paqeje dhe bashkëpunimi në botë. Shpresonim se edhe Shqipëria me këtë rast. Do të firmoste në Helsinki këtë Akt për fatet e njerzimit, si përfaqësuese e kësaj Organizate Politike Ndërkombëtare. Kishim bindjen se vendi ynë edhe pse i pa krahësueshëm me vendet e Lindjes, me hir, a me pahir, do t’i bashkohej Traktatit të Paqes dhe Bashkëpunimit me Europën (OSBE).

Si e “arrestova” shokun tim të burgut, Luan Burimin…?!

– Nga flet që mund të orientohem disi? – i thashë.

– Nga shtypshkronja “Naim Frashëri”, ma ktheu si me mburrje.

– Ah, qenke ti! Po si guxon të më marrësh sot, në telefon? Harrove që para një viti më mashtrove dhe s’ke kërkuar ende të falur?

Ishte Daut Gumeni, drejtori i shtypshkronjës së vetme në Shqipëri.

– E, mo’…të shkuara të harruara…! E diskutojmë herë tjetër këtë muhabet. Të kam marrë për tjetër punë…! Këtu, në zyrën time, është një nga bashkëvuajtësit…! Një ish miku yt…! Një legjendë e revoltës së Spaçit. Një laçko shumë i dashur për ty…!

– Ohu! – klitha nga habia dhe tronditja. Jo pa qëllim ai përmendi fjalën “Laçko”, fjalë të cilën e kishte në gojë Lukja, sa herë u drejtohej njerëzve që donte e respektonte. Kolonjarët fjalën “Laçko” e kanë shkurtimin e “vëllaçko”, me përkëdheli…!

– Lukia, Lukiaaa…., në zyrën tënde?!

– A do të flasësh me të?

– Jo, jo! Të lutem, mos i thuaj gjë…! Po vij vetë aty. Për dhjetë minuta…!

– Hajde, se ti ke dhe rrokoçile (makinë) me katër Rrota…! Po të presim.

Lajmërova oficerin e rojës të përgatiste menjëherë njërin nga autoburgjet, me tre ose katër policët e shoqërimit…!

– Dhe m’í dërgo menjëherë në zyrë, policët! – e urdhërova. Luken e thërrisnin “Laçko” në burg, ngaqë ai sa herë bënte ndere, apo jepte këshilla, thoshte: “Ke Laçkon këtu…”, ose…“Dëgjo Laçkon për këtë…”!

– “Dëgjoni këtu’ – u thashë policëve trupmëdhenj e të shkathët. ‘Do të shkojmë te Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, për të “arrestuar” një person të rrezikshëm. Është paksa i fortë e i përgatitur, pasi është efektiv me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në Gjermani”. – ia këputa. “Ju jeni katër të fuqishëm. Do t’a mposhtni sa hap e mbyll sytë. Por, ju lutem, pa e lënduar, se ai është një nga miqtë e mi më të shtrenjtë, i përvuajtur në burgjet e diktaturës komuniste”.

– Mirë që na the, shefo, se u përgatitëm për t’a shqyer me duart tona…!

Jo pa qëllim shkuam me sirena dhe drita të ndezura, deri sa Autoburgu dhe makina ime u parkuan pranë ndërtesës me tre kate. Shkallët i ngjitëm me një frymë deri në katin e dytë. Policët, dy para, dy prapa, më shoqëruan në korridorin e gjatë. Papritur, dikush lëvizi me shpejtësi dhe u zhduk në hyrjen përballë derës së drejtorit. Nga ecja, e pikasa që ishte Lukia. Më rrahu zemra fort, por ama dëshira për “ta ndëshkuar” në një farë mënyrë, m’u shtua. Urdhërova policët ta merrnin njeriun që u fut në zyrën përballë zyrës së drejtorit…!

