A u liruan të dënuarit për korrupsion? Përplasja në Kuvend/ Bardhi nxjerr përgjigjen e Dumanit! Manja: Asnjë zyrtar i lartë! Alibeaj: Ishin 100, minuat punën e Prokurorisë

TIRANE-    E miratuar 4 prill 2024 me 110 vota pro dhe tashmë e zbatuar në pjesën e saj më të madhe, por amnistia penale mbetet në qendër të debatit politik. Objekt debati ishte dhe sot në seancën parlamentare ku Sekretari i Përgjithshëm të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj kishte thirrur në interpelancë ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja.

Në një kthim përgjigje që kreu i SPAK, Altin Dumani i drejtohet Gazment Bardhit saktësohet se vetëm 4 persona të dënuar për "Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" kanë përfituar nga amnistia penale.  Asnjë zyrtar i lartë, pjesë e të dënuarve që potencialisht mund të përfitonin nga ligji i amnistisë, nuk kanë përfituar 'por ka qenë zgjedhje e gjykatës kundër korrupsionit për ti nxjerrë nga burgu dhe jo votës së deputetëve të kuvendit" tha Bardhi pasditen e sotme nga foltorja e Kuvendit.

Në kthim përgjigje të Dumanit saktësohet se nuk ka përfituar asnjë person me procedim penal nën hetim nga SPAK apo proces gjyqësor i pa përfunduar me vendim të formës së prerë.

E nga foltorja e Kuvendit Bardhi nuk la pa thumbuar ish bashkëpunëtorët e tij Bashën dhe Alibeajn të cilët e akuzuan se ka bërë pazare me Ramën në një  front anti SPAK, me mesazhe të qarta për drejtësinë e re.

"Po të jetë për lajme gazetash kolegu im që u fry në mëngjes ka marrë 500 mijë dollarë para ruse sipas gazetave, por ne e dimë të gjithë bashkë që kjo është e pavërtetë me vendim gjykate. E ne duhet ti referohemi vendimit të gjykatës' tha Bardhi. 

Interpelanca e thirrur nga PD për ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja zuri vendin kryesor në seancën e sotme (9 maj 2024) parlamentare e cila nisi në orën 10:00 të paradites dhe  u mbyll në orën 20:00 të mbrëmjes. 

Debati i paradites
Diskutimi mes palëve nëse 100 të dënuar nga GJKKO, subjekte të SPAK, kanë përfituar apo jo nga amnistia përplasi ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, në interpelancën e thirrur nga ky i fundit.

'Unë nuk dua ta bëj këtë interpelancë një lojë të neveritshme shifrash dhe numrash sa kanë hyrë dhe sa kanë dalë. Arsyet e vërteta të miratimit të amendamenteve natën janë arsyeja politike ose do ta shfajësojë të gjithëve ju 110 deputetë që e miratuat amnistinë në atë kohë, ose do t’u ngarojë përfundimisht me një njollë të pashlyeshme. Sepse tashmë dihet fare mirë se cilat janë mesazhet e kësaj amnistie që iu dërguan publikut dhe jo vetëm publikut shqiptar.'- tha Alibeaj paraditen e sotme. 

Ministri e bëri të qartë edhe një herë se zero zyrtar të lartë janë amnistuar, ndërsa tha që të gjithë ata të dënuar nga GJKKO që përfituan janë qytetarë të zakonshëm. Manja foli për të liruarit nga burgu, ndërsa kujtoi se duhet bërë diferenca për ata në shërbim prove.

“Nuk kam mashtruar askënd, por kam shprehur publikisht qëndrimin e qeverisë, për të mos amnistuar asnjë zyrtarë të lartë të dënuar për korrupsion. Ata që kanë përfituar me ulje dënimi të dënuar nga GJKKO, për veprat penale shkelje e barazisë në tenderë, janë shtetas të zakonshëm ose nëpunës, që do i pasqyroj me emra, janë vetëm 8 dhe asnjë prej tyre nuk është simbol i korrupsionit”.- u shpreh Manja.

Për Alibeajn qëllimi i miratimit të kësaj amnistie është i qartë.

‘100 të dënuar përfituan nga amnistia, pavarësisht premtimit se asnjë po asnjë nuk do të përfitojë. Ngriti pikëpyetje dhe dha mesazhe të forta. Mesazhi i parë ndaj SPAK se kur lind ndjenja e frikës nga ndëshkimi i ligjit, vendosen barriera. Gjithashtu edhe Omerta. Pëshpërima ishte e thjeshtë, duroni dhe mbajeni gojën se pak burg do të bëni.’- tha Alibeaj.

Me 110 vota pro, 1 abstenim dhe 1 kundër Kuvendi kaloi më 4 prill 2024 ligjin për amnistinë penale pas muajsh debate dhe shtyrje. Nga amnistia u është falur dënimi 146 të të burgosurve dhe janë liruar prej uljes së dënimit 721 të tjerëve, ndërsa rreth 2700 personave të dënuar me shërbim prove u mbaroi dënimi.

Gjithsej të dënuarit që përfituan nga amnistia penale
Përfituan ulje 955 të dënuar, vazhdojnë dënimin
U liruan nga burgu 868 të dënuar
U liruan prej uljes së dënimit 721 të dënuar
Falje dënimi direkt 146 të dënuar

Te denuarit e GJKKO qe perfituan nga amnistia sipas ministrit Manja
-20 dënuar nga GJKKO u liruan prej uljes së dënimit
-Vetëm 8 të dënuar për korrupsion, asnjë zyrtar i lartë
-Të tjerët janë dënuar nga GJKKO, por për vepra të tjera

Emrat e lexuar nga Manja, qe u denuan nga GJKKO dhe perfituan nga amnistia
Edmond Z. i i dënuar për 448, nuk e kam idenë çfarë zyrtari ka qenë i janë falur 13 ditë nga amnistia. Ka qenë i dënuar 1 vit e 4 muaj.
Mariglen M. i dënuar me 2 vite për veprën penale shkelje të barazisë së tenderave i janë falur 5 muaj e 28 ditë
Marvin M, i dënuar 2 vite,  i janë falur 9 muaj e 7 ditë
Admir B, nga 4 vite dënim i janë falur 3 muaj e 25 ditë
Eduard. R, ky është dënuar për mos kallëzim krimi nga GJKKO, i dënuar me 3 vite e 6, i është falur 1 vit burg
Hamza. T, i dënuar me 1 vit e 2 muaj burg, i janë falur 4 muaj e 21 ditë
Ubrahim G, i dënuar 8 muaj,amnistia i ka falur 26 ditë
Erion.B,  i janë falur 14 ditë
Lulzim Ç, është dënuar për ushtrim të ndikimi të paligjshme 1 muaj e 8 ditë.'

