Qeveria ka nisur zyrtarisht procesin për hartimin e Kodit të ri Penal dhe ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, duke ngritur grupe ekspertësh që do të përgatisin paketën e re ligjore në kuadër të reformës së legjislacionit penal dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Me këtë vendim qeveria autorizon Ministrinë e Drejtësisë të organizojë punën për përgatitjen e Kodit të ri Penal, ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale si dhe akteve të tjera ligjore që duhen ndryshuar si pasojë e reformës.

Në vendim parashikohet ngritja e grupeve të punës me ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë, institucioneve të tjera, akademikë dhe ekspertë vendas e të huaj.

Ndërsa ekspertët e jashtëm do të paguhen deri në 3 milionë lekë për çdo akt ligjor që hartojnë, me fondet e buxhetit të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2026.

Pas përfundimit të punës,  projekt-aktet do t'i dërgohen Këshillit të Ministrave për miratim dhe më pas do të ndjekin procedurat e shqyrtimit në Kuvend.