Më vonë Lukia më tregonte se ishte fshehur, ngaqë donte të bënte surprizë, kur të isha duke e kërkuar në zyrën e drejtorit. I kishte thënë vetë ai, drejtori, të fshihej pasi kishte dëgjuar sirenat e makinave. Në korridor doli i tronditur dhe i befasuar, kur u gjend para këmbëve të mia i shtrënguar nga duart e fuqishme të policëve. S’po u besonte syve. Isha unë shoku i tij i ngushtë, i viteve në skëterrën komuniste, apo ndonjë pushtetar tjetër, i keqkuptuar për arrestimin e tij…!

– A jeni ju, Luan Burimi? E pyeta me pamje të rëndë e serioze. Veshur me një kostum të derdhur, ngjyrë kremi, Lukia tregonte më i ri në moshë. Hapte dhe mbyllte sytë, duke afruar kokën pranë fytyrës sime.

– Po ti, a je Bedri Çoku, shoku im…miku im?!

– Nuk u jap llogari njerëzve si ty, me precedentë penalë. Jeni i arrestuar dhe duhet të vini me ne…! Ai bëri të qeshte gjoja për lojën nga ana ime, por krahët e fuqishëm e ngritën përpjetë dhe e morën me vete.

-Ore,jeni në vete ju, apo jo?…Keni ngatërruar adresë…! Nuk jam unë, ai që kërkoni…! Jetoj në Gjermani…! Kam qenë i burgosur politik…!

Duke zbritur shkallët, policët e mbanin në ajër peshën e trupit të hollë e të gjatë, aq sa majat e këmbëve të atij trupi, në fluturim, mezi arrinin të preknin shkallinat. Sa here kalonte pushimin e shkallëve, ai kthente kokën nga unë me buzët e mbledhura. Sa s’plaste nga marazi që nuk i jepja të njohur dhe policët po e tërhiqnin peshë nëpër shkallë…! Më vinte për të qeshur teksa e shikoja të ngritur në ajër. Por e kapërceja duke u folur policëve të mos kishin mëshirë për një njeri që ka tradhtuar shokët e burgut, që s’ka ditur të mbajë fjalën dhe zhduket nga vendi i vet, si një kriminel…!

– Nëse je ti, Bedri Çoku, që kam njohur, atje, ku njihen burrat – thoshte ai me zë të lartë – dije se je duke bërë një veprim të gabuar e do të pendohesh. Po qe se je tjetër njeri, pushka top tu bëftë! Mua më hëngri m…., Enver Hoxha me zagarët e tij, jo ma…!

– Atë do ta shohim kur të jesh edhe një herë në birucën e ‘Burgut 313’…!

Isha i bindur se ai nuk kishte siguri të plotë që isha unë, Bedri Çoku. Kishte të drejtë. Veshur me kostum e kollare të modës, dhjetë vjet më i ri se ai. në kushte normale, i shëndetshëm, me pamjen e një nëpunësi të lartë dhe flokë të rritur…! Ndryshe në burg, i tretur, i veshur gjithmonë me një uniformë, kokëqethur, pas kaq vitesh, çdo njeri do të ndryshonte. Edhe Lukja kishte ndryshuar. Rruar e veshur si një qytetar europian, paksa i kërrusur, unë e njoha vetëm nga ecja. Në korridor vura re se vllanat e vuajtjeve shpirtërore, i kishte ende në fytyrë.

E çuam drejt e te burgu i sigurisë së lartë, ku ndodheshin ne paraburgim krerët e diktaturës komuniste, midis tyre Ramiz Alia, ish sekretar i parë i Komitetit Qendror, pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit, Prokurori i Përgjithshëm i diktaturës, si dhe disa nga byroistët e Komitetit Qendror…!

Policët i urdhërova që ta fusnin në zyrën e drejtorit të “Burgut 313” dhe të prisnin deri sa të veja unë. E pata të vështirë t’i qëndroja idesë, e cila më lindi rrugës, për në “Shtypshkronjë”, lidhur me surprizën që do t’i bëja atij. Ngaqë m’u duk se e teprova për mënyrën time të sjelljes, deri sa e prura këtu, mezi po duroja që ta përqafoja tani që e kisha kaq pranë, dhe gjallë…!