 Pas 10 orëve debate dhe diskutime Kuvendi miratoi në mbrëmje 3 pr/ligjet që ishin në rendin e ditës së seancës plenare mes tyre dhe pr/ligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), dhe KFW Frankfurt am Main (KfW), për financimin e projektit “Transporti i gjelbër i Tiranës”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:18
Ligjet që u votuan sot/ Kuvendi ratifikon marrëveshjen e huasë me kFW, konventën Lubjanë - Hagë dhe pjesëmarrjen në programin e BE-së

 

Pas 10 orëve debate dhe diskutime Kuvendi miratoi sot në mbrëmje 3 pr/ligjet që ishin në rendin e ditës së seancës plenare.

Me 77 vota pro e 9 kundër, u miratua pr/ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KFW Frankfurt am Main (KfW), për financimin e projektit “Transporti i gjelbër i Tiranës”. 53 deputetë ishin prezentë por nuk votuan.

Me 93 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim, u miratua pr/ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”

Me 93 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim, u miratua pr/ligji për ratifikimin e Konventës Lubjanë – Hagë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të Tjera Ndërkombëtare”

Ora 18:59
Bardhi thumbon Bashën e Alibeajn: Po të jetë për tituj gazetash ata që u frynë në mëngjes kanë marrë 500 mijë dollarë para ruse

 

Gazment Bardhi shuajti çdo dilemë lidhur me debatin për aministinë penale nëse kishin përfituar zyrtarë të korruptuar.  Sipas SPAK vetëm 4 qytetarë kanë përfituar por asjë zyrtar I dënuar për korrupsion.

Pas kësaj përgjigjeje Bardhi nuk la pa thumbuar ish bashkëpunëtorët e tij Bashën dhe Alibeajn të cilët e akuzuan se ka bërë pazare me Ramën në një front anti SPAK, me mesazhe të qarta për drejtësinë e re.

"Apeli im për deputetët e kuvendit të Shqipërisë është të mos marrin tituj gazetash por përgjigje zyrtare nga SPAK e të informojnë qytetarët. Po të jetë për lajme gazetash kolegu im që u fry në mëngjes ka marrë 500 mijë dollarë para ruse sipas gazetave, por ne e dimë të gjithë bashkë që kjo është e pavërtetë me vendim gjykate. E ne duhet ti referohemi vendimit të gjykatës. E ju bëtë të njëjtin gabim që bëri kolegu sot u bazuat në lajmet e gazetave. Prandaj kur vijmë në foltore sidomos kur akuzojnë 116 deputetë të jenë të saktë me të dhëna zyrtare e jo keqintepretime." 

Ora 16:34
'Nuk e kuptoj si shkohet te bashkia me bluzën: Lironi Saliun!', Balla ironizon Vokshin: Albana hiqe bluzen, se le nam

 

Ministri Taulant Balla mori fjalën në foltoren e Kuvendin teksa replikoi me deputeten opozitare Albana Vokshi. Balla ironizoi Vokshin që u paraqit Kuvend me bluzën: Lironi Berishën!

'Më duket më shumë se qesharake të jesh në Kuvend dhe të flasësh për luftën kundër korrupsionit dhe të mbash në gjoks një person të dënuar për korrupsion. Një qytetar që sheh nga TV, edhe sheh strishën e lajmeve që deputeti filan po flet për korrupsionin dhe sheh bluzën e personit të dënuar për korrupsion. Kursejani qytetarëve këtë dhe mund ta bëni çdo ditë poshtë ballkonit. Ju kam parë edhe tek protesta te bashkia. Nuk e gjej dot shpjegimin pse duhet të shkosh të protestosh te bashkia me bluzën: Lironi Saliun! Nuk e gjej dot përgjigje. Liro Saliun tek bashkia, çlidhje ka?', tha Balla.

Balla foli edhe për kundërshtimin e opozitës ndaj projektit të bashkisë së Tiranës për linjat e transportit të gjelbër në bashkëpunim me kompaninë gjermane KFW.

'Për turpin tuaj keni deklaruar që do votoni kundër sepse jeni kundër përmirësimit të transportit urban në Tiranë. Jeni kundër përmirësimit të linjës së Kombinatit me Kinostudion, Unazës së Re, janë pjesë e projektit me autobusë miqësor me mjedisin, jeni kundra. Dhe nuk di si të përgjigjemi qytetarëve, që ecin me autobusë, se ti vjen me Benz. Jo moj jo, unë nuk jam gënjeshtar. Në përgjithësi lëviz nëpër Tiranë me këmbë. Por ti dhe shokët e tu, edhe në protestë kur shkoni te bashkia parkoni benzat tek parkingu. Por disfatizmi ku qëndron? Kjo është një marrëveshje kredie 10 vjeçare. Zbatimi i saj do zgjasi deri në 2029. Unë mendova se keni në plan zgjedhjet e 2029-ës. Po ju s’po mendoni dot as për 2033. Dy fjalë edhe për atë ritualin e dhunës me bomba molotov tek bashkia. E drejta për protestë është kushtetuese dhe nuk preket. Por degradimi sa herë që vjen është fjalimi i njërit dhe janë dhe 5 idiota që e shoqërojnë dhe duhet të hedhin bomba molotov në momentin kur në sheshin qëndror të shqiptarëve janë dhe të paktën 2000 turistë të huaj, kjo nuk është politikë as opozitë, por është degradim i një opozitë të shpërbërë në 100 copash. Është dhe njëri këtu që foli për Mundësira. Në 100 copash të paktën ja keni borxh vendit që ju ka bërë deputetë, që mos dëmtoni këtë industri sikurse është turizmi dhe pastaj po ka ngel, mirë është mos transporto as ti dhe k0legja jote bombat molotov tek bashkia. Ajo është një vepër penale dhe pa dyshim që kjo vepër penale ju dëmton ju, qytetarët. Mos ia bëni këtë nder Erionit duke shkuar për të protestuar poshtë dritares të tij, se nuk e ka arrestuar Erioni Saliun. Reflekto Albana, reflekto! Dhe hiqe atë bluze se le nam!', shtoi Balla.