Megjithatë, rojet më thanë se ai ishte ulur në karrige dhe pinte duhan. Ndizte e shuante cigaret, i shqetësuar e në pritje të ankthshme. I numërova hapat deri afër derës së zyrës, ku ndodhej ai. Pastaj numërova sekondat deri sa vendos të hyja në zyrën e drejtorit. As vetë nuk e kuptova pse e godita derën me shqelm, që të hapej me rrapëllimë.

Instinktivisht imitova, hetuesit e dikurshëm të diktaturës. Ai u çua në këmbë trimërisht, duke parë policët e fuqishëm të rreshtuar në të dy krahët e mi.

– E kontrolluat mirë këtë njeri, apo jo? – Pyeta gjoja i nervozuar – Është nga të burgosurit politikë që kërcente nëntë metra në ajër dhe ua merrte automatikun truprojave në rrethim…!

– Sa mirë më njohke more, zoti Komandant i Burgjeve…!

– Mos më fyej se e paguan shtrenjtë, pastaj…!

– Nuk po të fyej. Po them të vërtetën. Vetëm një i burgosur politik në diktaturë, i di përmendësh këto përralla të asaj kohe. Fatmirësisht, sot qenka me pushtet, me roje, për të arrestuar e torturuar bashkëvuajtësit…! Turp të kesh, nëse je Bedri Çoku që kam njohur dikur…!

– Turp të kesh ti, nëse je Lukja, ai që kishe lidhur një besë me mikun tënd më të mirë. Ike nga Shqipëria si besëthyer. Dhe s’pate pesë lekë në xhep sa për të bërë një telefonatë, apo telegram…! Lëri dënglat dhe nxirri nga xhepat ç’ke!

– Ke të drejtë. Fajin e paskam përsëri unë që erdha në Shqipëri për të takuar shokët e miqtë e mi. Për të botuar poezitë e krijuara me gjak e lot në galerat e qelbura dhe mes mureve të trashë të burgut të Burrelit…! Por më paskan shkuar dëm, jo vetëm vuajtjet, por edhe ato që bëmë për 25 vjet. Na thoshin se ka fituar demo-kra-cia e vërtetë. O, të bukur demokraciii…iii! Dhe më ra shpatullave, i zhgënjyer.

– Nxirrjani të gjitha sendet personale dhe mbani process-verbal, t’í marrë të rregullta, kur të lirohet nga burgu!

– Në burg do të të fus unë ty! Sepse më ke terrorizuar, mua, një qytetar i Republikës Gjermane…! Do ta shohim!

– Qytetar i Republikës Gjermane, është bërë sot edhe një…, njëlloj si ty. Patriot i madh, që braktise vendin tënd për interesat e tua personale…!

– Posi, do të rrija këtu, me ju komunistët, që u bête demokratë brenda një nate. E shohë çfarë demokrati qenke! Me siguri, ndonjë sekretar partie ke qenë, ose Kryetar Dege. Ndryshe nuk do të ishe gëzuar kaq shumë për riburgosjen time…!

– Patjetër, sepse burgu për tradhtarët është…! Merreni dhe kalojeni te biruca ku mbajmë të paraburgosurit. Dua ta mbyll me duart e mia këtë tradhtar, se ka ardhur nga Gjermania për të përmbysur shtetin tonë demokratik…!

– Ha, ha, ha…! Paskeni shtet demokratik, ju? Për të burgosur njerëz të pafajshëm si puna ime…!

– Pikërisht, prandaj të kam arrestuar, për të të treguar…, se cilët janë ata të pafajshëm, si puna jote, që arrestojmë ne. Por shko njëherë atje ku duhet të shkosh!

Policët e morën me inat dhe ai ecte duke parë nga unë, i penduar dhe gati për të qarë…!

E gjeta atje ku i porosita policët. Roja i brendshëm rrinte pranë derës me çelësat e birucës në duar.

– Hape!- Urdhërova.

Dera e rëndë krakëlliti…! Brenda në birucë u ngrit në këmbë një njeri i moshuar, i bardhë, i hequr në fytyrë dhe me sytë që i shkreptinin nga inati. Ai po vështronte me dyshim e kureshtje nga ne. Unë i thashë Lukes:

– A e njeh këtë njeri, o promethe i burgjeve komuniste?

– Pse duhet ta njohë? Me siguri tradhtar si puna ime duhet të jetë?

– Ky është Ramiz Alia, diktatori i dytë i Shqipërisë, pasardhësi i Enver Hoxhës…! Lukes i ngrinë sytë dhe s’po fliste dot nga habia. Një çast u bë sikur të ishte prej mermeri…!

– Ramizzz Aaaliiaaa…! -Klithi.

– Enver Hoxha dhe ky, e therën babanë tënd, e bënë copa – copa, vetëm pse ishte nacionalist dhe donte Kosovën e Çamërinë. Edhe mamanë tënde këta e mbytën në kënetën e Nartës, e lanë qyqare kur të burgosën ty dhe ia larguan gruan e fëmijët e tu. Pyete diktatorin, e meriton ky njeri të jetë në burg e ti të jetosh i lirë, në vendin tënd?

Mesiguri, Lukja po përjetonte çaste të jashtëzakonshme, përballë diktatorit, pikërisht aty ku ai, vetë kishte vuajtur me dekada. Në sytë e tij të skuqur, u zmadhuan bebzat e zeza. U kthye nga unë: – Po, po! Ti qënke Bedri Çoku…shoku im…, miku imi paharruari! Oh, ç’dhuratë më paske bërë, o Zot i vërtetë! Kjo që po më ndodh mua vetëm vullneti yt është!

U kthye nga Ramiz Alia.

– Të lutem, qasu se dua të të shohë në dritë, o Perandor i shekullit Njëzetë! O, udhëheqësi i botës! Eja, eja! Dua të të prek me dorë…! Sa kam ëndërruar të të kem kaq pranë, të të nduk me këto duar që më janë holluar nga prangat gjermane. Njeri qënke më duket, prej mishiii! Prej kockeee qënkeee! Po, po, kështu qënke, si gjithë ne të tjerët! Paça faqen e zezë që të paskam besuar perëndi! O zot që po vështron nga qielli ! M’i bëjë hallall sharjet që t’i kam dhënë sa herë më fusje thikën në zemër, me duart e këtij perandori shqiptar…!

U kthye nga polici dhe pyeti: -A shkon në banjë ky njeri, o polic? A ushqehet si ne? I ha fasulet, orizin dhe makaronat me krimba, siç i kemi ngrënë ne? Më rrofsh, more polic! Uratat e mia që më tregove një sekret kaq të madh…! Po, po, njëlloj si ne qenka…!

U kthye prapë nga Ramizi: – A ke pasur nënë, more Ramiz Alia? Po baba? Po fëmijë, a ke lënë prapa? Ku i ke ata? T’i kanë internuar qeveritarët e sotëm? Të dhimbsen fëmijët tani që e kanë babain në burg…? A kanë fëmijët e tu për të ngrenë? Po për të fjetur ku shtrihen të shkretët? I ke të vegjël apo të rritur? Gjynah, janë të pafajshëm. Ç’faj kanë ata pse babai i tyre është kriminel, ka vrarë e burgosur njerëz, i ka varur në litar pse shkruanin poezi apo tregime kundra pushtet popullor. Apo t’i kanë futur në ndonjë kasolle dhishë, që të vuajnë prej urisë e të ftohtit, si bijtë e një kulaku…! Më falë…, të një diktatori që ka sunduar mbi bashkëkombësit e vet? Po sikur të t’i kenë çuar në burgun e Spaçit, apo të Qafës së Barit, ku i detyrojnë të punojnë në minierë, vetëm për një copë bukë e lëtyre të gatuar me margarinë, vetëm pse babai i tyre është me “Biografi të Keqe”

Tani që je këtu, a të bie ndërmend për Luken, Bedriun dhe qindra mijëra si ne, që i burgosët, I internuat dhe i latë fëmijët e tyre pa baba, pa nënë? Sa here ke deklaruar në mbledhjet e byrosë politike, para se të “bije nga kali”, për të mos i lënë armiqtë të marrin pushtetin dhe fëmijët e tyre, mundësisht t’i largonit sa më shumë të jetë e mundur nga Shqipëria; kur thoshe se: “Dyzetë vjet me radhë ua kemi vrarë e burgosur baballarët”.