Ora 14:19
Braçe me tone të forta ndaj opozitës: Kur ishit në pushtet kishit parim ‘vidh duke vrarë, e vrit për të vjedhur’! S’ishte vepër e 5D, por strukturë 1F (Familja Berisha)

 

Erion Braçe ka folur me tone të forta në drejtim të opozitës, për kohë kur ato ishin në pushtet para 2013, në lidhje me korrupsionin shtetëror dhe mungesën e drejtësisë. Deputeti i Partisë Socialiste, nga foltorja e Kuvendit tha se para vitit 2013 nuk gjen një ministër, kryetar bashkie, apo edhe kryeplak të hetuar nga drejtësia pasi ishte e kapur politikisht,

Braçe tha se qeverisja Berisha ecte me ‘moton’ vidh duke vrarë, e vrit për të vjedhur’, ndërsa tha se nuk bëhej fjalë për një vepër të 5D por për një strukturë 1F, duke ju referuar familjes së Sali Berishës.

‘Korrupsioni deri në 2013 ka qenë i përgjakshëm dhe ka marrë jetë, jo për shkaqe ekonomike, por fizike njerëzisht. Ka marrë jetë njerëzish përfshira gra shtatzëna dhe fëmijë në bark të nenave. Korrupsioni ishte shenja më e qartë, materializmi i strategjisë vidh duke vrarë dhe vrit për të vjedhur. Nuk ishte vepër 5 D, por strukturë 1F, familja. Korrupsioni ishte i përgjakshëm, dhe i pa ndëshkueshëm. Nga 2017 e këtej, korrupsioni prezent, por i hutueshëm i dënueshëm në shumë nivele.

Është e vështirë ta përtypësh këtë që po ndodh. Më tregoni një ministër, një kryetar bashkie, një kryeplak, që keni marrë ju përfshi edhe ata në Himarë që kanë grabitur toka nga mëngjesi në darkë. Ky është ndryshimi kultural që po ndodh. Është ngulitur në kokë kjo që ne jemi të paprekshëm. Na mbron ai nuk ka si ai, ai për të na mbrojt ne vrau, në mes të bulevardit. Kjo diferencë kulturash, nuk mund ta kuptoni ju. E keni të ngulur gozhdën në kokë, sikur jeni të paprekshëm, s’duhet të na thërrasë njeri. Ne nuk jemi të barabartë para ligjit. Janë pjekur të gjatë 26 veta. Për 21 janarin ende nuk ka drejtësi. Për privatizimin e ALB

Janë 8 ndërmarrje të tjera, ku kanë rënë me kokë dy oligarkë nga ata që kishit ju dhe vazhdojnë të bëjnë biznes dhe që e kanë vjedhur CEZ.’- tha Braçe.

Ora 14:15
‘Një deputeti i kanë arrestuar vëllain në Gjermani për trafik dorgë’, Braçe përplaset me Bardhin: Të kam shumë frikë ty, pyet te grupi

 

Deputeti i PS-së, Erion Braçe gjatë fjalës së tij në Kuvend ka deklaruar se një deputeti i kanë arrestuar të vëllanë në Gjermani disa muaj më parë për trafik droge.

“Po pyes, kujt i kanë marrë vëllain në Gjermani muaj më parë për trafik droge? Kujt?”, shprehet deputeti socialist.

Ndërkohë që kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi ndërhyri nga vendi, Erion Braçe iu drejtua duke i thënë që “bëj këtë pyetjen time brenda grupit tënd se sqarohesh”.

“Po nga ty kam frikë shumë unë të them të drejtën. Të gjejë kurajon ta thotë, edhe brenda partisë së tij Po të dojë kam”, u kthye deputeti i PS-së, Bardhit.

 “Më shtyu një deputet që vjen këtu me duar në xhepa, zakonisht nuk lexon asgjë dhe na vuri në siklet të madh duke kërkuar emra. Po pyes, kujt i kanë marrë vëllain në Gjermani muaj më parë për trafik droge? Kujt? Derisa të bindet të vijë ta thotë këtu do të vazhdojmë me gjëra të tjera

I drejtohet Bardhit: Po pyet se drejton edhe Grupin ti? Bëj këtë pyetjen time brenda grupit tënd se sqarohesh, bëje? Po nga ty kam frikë shumë unë të them të drejtën. Derisa ta gjejë kurajon ta thotë, edhe brenda partisë së tij po të dojë kam disa gjëra të tjera.

Ora 13:40
‘Shqipëria ndodhet në rrugë kritike’, Tabaku: Një shtet i kapur s’mund të jetë garantuesi i reformave për integrimin në BE

1715247493_joridatabaku.png

Gjatë fjalës së sotme në Kuvendin e Shqipërisë demputetja demokrate Jorida Tabaku foli mbi korrupsionin dhe ofertën e kryeministrit Rama për një komision ad hoc në luftën kundër korrupsionit. Ajo u shpreh se falë kësaj mazhorance dhe qeverie Shqipëria ka një sistem të korruptuar dhe një korrupsion endemik

“Sot Shqipëria ndodhet në një rrugë kritike, jo vetëm në historinë tonë si një shtet demokratik, por gjithashtu dhe më ardhshmërinë në projektin e BE-së. Një rrugëtim që nuk është thjeshtë një pikë arritjeje, por një proces që është zgjatur duke u shtyrë në kohë që fatkeqësisht shqiptarët sot janë duke ikur këmbëve. Ndërkohë që ne na kanë lënë sfidën ta ndërtojmë Europën këtu”

Ajo u shpreh se SPAK është një krijesë falë luftës së PD duke rikujtuar që në të vërtetë qeeria socialiste kishte kërkuar një BKH nën hyqmin e ministrisë së rendit dhe qeverisë 

“E vërteta që dua ta rikujtoj është që SPAK-u nuk ka qënë asnjëherë kërkesë e socialistësve. Në këtë sallë, mazhoranca socialiste ka kërkuar krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit brenda Ministrisë së Brendshme atëherë, nën varësinë dhe tutelën e Ministrisë së Rendit dhe të Qeverisë. Ndërkohë që ka qënë i vetmi ligj, pasi u ndryshua me mbështetjen e partnerëve, i cili u votua dhe nga opozita. Është po e njëjta qeveri që menjëherë pas krijimit të SPAK-ut, shkoi dhe e bombardoi me qindra dosje të OFL-së. E mban mend njeri OFL-në sot? Një veprim dhe përpjekje e kalkuluar politike për të mbrojtur interesat e mazhorancës tashmë të zhytur në korrupsion që kërkon pushtetin jo për ta luftuar atë, por si një proces politik për ta pranuar më në fund që ky realitet po ndodh.”

Në fjalën e saj ajo kujtoi se qeveria nuk e ka ndihmuar as SPAK dhe as ka pasur vullnetin dhe moralin për të luftuar korrupsionin, prandaj duket jo reale që kjo qeveri të flasë në emër të një beteje kundër korrupsionit.