Sundove gjysmë shekulli dhe rrënove tre breza nga familjet fisnike e patriote të Shqipërisë. Grabite pronarët dhe zhduke intelektualët më të mirë, të arsimuar në vendet perëndimore. Vrave palcën e kombit, që kishte bërë historinë e racës sonë ndër shekuj, duke ruajtur me shumë sakrifica nderin dhe traditën e popullit nga kishim ardhur. Pse e tradhtuat kaq poshtërsisht këtë popull? Kush ua mësoi që duke qenë kundra shqiptarëve dhe Shqipërisë, mund të sundonit gjatë mbi këtë popull?

Përse e shpikët “Luftën e klasave”, duke i dënuar shqiptarët që në bark të nënës? Kujt i shërbeu ajo luftë e mallkuar që i ndau shqiptarët në “të mire” e në “të këqinj”? Përse e përqafuat aq shumë përçarjen dhe urrejtjen klasore? Shpikët klasën e proletarëve, kur 70% e shqiptarëve jetonin në fshat. Me një grusht punëtorësh përligjët pushtetin tuaj dhe qëllimet tuaja ogurzeza…!

– Ju lutem, zoti drejtor…!

– Mos ju lut drejtorit, sepse ai dhe unë ua kemi thënë këto gjëra edhe kur ishim të rrethuar me gjembaç e gryka topash e mitralozash…! Jam çuditur kur kam mësuar se ty, dhe shokët të tu, ju paskan akuzuar se keni pirë kafe me shumicë. Ndërsa unë me shokët e mi, s’kemi rast për t’ua lexuar aktakuzën e vërtetë.

Zotërinjtë në pushtet, ata që kanë vendimarrjen, nuk kanë qenë as në burg, as në internim…! Nuk e dinë se ju kafet me shumicë i pinit nga kënaqësia, por edhe nga hidhërimi. I pinit nga kënaqësia sa herë shkaktonit gjakderdhje me kundërshtarët tuaj politikë dhe e pinit nga hidhërimi, sa herë padroni i pushtetit gjakatar, ju hakërrohej për vigjilencë të dobët në luftën e klasave…!

– Zoti drejtor, nuk është e drejtë…!

-Pse ke rënë kaq poshtë, o Perandor, që sundove Shqipërinë pesë dekada?! Si pranove të vish në këto birucë të qelbur, ku një polic i thjeshtë i burgut të urdhëron, kur të ulesh e të ngrihesh në këmbë, sa herë i do qejfi atij…!!? Ti, që ke tmerruar fëmijët në bark të nënave, për t’u mbuluar me lule e dafina nga populli i uritur, i trembur e i terrorizuar nga lufta klasore…!

Më mirë të kishe vdekur të paktën, për sa jetove i fuqishëm dhe tiran. As unë, kundërshtari yt i përjetshëm, nuk do të isha kaq i lumtur duke të parë në këto birucë të qelbur, ku me qindra e mijëra djem e vajza shqiptare, nga më të mirët e kombit, i latë të vuanin në këto kushte pse ata, ndryshe nga ju, donin lirinë e shqiptarëve, demokracinë dhe përparimin e Shqipërisë. Deshi Zoti që u takova sot me ty, e t’í thashë këto gjëra, se do të më kishin mbetur pengu në zemër. Perëndia bëri atë që unë s’kisha mundësi ta bëja kurrë vetë…! Të falem, moj Perëndi, merrma shpirtin që tani, nëse një ditë unë bëhem si ky, perandori komunist, që të hakmerrem me fëmijët dhe prindërit e kundërshtarëve të mi politikë !

Ai u kthye nga unë, më përqafoi e tha: – Po deshe ti, miku im, Drejtor i Burgjeve të Shqipërisë, daç më burgos, daç më lërë të lirë, unë sot e tutje do të jem i lumtur, jo se të takova ty dhe Perandorin – diktator të popullit tim, porse, besova, më në fund, ekzistencën e një Fuqie Madhore në gjithësi, që i mban sytë nga njerëzimi…!

– A do të shkosh? E pyeta

– Të lutem mos ma prish shijen e lumturisë që përjetova!

– Dua të tregoj “Panterën e zezë”, siç e quaje në poezitë e tua, që hante shërbëtorët e vetë.

– Edhe ajo këtu është…?! Lëre fare, nuk merren burrat e ndershëm me gra të burgosura. Ta lemë të qetë “Panterën” të shijojë çorbën e kazanit që ajo ua ka dhënë me përdhunë shoqeve të veta të idealit. Në këtë botë shlyen të gjitha…, të gjitha. Prit, se për pak harrova…! Dua ta mbyll me dorën time diktatorin! Pastaj e kalova nga biruca në birucë, qëllimisht, që ai të shihte nga sporteli byroistët, Simon Stefanin, Muho Asllanin, Besnik Bekteshin, Hekuran Isain dhe…! Nuk deshi të shikonte më të tjerë. Qëndroi disa çaste pa folur me buzët e mbledhur, tundi kokën e tha :

– E tmerrshme! Kush na paskan vrarë e burgosur. Këta spurdhjak të shpifur! Të zë lemeria, kur i sheh sot të mbuluar me batanije si mjeranë. Njerëz zvarranikë, të pa personalitet. Ne ishim krejt ndryshe. Krenar para këtyre! Bobo, ç’njerëz e paskan sunduar Shqipërinë! Kur do të kalonim pranë birucës së fundit, i thashë:

– A je kureshtar të shohësh ish kryeprokurorin e diktaturës?

– Këtë, po. Jam vërtet kureshtar! Polici hapi derën dhe Lukja hyri brenda si zot shtëpie.

– Kush je ti, more plak i shëmtuar?

– Aranit Çela, zotëri. Po ju kush jeni?

– Luke Burimi, i biri i Qemal Burimit. Një çerek shekulli i burgosur politik, kundërshtar i juaj. Po ti përse je në burg?

– Kot.

– Si kot?

– Kooot…! E dinë ata që më kanë burgosur…!

– Mos vallë të kanë burgosur për krimet që ke bërë?

-S’kam bërë krime. Kam zbatuar me korrektësi ligjet e shtetit. Kushtetutën e shtetit.

– Potë cilit shtet?! Cilën kushtetutë?!

– Atij shteti që ishte.

– Ligjet dhe kushtetutën e diktaturës?

– Quaje si të duash…!

– Ju trimat që kërcënonit Amerikën dhe Bashkimin Sovjetik, nëse superfuqitë e botës do të guxonin ta preknin, qoftë edhe një fije floku Shqipërinë sipas jush, do t’i gjente shkatërrimi fatal. Sot, nuk keni guxim të thoni: “Po. Nuk ishim për demokracinë, ishim për diktaturën e proletariatit. Kundra Amerikës, kundra Bashkimit Sovjetik”, Ose…!

– Po. Unë, Aranit Çela, kam gjykuar dhe dënuar me burg, dhe me vdekje mijëra shqiptarë që nuk e donin regjimin tonë. Deklaroj se nuk pranoj të dënohem si ordiner, për vjedhje të pasurisë së popullit. Nëse ligjet demokratike i dënojnë veprimet dhe mosveprimet e mija, ja ku jam, krenar për ligjet e shtetit tim.

– Por ju e dorëzuat “Kështjellën e kuqe”, duke u fshehur si minjtë nga urrejtja e popullit të cilin e përdorët me dekada si skllav pune. Çohu, mos u përqall si mace e zgjebosur! Dili zot shtetit dhe diktaturës që ke zbatuar! Mos prano të të dënojnë për veprime ordinere. Ke qenë Zeusi, firma jote ishte vdekje për të gjithë “armiqtë e popullit”, njeriu më i rëndësishëm për zbatimin e ligjeve të shtetit antikombëtar e antinjerëzor…!