Fjala e deputetes së PD, Jorida Tabaku:

Sot është 9 Maji, Dita e Europës! Shqipëria ka kohë që është Europë, por a do ta bëjmë ndonjëherë “perëndim”? a do të jemi ndonjëherë në gjendje që të arrijmë normat standarte që sot ka perëndimi? 

Sot Shqipëria ndodhet në një rrugë kritike, jo vetëm në historinë tonë si një shtet demokratik, por gjithashtu dhe më ardhshmërinë në projektin e BE-së. Një rrugëtim që nuk është thjeshtë një pikë arritjeje, por një proces që është zgjatur duke u shtyrë në kohë që fatkeqësisht shqiptarët sot janë duke ikur këmbëve. Ndërkohë që ne na kanë lënë sfidën ta ndërtojmë Europën këtu.  

Natyra e problemeve që ka pasur Shqipëria gjithë ktë kohë, ka qënë e tillë që ka pasur domosdoshmërinë e një qeverie që duhej patjetër ta luftonte korrupsionin në mënyrë proaktive, me vullnet të hekurt dhe një dedikim që për fatin e keq i ka munguar Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kemi pasur shpeshherë një gjumë letargjik, potere, zhurmë, prova të panumërta që vinin nga raportet ndërkombëtare deri tek raporti i Screening që drejtojnë gishtin mbi plagën e korrupsionit. Kjo është kriza e lidershipit dhe morale e kësaj qeverie dhe mazhorance: Mohimi i të vërtetave që sot po na i tregon dhe proklamon, athua se çfarë ka zbuluar. Të vërteta që janë thënë në këtë sallë dhe kushdo që ka folur “nuk e ka dashur Shqipërinë”. 

E vërteta është që qasja aktuale e mazhorancës ka qënë apatike, jobashkëpunuese, krijimi i një klime e sistemi që na ka sjellë sot tek korrupsioni endemik që më në fund u njoh, u pranua. Më në fund është një realitet që nuk thuhet vetëm nga opozita, por njihet dhe pranohet dhe nga mazhoranca.Këtë e dëshmon jo vetëm fakti që asnjë kallëzim penal nuk ka shkuar nga institucionet e qeverisë në organet ligjzbatuese, por siç e pohoi dhe vetë Kryeministri pak ditë më parë, ai nuk e sheh të arsyeshme që instrumentat që jep ligji qeverisë për të parandaluar korrupsionin që t’i përdori.

E vërteta që dua ta rikujtoj është që SPAK-u nuk ka qënë asnjëherë kërkesë e socialistësve. Në këtë sallë, mazhoranca socialiste ka kërkuar krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit brenda Ministrisë së Brendshme atëherë, nën varësinë dhe tutelën e Ministrisë së Rendit dhe të Qeverisë. Ndërkohë që ka qënë i vetmi ligj, pasi u ndryshua me mbështetjen e partnerëve, i cili u votua dhe nga opozita. Është po e njëjta qeveri që menjëherë pas krijimit të SPAK-ut, shkoi dhe e bombardoi me qindra dosje të OFL-së. E mban mend njeri OFL-në sot? Një veprim dhe përpjekje e kalkuluar politike për të mbrojtur interesat e mazhorancës tashmë të zhytur në korrupsion që kërkon pushtetin jo për ta luftuar atë, por si një proces politik për ta pranuar më në fund që ky realitet po ndodh. 

E njëjta qeveri që kurrë nuk pati guximin të dënojë askënd që publikisht është sot në proces ligjor përsa i përket akuzave në korrupsion, që ka sulmuar këdo që ka denoncuar korrupsionin, është bërë mburojë e avokat politik i korrupsionit. Kjo qeveri e kanë mbrojtur me hir e me pahir çdo akt korruptiv që janë denoncuar nga opozita dhe në fakt nuk kanë qënë të pakta aktet që janë denoncuar. Ka qënë kjo shumicë që me hir e me pahir ka mbrojtur aferën e inceneratorëve duke u bërë avokate publike e të kërkuarve ndërkombtarë. Ka qënë kjo mazhorancë që është bërë avokate publike e kushedi sesa aferave e sa denoncimeve nga fakti që 1 në 3 tendera pa garë deri tek koncesionet e shëndetësisë, të gjitha sot nën hetim. Ka qënë kjo qeveri që kur opozita kërkonte që të fliste për një sistem paralel korruptiv që ka qënë duke gërryer xhepat e shqiptarëve, taksat e qytetarëve dhe shpresën e vendit, sulmohet me akuzën e një opozitë që shpif, sepse “të gjithë shpifin, përveç këtyre”. E njëjta shumicë që akuzat e faktuara për korrupsion  të ministrave, të zv. Kryeministrit dhe tashmë të Benjaminit në krye të bashkisë së Tiranës, përgjigjet me sulmin e koordinuar të lajmeve që “gjithkush e ka keq, vetëm këto e dinë mirë”.

Ka qënë pikërisht verbëria për ta mbrojtur korrupsionin që i çoi këto në fillimin e fushatës elektorale të 2021 të gjithë tek plehrat, tek instalacioni i korrupsionit.

Opozita sigurisht me të gjithë problemet e saj, në këtë periudhë bëri një përpjekje modeste në vitin 2022 për të paraqitur një paketë antikorrupsion, për ta trajtuar atë si një prioritet kombëtar, luftën ndaj tij si një domosdoshmëri për ta ndryshuar  Shqipërinë e për ta cuar Shqipërinë më pranë Europës.Edhe për hir të këtij procesi po diskutojmë sot edhe për hir të kësaj dite, sot ne po e mbajmë larg nga shqiptarët.

Sigurisht që kjo paketë s’ka qenë as ideale as më e përkryera, as absolutisht më e mira po ka qenë një përpjekje modeste për të nisur një diskutim në Parlament, për të ndërtuar një sistem ndryshe, për të treguar që kjo sot është alarm dhe duhet ta parandalojmë sepse me të vërtetë kemi ngritur një sistem që dënon por cfarë po bëjmë për parandalimin? Sepse duhet ti themi mjaft dhe asaj kulturës firmos ku do shefi, se duhet patjetër që cdo hallkë të zinxhirit të shtetit sot shtetformues e shtetbërës,ta kemi me parimet më të mira të BE-së dhe standardet dhe normat më të mira të BE-së por edhe për qytetarët shqiptarë ,për të ngritur një sistem të drejtë, me meritokraci por që fatkeqësisht mungon.

Qeveria e ka humbur vazhdimisht këtë betejë, edhe kundër korrupsionit, nuk ka as lartësi morale , nuk ka as guximin , as vullnetin politik për ta luftuar atë ndërkohë që procesi i integrimit ka marrë një drejtim krejtësisht tjetër tashmë. Duhet një frymë dhe një qasje pikërisht për mos ta lënë SPAK-un të vetëm në betejën e tijkundër korrupsionit, për të luftuar këtë sistem të korruptuar, këtë sistem që flasim përditë që mazhoranca është bërë avokat publik cdo ditë , që në krye të herës, që në fillim kur kanë dalë e deri më sot në kohën që flasim. Padyshim duhet të ruajmë dhe parimet e një demokracie institucionale.

Një Shqipëri në BE do të thotë një vend që ruan dhe mbron me fanatizëm ndarjen e pushteteve dhe respektimin e institucioneve të pavarura. Vetë institucionet e pavarura, si Kuvendi, duhet të respektojnë dhe mirëpranojnë ekzistencën e një pushteti tëbalancuar dhe kontrolluar ku nuk mund të jetë diktati i shumicës prevaluesi dhe as uzurpuesi i pushteteve të tjera.

Rrugëtimi jonë drejt integrimit Europian nuk është thjesht përmbushja e disa standarteve në letër, po është reflektimi i tyre në mënyrën e qeverisjes dhe padyshim demokracisë që ne kemi. Një shtet i kapur, siç thonë raportet ndërkombëtare , nuk mund të jetë garantuesi i reformave dhe aq më tepër tentativave për të parë një projekt kontrolli mbi punën e kryer kundër korrupsionit. 

Prandaj sot, më shumë se sa dje, ka rëndësi ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit, integriteti parlamentar dhe llogaridhënies së qeverisë. Dhe të tre këto nuk mund të përzihen në emër të asgjëje! Por janë të shenjta në emër të demokracisë! Prandaj sot nuk duhet shkelur asesi ajo që është arritur në parlament me rolin e Këshillit kombëtar të integrimit që është ngritur pikërisht për refoma për këtë proces, nuk duhet bërë prapë në asnjë mënyrë në atë që është arritur me reformën  në drejtësi, nuk duhet patur asnjë kompromis kundër këtij sistemi të ngritur që e ka nxitur korrupsionin, kundër mungesës së vullnetit poliitk për ta luftuar atë por dhe ndaj kujtdo që e përdor integrimin për fasadë e fjalë të bukura. 

Ndaj po, sot duhet patjetër për të ndërtuar një sistem që e parandalon korrupsionin, sot duhet patjetër që shqipërinë që është evropë ta bëjmëperëndim por që kjo të ndodhë duhet së pari vullneti politik i munguar deri më sot. Shqipëria nuk është thjesht një vend i Europës, por realisht angazhimi ynë është në favor të vlerave të perëndimit dhe BE-së. Vlera që nuk mund të jenë thjesht fletëpalosje e një fushate elektorale por vlera që ne të gjithë bashkë duhet të përpiqemi që ti kalojmë. Edhe njëherë gëzuar ditën e Evropës sot! Për një sistem që duhet të jetë totalisht i pavarur, totalisht në mungesë të influencës politike dhe larg nga duart politike të kujtdo, ata sot mazhorancë, ata nesër mazhorancë , atyre sot në opozitë dhe atyre nesër në opozitë . Këtë duhet të ruajmë të shenjtë, këtë betejë që po e bëjmë. Opozita është gati, a jeni ju?

Ora 12:00
‘Fronti anti-SPAK’, Alibeaj-Manjës: Tregove si gënjeve, përfituan të korruptuarit nga amnistia! I dhatë mesazh drejtësisë se e rrëzonin kur bëheni bashkë

 

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj në interpelancën me ministrin Ulsi Manja, i tha këtij të fundit se ka gënjyer me shifrat se nga amnistia nuk kanë përfituar të dënuar të korruptuar nga GJKKO. Alibeaj tha se fronti anti-SPAK u bë bashkë për  t’i dhënë mesazh SPAK se me ligje të tilla si amnistia rrënojnë të gjithë veprimtarinë e drejtësisë.

The 8, 18, nuk qenka ashtu si u betove para një muaji. I paske liruar, kjo ishte ajo që i shitët publikut shqiptar. Ta gëzoni, 116 deputetë sa të jeni e keni peshqesh dhe ky ishte bashkimi juaj i një muaji më parë. Këto janë të dhëna që Ulsiu edhe pse i ka studiuar gjithë natën, s’kishte asgjë për të thënë përveç atyre emrave. Ishim vetëm emrat e atyre personave që iu është ulur dënimi dhe kanë dalë nga burgu. 100 persona të dënuar nga GJKKO përfituan pavarësisht premtimit që u dha se asnjë i dënuar nga gjykata kundër korrupsionit nuk do të lirohej dhe drita shpërtheu mes errësirës dhe mashtrimit shtetëror.

Mesazhi i parë amnistia e miratuar shërbeu si një mesazh ndaj SPAK, se kur ndjenja e kërcënimit ndaj ligjit bëhet e prekshme, barrierat politike, konkurrenca mes partive zbehen duke u zëvendësuar nga një unitet i papritur mes natës. Amnistia ishte një përpjekje për të penguar zbatimin e ligjit dhe se përpjekjet e SPAK mund të minohen me vendime politike.

Kod i heshtjes mafioze duke u kërkuar të dënuarve të mos bashkëpunojnë më drejtësinë, ishte prorosi e Ramës se pavarësisht presionit ligjor, mbrojta politike është e sigurt. Pëshpërima që i çuat përmes amastisë ishte durojeni presionin se vetëm pak burg do bëjnë, iu lëshojmë me amnisti

Amnistia si një akt falje mëshire, është shfaqje e hipokrizisë që dërgon mesazh të gabuara edhe ndaj partnerëve tanë. Si mund të thuhet se po luftohet korrupsioni kur ata që kanë minuar demokracinë po lirohen. Lihet një përshtypje e keqe.

E keni me SPAK dhe e keni me faktin që SPAK ka shkuar anash qafës së kryeministrit. E mbajtët 3 muaj sie si për ti dhënë një mesazh SPAK. Asnjëri nga ju nuk i hapet barku për 820 të dënuar. Arsyeja ishte që donit të tregonit forcë, 116 vota, blloku, fronti aleanca anti-SPAK. I treguar SPAK, BKH që këtu ka një forcë të madhe që me ligje si të amnistisë ua rrënon të gjithë veprimtarinë që bëni. Fronti anti-SPAK pa iu dridhur qerpiku. SPAK dhe drejtësia e re janë në rrezik. Thirrje për ndërkombëtarët. Ky është një alarm i madh për atë se çfarë po ndodh për drejtësinë dhe të ardhmen e vendit.

Ora 11:54
Tritoli në shtëpinë e gjyqtarit në Shkodër, Alibeaj: Thuhet se autori ishte përfitues i amnistisë

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj nga Kuvendi, duke iu referuar mediave, ai tha se autori i vendosjes së tritolit në shtëpinë e gjyqtarit në Shkodër, Tonin Sterkaj, ishte një përfitues nga amnistia. Ai theksoi se amnistia u mbajt për 3 muaj për ti dhënë një mesazh SPAK.

“Thuhet se për bombën që u vendos ndaj Sterkajt mund të jetë një nga ata që kanë përfituar nga amnistia. Ai skifteri Korçës që vodhi një makinë, pasi nuk kishin kaluar as dy orë nga lirimi nga amnistia që ai përfitojë prej jush. Mesazhi i amnistisë ishte se ligjet mund të thuhen dhe se përgjegjësia mund të shmanget. Si kërkohet nga qytetarët që të respektojnë ligjin kur ata shohin këto gjëra. Pritej e kundërta e kësaj amnistie, pritej që ata që janë dënuar të përballen me pasojat e plota të veprimeve të tyre, çdo akt i tyre minon të ardhmen e vendit. Nga Kuvendi priten nisma që të përmirësojnë kushtet e punës për policët, për punonjësit e SPAK, të ndërmerreshin nisma për të zgjeruar kapacitet në vendet e vuajtjes së dënimit. E keni me SPAK. Amnistinë e mbajtët 3 muaj për ti dhënë një mesazh SPAK. Kam një thirrje për ndërkombëtarët që është kambanë e madhe alarmi për atë që po ndodh me drejtësinë dhe për të ardhmen e vendit. Po ashtu, edhe një thirrje e kam për ata shqiptarë janë të etur për drejtësi”, tha ai.

Ora 11:27
Manja-Alibeajt: Kur ishte ministër Drejtësie lirove me amnisti 40 banditë gjatë fushatës elektorale! Dil e thuaj emrat, kush janë zyrtarët e lartë që përfituan?

 

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manaj i kërkoi Enkelejd Alibeajt që të dalë në Kuvend dhe të thotë emrat e zyrtarëve të lartë që ia pretendon se kanë përfituar nga amnistia. Manja i tha Alibeajt se kur ishte ministër Drejtësie në 2009 liroi me amnisti 40 banditë gjatë fushatës elektorale.

Po gjetet një zyrtar të lartë publik, që ka përfituar nga kjo amnisti dilni e thojeni emrin këtu. Nëse nuk doni t’i besoni këto që thash, ja ku keni përgjigjen e SPAK. Ju ngatërroni shërbimin e provës me institucionit e vuajtjes së problemit. Nëse do ta kishim SPAK të krijuar në 2017, jam i bindur se kjo amnisti s’do kishte kaluar në Kuvend, s’do e jepja votën se me standardin e hetimit të SPAK, zyrtarë të lartë publik do ishin në institucionet e vuajtjes së dënimit që menaxhoj unë, s’do ishin në këtë sallë. Dil këtu ti dhe kushdo tjetër të më thotë një emër.

Ndërsa ju që qani hallin e të dënuarve nga GJKKO. Ulsi manja jam shumë i nderuar që kam propozuar këtë amnisti, se dua të mbahem mend për aq sa jam aty për punë të mira se ju që më keni kërkuar këtë amnisti dhe ti Alibeaj ke qenë edhe ministër drejtësie. Ju në 2009 liruar 20 ditë në fushatë elektorale, 40 banditë që futën duart në zgjedhjet e vitit 2009. Ky është dallimi. mes meje dhe teje. Tani dilni këtu dhe jepni emrat.

Ora 11:20
Alibeaj: Të largoni njollën e amnistisë, hiqni imunitetin! Doni të luftoni korrupsionin, votoni vettingun

 

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, tha që mazhoranca të pastrojë sadopak njollën që bëri me amnistinë penalë duhet të votojë që të vettingun në politikë dhe të heqin imunitetin.

'I bërë votat me Pazar, sapo e the. Edi Rama për MC Gonigal, po të doni edhe për çështjen e vëllait. Arben Ahmetaj, për inceneratorin, Samir Tahiri, kanabizmi, Ulzi Manja për 184, lista vazhdon. Cila ishte ftesa të shkojmë atje. Jeni të gatshëm të hiqni imunitetin, kjo është e vetmja mënyrë që ajo njollë që bëtë me amnistinë, ta riparoni. Hiqni imunitetin, doni të luftohet korrupsioni vettingun, votoni vetingun. Kështu i shërbehet publikut. Filloje me mua, për të gjitha ato që ke një lloj dyshimi.'- tha Alibeaj.

Ora 10:52
EMRA/ Kush janë 8 të dënuarit nga GJKKO që u liruan prej amnistisë penale

Ministri Drejtësisë Ulsi Manja, nga foltorja e Kuvendit ka bërë me dije se të dënuar nga GJKKO nga amnistia penale kanë përfituar 20 të dënuar. Nga 20 të dënuar, ministri tha se vetëm 8 prej tyre kanë qenë të dënuar për veprat penale kundër veprimtarisë shtetërorë të kryera nga shtetasit ose punonjës shtetëror në shërbim publik, pra sipas ministrit nëpunës publik e jo zyrtarë të lartë.

Ndërsa 10 të tjerë sipas ministrit kanë qenë të dënuar nga GJKKO, për veprat penale kalim i paligjshëm i kufirit dhe falsifikim dokumentesh.

'Në total 18 prej këtyre të dënuar nga GJKKO-ja janë liruar me datën 24 prill, ndërsa 2 prej tyre janë liruar pas kësaj date për shkak të urdhrit të leshura nga prokurorët e SPAK. Në 20 të dënuarit nga GJKKO-ja, vetëm 8 prej tyre kanë qenë të dënuar për veprat penale kundër veprimtarisë shtetërorë të kryera nga shtetasit ose punonjës shtetëror në shërbim publik, pra subjekte të zakonshme, shtetas, nënpunës në shërbim publik, por kurrsesi zyrtarë të lartë dhe ish-zyrtarë. Konkretisht 10 të tjerë nga 18 kanë përfituar nga ulja e dënimit por kanë qenë të dënuar për veprat penale dhënie ndihëm për kalim të paligjshëm kufiri, falsifikim dokumentesh, vetëm 8 kanë qenë për një nga këto veprat të shkelje të barazisë në tendera dhe ushtrim të ndikimit paligjshëm.

Edmond Z. i i dënuar për 448, nuk e kam idenë çfarë zyrtari ka qenë i janë falur 13 ditë nga amnistia. Ka qenë i dënuar 1 vit e 4 muaj.

Mariglen M. i dënuar me 2 vite për veprën penale shkelje të barazisë së tenderave i janë falur 5 muaj e 28 ditë

Marvin M, i dënuar 2 vite,  i janë falur 9 muaj e 7 ditë

Admir B, nga 4 vite dënim i janë falur 3 muaj e 25 ditë

Eduard. R, ky është dënuar për mos kallëzim krimi nga GJKKO, i dënuar me 3 vite e 6, i është falur 1 vit burg

Hamza. T, i dënuar me 1 vit e 2 muaj burg, i janë falur 4 muaj e 21 ditë

Ubrahim G, i dënuar 8 muaj,amnistia i ka falur 26 ditë

Erion.B,  i janë falur 14 ditë

Lulzim Ç, është dënuar për ushtrim të ndikimi të paligjshme 1 muaj e 8 ditë.'- tha ministri.

Ora 10:46
Alibeaj: Punonjësit e BKH u dëbuan nga oborri i Kryeministrisë, nuk i lanë që të marrin dokumentet

1715246475_alibeaj.png

Enkelejd Alibeaj tha në Kuvend se punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit janë dëbuar nga oborri i Kryeministrisë dhe nuk janë lejuar që të marrin aty materiale dhe dokumente. Ai  u shpreh se SPAK dhe drejtësia e re është në rrezik të madh dhe ky është një alarm i madh.

“Asnjë referim nuk është bërë në SPAK për vitin e kaluar, Punonjësit e BKH dëbohen nga oborri i kryeministrisë se duan të shkojnë të marrin materialet atje. Klithmat e kryeministrit se do të ngrinte atë komisionin, po e ngre dhe parlamenti u bë palë. Ky është rreziku i madh.

SPAK, drejtësia e re janë në rrezik. Unë sot kam një thirrje për dy kategori, së pari për ndërkombëtarët, është një alarm i madhe për atë cfarë po ndodh për drejtësinë dhe për të ardhmen e këtij vendi. Janë një shumicë e frikshme që treguan se nuk kanë asnjë cipë për të ndërmarrë cdo inciative natën për të goditur drejtësinë.

Së dyti, e kam për shqiptarët, e kam për 70% të shqiptarëve që sot janë të etur për drejtësi. Është në dorë të tyre që me votën e tyre të kuptojnë që do ta lënë në dorë të të korruptuarve apo do ta marrin në dorë”, tha Alibeaj.

Ora 10:45
Amnistia penale/ Manja: Ishte shumë e butë, duhej të ishte më e gjerë! U liruan vetëm 8 dënuar nga GJKKO, s’janë simbol i korrupsionit

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja është thirrur në interpelancë nga Partia demokratike lidhur me amnistinë penale. Manja tha edhe njëherë se asnjë zyrtar i lartë i korruptuar që është dënuar nga GJKKO nuk ka qenë përfitues i amnistisë. Sipas Manjës, janë liruar vetëm 8 të dënuar nga GJKKO që janë amnistuar, për të cilët thotë nuk janë simbol i korrupsionit.

Manja tha se amnistia ishte e butë dhe se sipas tij duhet të ishte më e gjerë.

“Kjo interpelancë nuk ka asgjë urgjente. Nuk ka asgjë urgjente, është një ligj që u votua në Kuvend. Përmende dy agjenci mediash, por sot flasin institucionet se amnistia zbatohet nga institucionet. Mediat kanë misionin e tyre, por institucionet kanë peshën e zbatimit të ligjit. Pr.ligji dhe qëndrimi politik i qeverisë është pasqyruar në draftin dhe relacionin dhe drafti i depozituar në Kuvend, siç e do respekti ndaj ligjit dhe rregullores është konsultuar me të gjitha organet e drejtësisë. Amnistia është kompetencë e Kuvendit dhe jo KM, aq më pak e ministrit. Ministri mban përgjegjësi politike për draftin, por jo për ligjin që voton Kuvendi në sovranitet të plotë.

Nuk kam mashtruar askënd, por kam shprehur publikisht qëndrimin e qeverisë, për të mos amnistuar asnjë zyrtarë të lartë të dënuar për korrupsion. Ata që kanë përfituar me ulje dënimi të dënuar nga GJKKO, për veprat penale shkelje e barazisë në tenderë, janë shtetas të zakonshëm ose nëpunës, që do i pasqyroj me emra, janë vetëm 8 dhe asnjë prej tyre nuk është simbol i korrupsionit. Ndryshimet janë diskutuar në komisione, edhe amendamenti i Bardhit ka marrë dakordësinë e ministrisë, janë bërë diskutimet në Komisione dhe 116 deputetë dhanë votën pro kësaj amnistie. Nëse doni mendimin tim si Ulsi Manja, po kjo amnisti në raport me nevojat dhe garantimin e standardeve, kjo amnisti është e butë. Do duhej të ishte më e gjerë se çfarë ishte. Sot që flasim edhe pse është zbatuar, janë 4918 të paraburgosur dhe të dënuar”, tha Manja.

Ora 10:36
Interpelanca për amnistinë, Alibeaj: Mbi 110 deputetë u bënë bashkë për të nxjerrë të korruptuarit nga burgu

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në interpelancë me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manjën për amnistinë penale, i kërkoi të dhën konkrete në lidhje me përfituesit e dënuar nga GJKKO që kanë përfituar nga amnistia. Alibeaj tha se arsyeja e vërtetë e miratimit të amnistisë natën, ishte vetëm për arsye politike.

'Gëzuar ditën e Europës, të Europës të sundimit të ligjit, të Europës të demokracisë funksionale, të europës që mbron liritë dhe të drejtat e njeriut. Nuk ka më mirë sot ta fillosh me këtë interpelancë për të dhënë sqarime për publikun dhe për këdo tjetër se cilat ishin arsyet që në 4 prill, natën, 110 deputetëtë e disa bashkuan votat për të nxjerr të korruptuarit nga Burgum bashkuan votat për të lënë protestuesit në burg. E kam kërkuar këtë interpelancë me ministrin e Drejtësisë, se kështu e do rregullorja, duke qenë fare i ndërgjegjshëm që nuk është vetëm përgjegjësia e tij, është përgjegjësia është e këtij tjetrit. Në fakt e patë fare mirë se cila ishte përgjgejësia eale, me atë që patë se çfarë ndodhi dy ditë më parë. Unë nuk do të jap asnjë statistik nga ato të cilat mund të jenë pjesë e kerkesave, apo shpikjeve apo invencioneve politike, por i bazohem thjsht dhe vetëm asaj se çfarë media në këto 1 javë apo 2 javë menjëherë pas miratimit të amnistisë, mori në formë zyrtare.

Sipas të dhënave të bëra publike nga mediat, dhepo i them në respekt e në nder të tyre INA Media, BIRN, janë dz nga mediat më serioze të cilat i kanë marrë këto të dhëna dhe i kanë bërë publike. Sipas të dhënave të bëra publike, rezulton se nga ligji 33/ 2024, amnistia pra, kanë përfituar 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm të cilët përfitojnë falje dënimi, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera, apo shpërdorimi i dëtyrës, përfitojnë ulje dënimi. Zyrtarët që përfitojnë ulje dënimi, rezultojnë 16 fuksionarë publik të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë të dënuar për shkelje të barazisë në tendera, 7 gjyqtarë, prokurorë të dënuar gjithashtu të dënuar për vepra penale të korrupsionit. Këta kanë dalë nga burgu ose kanë përfituar ulje dënimi.
Ajo se çfarë publiku është i interesuar të di, çfarë detyrimi moral dhe politik i këtij parlamenti bash për t’i shërbyer publikut, ishte përse?  Dhe përsenë do doja ta merrja si përgjigje nga përfaqësuesi i qeverisë nëse ka dinjitetin dhe merr kohë për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve:

Cilët ishin propozuesit e amendamendamenteve që u shqyrtuan dhe u miratuan në komisionin e ligjeve dhe në seancë plenare? Kujtoj këtu në komisionin e ligjeve u paraqitën disa amendamente, nga Ministria e Drejtësisë dhe asnjëri nuk i doli për zot.
Cilat kanë qenë arsyet se përse u sygjerua dhe u miratuan këto amendamente? 
Cili ka qenë qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me këto amendamente?
A është kërkuar mendimi i institucioneve të drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit Gjyqësorë, SPAK-ut? Në lidhje me amendamentet e propozuara kujtoj këtu që një nga pyetjet e para që i kam bërë në seancat online në komisionin e ligjieve lidhur me amnistinë ministrit të Drejtësisë, ka qenë a e ka konsultuar versionin fillestar dhe përgjigjja ka qenë po.
Po amendamentet a u konsultuan me instititucionet e drejtësisë?
A është analizuar nga Ministria e Drejtësisë numri i personave që do të përfitonin nga amendamentet e propozuara dhe të miratuara?
A i janë përcjellë komisionit të ligjeve ose sancës të dhënat mbi numrin e përgjithshëm të personave që do të përfitonin nga drafti fillestar i projektligjit për amnistinë dhe nga amendamentet e miratuara? Kujtoj këtu që në mbledhjet e komisionit të ligjeve i kam kërkuar unë si anëtar i komisionit të ligjeve që të sillte listën e të gjithë të dënuarve që do mund të përfitonin nga amnistia dhe premtimi ishte po do ta sjell. Sot që flasim, si anëtar i komisionit të ligjeve, unë nuk e kam.

A është marrë informacion nga struktura e SPAK në lidhje me numrin e personave që do të përfitonin nga amendamentet e propozuara dhe të miratuara nga komisioni i ligjeve dhe të miratuara në seancë plenare?
Cilat kanë qenë këto të dhëna të përcjella nga ana e tyre nëse janë përcjell?
Sa ishte numri i përgjithshëm që përfituan nga amnistia e parashikuar nga Ministria e Drjtësisë në momentin e depozitimit të projektligjit në Kuvend?
Sa është numri i përgjithshëm që përfituan nga amnistia, pas miratimit të amnistisë?
Sa është numri i përfituesve nga amnistia të cilët janë hetuar nga SPAK apo dënuar nga GJKKO?
Sa ishte numri i përfituesve nga amnistia të cilët janë hetuar nga SPAK, dënuar nga GJKKO, parashikuar nga Ministria e Drejtësisë në momentin e depozitimit të projektligjit?
Sa ishte numri i përfituesve nga përjashtimi, ngandjekja penale parashikuar nga Ministria e Drejtësisë në momentin e depozitimit të projektligjit? Sa ishte kz umër, sa është ky numër pas miratimit të amnistisë?
Sa ishte numri i përfituesve nga ulja e dënimit, parashikuar nga Ministria e Drejtësisë në momentin e depozitimit të projektligjit në Kuvend?
Sa është numri i përfituesve nga ulja e dënimit pas miratimit të këtij ligji?

Unë nuk dua ta bëj këtë interpelancë një lojë të neveritshme shifrash dhe numrash sa kanë hyrë dhe sa kanë dalë. Arsyet e vërteta të miratimit të amendamenteve natën janë arsyeja politike ose do ta shfajësojë të gjithëve ju 110 deputetë që e miratuat amnistinë në atë kohë, ose do t’u ngarojë përfundimisht me një njollë të pashlyeshme. Sepse tashmë dihet fare mirë se cilat janë mesazhet e kësaj amnistie që iu dërguan publikut dhe jo vetëm publikut shqiptar. Por para se të tregoj se cilat janë këto mesazhe, dotë doja dhe do të jem sy e vesh për të parë se cilat janë përgjigjet e përfaqësuesit të qeverisë lidfhur me këto pyetje për të bërë dritë mbi atë që është një nga njollat më të errëta të veprimtarisë të këtij parlamenti. Kështu që pot ë pres Ulsi meqë ke qenë gjatë gjithë natës duke studiuar, po të pres që të japësh përgjigjet.'- tha Alibeaj.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ZAKAREL: 09/05/2024 11:44

    GENJESHTRA DUHET TE MOS FALESHIN TE DENUARIT E GJKO

    Përgjigju
  • Den: 09/05/2024 11:01

    Por populli vuan nga korrupsioni i vemjeve te vogla sepse me ata përballet per çdo sherbim publik Nuk mbaron kurre pune,po nuk dhe ryshfet Po ju nuk i ngacmonin,per me tepër dhe i amnistoni sepse me ata i vidhni financat publike

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

Ka një mënyrë të kuptohet, nëse politika është peng i këtyre bandave që po arrestohen

Ka një mënyrë të kuptohet, nëse politika është peng i këtyre bandave që po arrestohen