– Patjetër, kam dënuar njerëz. Veprimtaria armiqësore me fjalë ose me vepra kundra pushtetit popullor, sipas Kushtetutës se Republikës Popullore, ishin të ndaluara me ligj.

– Mashtron, se pse kushtetuta nuk ndalonte me ligj fjalën e lirë dhe dëshirën për të praktikuar besimin te Zoti, deri në vitin 1976. Por ju keni bërë kërdinë me klerikët fetarë, sidomos kur prishët kishat dhe xhamitë, në vitin njëmijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë, si në asnjë vend tjetër të botës. Po për këto veprime, që ke firmosur burgosjen dhe vdekjen e klerikëve, që praktikonin në popull besimin te Zoti, a ke shkelur kushtetutën?

– Ata i dënoi populli. Ishte dëshira e popullit që u prishën kishat e xhamitë.

– Të pyeta a ke bërë krime ndaj klerikëve në kundërshtim me ligjet e kohës dhe kushtetutës së vendit, para dhe pas vitit 1967?

– Nuk kam bërë krime sepse kam zbatuar vullnetin e popullit dhe të gjitha vendimet e Byrosë Politike të Komitetit Qendrorë, pra të partisë së punës së Shqipërisë, që për mua ishin të barasvlershëm me ligjet kushtetuese.

– Pra, paske zbatuar urdhrat e partisë, për të dënuar njerëz të pafajshëm, apo jo?

– Ekzakt.

– Atëherë e pranon që paske dënuar njerëz me vdekje- pushkatim, me varje në litar, sipas interesave të partisë dhe jo sipas ligjeve kushtetuese?

– Sapo e thashë. Kam qenë vetëm zbatues i ligjeve dhe i vendimeve të shtetit e të partisë time.

– Më gëzon fakti që ju, kriminelët e popullit shqiptar, ju kanë akuzuar si hajdutë, për kafet e pira më shumë nga ç’e lejonte ligji i kohës. Për këtë s’keni pse të kërkoni falje për thonjtë e egërsisë që keni përdorur gjatë sundimit. Do të jepni llogari vetëm për vjedhjen e disa kilogram kafe të harxhuara dhe pasardhësit tuaj, do kenë të drejtën e Zotit të kërkojnë “Hakmarrje për Drejtësi”, pasi prindërit e tyre i kanë dënuar, jo për ato ç’ka kanë bërë, por për ato që nuk kanë bërë. Ndryshe, s’do të kishin guxim të ngrinin kokën gjatë gjithë jetës.

U larguam nga kundërmimi i ajrit të qelbur të birucave. Jashtë, në ajrin e pastër, Lukia ndaloi me sytë nga qielli e

tha: – Edhe pse u gëzova deri në klithmë miku im, pasi pashë persekutorët në birucat ku kemi vuajtur vetë, një ndjenjë trishtimi më rëndon ende në shpirt. Ata janë të trembur, të zgërlaqur, por përsëri janë të bindur se do t’i shpëtojnë drejtësisë së shtetit të së drejtës. Dënimi i tyre do të jetë qesharak. Do të jetë farsë. Nuk gjen në historinë e njerëzimit ndonjë rast, kur drejtësia i dënon pushtetarët e përlyer me gjakun e bashkëkombësve, vetëm për kafe të pirë me tepricë.

Më hodhi krahun supeve e më tërhoqi me vete.

-Tani na gjej një restorant të mirë, ku të hamë e të çmallemi me njeri – tjetrin. Uria po m’i gërryen zorrët më keq se në burgun e Burrelit.

– E ke uri emocionale, ngaqë unë të ndëshkova si “Tradhtar i Atdheut”

– Do të vazhdojë ta “tradhtoj” atdheun, deri sa të bindem se njerëzit e krimeve politike në Shqipëri, nuk dënohen më si ordinerë.

– Ata nuk janë përmbysur, vetëm janë larguar nga pushteti. Demokracia është numër votash. Vendi ka për të mbetur përsëri në duart e tyre, për sa kohë shqiptarët do të largohen vazhdimisht. Kështu si po shkojnë punët, ata do të rikthehen përsëri në pushtet, më të rrezikshëm se kurrë…! Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë