Përgjimet në burgun e Burrelit, korrik ’83, raporti sekret i një sigurimsi për të dënuarit për agjitacion e propagandë

Përgjimet në burgun e Burrelit, korrik ’83, raporti sekret i një sigurimsi për të dënuarit për agjitacion e propagandë

Memorie.al publikon një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Raport-informacion i Punëtorit Operativ të burgut të Burrelit, Vehap Kuka, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Butrinti”, lidhur me bisedat e bëra nga disa të dënuar në burgun e Burrelit, si: Xhavit Qesja, Maqo Çomo, Vaskë Gjino, Todi Lubonja, Fadil Paçrami, Bardhyl Belishova etj.

Marrë nga P.Op. V.Kuka

Dhënë nga B.p.”Butrinti”

Xhavitit

Burrel më 16/7/1983

Raport

Ai njofton se lidhur me 40 vjetorin e Ushtrisë Popullore nga të dënuarit anti-parti u pa një qëndrim mospërfillës, sidomos kur u dha urdhri i ditës nga Komandanti i Përgjithshëm, më tipikët në këtë qëndrim ishin: Maqo, Bardhyli, Xhaviti, Fadili e Todi, këta dy të fundit dëgjuan vetëm fjalën e hapjes së Presidentit. Me t’ia dhënë fjalën Ministrit M. Popullore, u larguan me mospërfillje dhe përçmim.

Por më kundër-vënës e demonstrativ, ishte qëndrimi i V. Gjinos. Ky kishte radhën e banjës-shërbimit. Enkas hynte e dilte herr në dhomë, herë në banjo, për të bërë zhurmë. Të nesërmen me tendencë vë pyetjen: “Ky urdhri i flamurit jepet edhe në kohë paqe…?! Po ky me emër M. M. Popullore, me çfarë dekorate u stolis?!”. Këto pyetje, përmes të cilave shpreh jo vetëm mospëlqimin, por urrejtjen e tija, i bëri në prezencë të Todit dhe Xhavitit. Asnjë përgjigje prej tyre. Ai i tha: “O Vask Gjino, pse i shtron pyetjet së prapthi? Se ti e di fare mirë motivet për të cilat jepen, dëgjove kujt dhe çfarë ju dha. Tjetër se nuk të pëlqen”?!

Vaska tha: “Ndryshoj kuptimin. Sa isha i ri, i kisha qejf, por më pas humba çdo kënaqësi”.

Ai njofton se ardhjen e të dënuarve rishtas e prisnin ose më saktë e mendonin, sepse përmes Rrahmanit, e dinin që ishin dënuar. Që të katër njiheshin dhe e njihnin njëri tjetrin prej kohe. Ndonëse disa kanë dekada që janë dënuar, si: Maqo, Xhaviti apo Bardhyli që është më i riu në moshë dhe pavarësisht nga ndryshimet që kanë pësuar në anën e jashtme, kjo nuk kishte fshirë nga kujtesa asgjë.

U pritën dhe u ndihmuan për t’u sistemuar. Mbi të gjitha u shfaq interesimi për të mësuar mbi qëndrimin e tyre, shkaqet e motivet përse u dënuan dhe si burim informimi për të njohur gjendjen jashtë. Nisi kështu një proces i ri për këta. U pyetën hollësisht, kur u arrestuan, ku i kanë familjet, kë kishin dëshmitar dhe deri në çështje intime.

Të ardhurit shprehën se Hetuesia ka qenë korrekte ndaj nesh thotë M. Prodani, nuk u ushtruan asnjë presion, as drejt për drejtë, as me ndonjë mënyrë tjetër. Vetëm në Berat ditët e para në një rast, krye-hetuesi më kërcënoi. I dhashë përgjigje. Po nga Berati na tërhoqën shpejtë. Në Tiranë ishim në kushte të mira…! Unë kam qenë i sëmurë. Pati kujdes sikur të isha në spital. Pa këtë ndihmë do të kisha mbaruar.

Me hetuesit patëm dhe mospërputhje, shtronin pyetjet, kërkonin përgjigje, dëgjonin edhe mendime. Hapur kam pranuar si në hetuesi dhe në gjyq, atë që më takon. Partia e humbi besimin, po unë i kam thënë e do ti them vetëm të vërtetën. Dënimi tonë është vazhdim i dënimit që ju bë B. Ballukut…! Lindi pyetja; kush i ka ndihmuar puçistët t’i shpëtonin dënimit?! Ç’farë t’u thoja?! As kam ditur, as di gjë, as për ata, e as për vete.

Kurse për të tanishmen, këto 10 vjet, as na pyeti kush, e as kishin përse të na pyesnin. Unë bashkë me fëmijët isha në kohën kur punoja. Ishim të izoluar. Me kurrkënd nuk takoheshim. Se ndodhte që kur dilnim rrugës, në ndonjë rast, na viheshin fëmija prapa, na shanin e na qëllonin me gurë. Në punë, deri edhe në familje na ndiqnin. Si pullë poste më ishte qepur Ilo Prifti. Shkoj puna sa në një rast, hapur pranoj, se i kërkohej të dinte e të raportonte mbi mua. Po pse more i poshtër në kurriz tim do të shpëtosh veten e djalin?! Po s’të kanë kërkuar, as të shpifësh e as të provokosh. Dhe po e bëre këtë, unë të kam një kazëm kokës”.

Halim Ramohito, në një bisedë të shkurtër që bëri me të, i tha: “Kam qenë në vende kyçe. Po jemi treguar sylesh, të nisur nga mendimi se kështu e ka ky e kështu e ka ai, pa patur parasysh vijën. Në këtë mënyrë i bëmë dëm Partisë dhe gjëmën fëmijëve, rrethit. Në hetuesi për një kohë e humba fare. Vuajta nga nervat. Tani jam disi më mirë”.

Edhe sipas të tjerëve ky e ka ndjerë më tepër.

“BUTRINTI”

Sqarim: Maqo, Fadili, Bardhyli, Xhaviti, Todi e Vaska, janë të dënuar anti-parti, ndiqen në përpunim aktiv 2/A për agjitacion e propagandë armiqësore, me përjashtim të Bardhylit që ndiqet si agjent i Zbulimit Sovjetik. Sadiku, Mehmeti, Abazi dhe Halimi, janë të dënuar antiparti, janë dënuar tani së fundmi.

Vlersimi: E dhëna ka vlerë operative, se në të dalin interesimi i të dënuarve të vjetër, për të mësuar mbi qëndrimin e të rinjve në gjyq e hetim, për çfarë krimesh janë dënuar, kush u ka dalë dëshmitar, interesimi për të mësuar mbi gjendjen jashtë, dalin reagimet e disa prej të dënuarve rishtas.

Detyra: B.p., ju dha detyrë që të bisedojë me të dënuarit anti-parti në përgjithësi, por edhe në veçanti me secilin, lidhur me dënimin e këtyre të rinjve, për të mësuar se sa kanë pasur dijeni për veprimtarinë agjenturore të armiqve M. Shehu, K. Hazbiu, F. Shehu, etj. Pse është gjithë ky interesim i të dënuarve të vjetër për të rinjtë?!

Masat Operative: E dhëna të studiohet nga drejtuesit e Degës, të shtypet sipas implikimeve, të shfrytëzohet për informacion në Ministri dhe për Buletinin e parullave armiqësore të muajit.

Punëtori Operativ

Vehap Kuka

Shënim:

U pa. Zv/Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme

27.7.1983

Dokumenti sekret i Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, me bisedat e bëra në burgun e atij qyteti nga të dënuarit: Muhamet Prodani, Vaskë Gjino, Todi Lubonja dhe Xhavit Qesja, të cilat janë zbardhur nga përgjimet me Teknikë Operative

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË  

Ekzemplar Nr. 2

Ministria e Punëve të Brendshme   Grupi i II-të

Dega e Punëve të Brendshme  Burrel, më 23.7.1983                   

Ana e Sigurimit

Nr. 33

Ndalohet riprodhimi!

Legjenda:

M. – Muhamet Prodani

V.  – Vaskë Gjino

T. – Todi Lubonja

Xh. – Xhavit Qesja

……………………………………Sqarimet e Punëtorit Operativ, T. Operative

I N F O R M A C I O N    

Mbi drejtimin me T.O. stacionare të dënuarit antiparti, Muhamet Prodani, Vaskë Gjino, Todi Lubonja dhe Xhavit Qesja, më datë 14.7.1983

T. – More po ky Sulo Kozeli, ku është?!

M. – Në………(nuk i kuptohet)

T. –  Atje vazhdon të jetë, hë…?

M. – Atje është.

V. – Po atje mundet.

M. – Jo them, është atje se është takuar me Abaz Fejzon, atje është dhe tani.

V. – Po nuk di se ja kanë arrestuar ndonjë djalë?

T. – Mos more…!

M. – Ëëëë…

T. – Po po, vetë ose djalin, ose të dy bashkë, se kështu u bë kjo, modë, e ç’i q….tëmën.

M. – ………….

T. – Po për politikë është…?

M. – Po ku e di unë, për agjitacion e propagandë.

V. – Po atë e futën në politikë…?!

M. – Po ishin aty në kaush, edhe të dënuar për politikë, edhe ata ishin.

V. – Ordinerë ultra…?

M. – Po ordinerë dhe i kishin fut për propagandë.

V. – Ëëëë…!

M. – Po ato ishin të çmëndur.

V. – Gango.

M. – Gango, kishim njërin nga Tomorrica, dënuar për agjitacion e propagandë.

V. – E eee

M. – Absolutisht, s’dinte dhe ishte analfabet, ishte dhe nipi i …..dhe absolutisht analfabet dhe s’dinte absolutisht asgjë dhe bile të shpjegonte vetëm lopët e viçat, dhitë.

V. – Po vetëm ato dinte?

M. – Edhe kur ishte ndonjëherë që më, mburresh mua, më shpjegonte se kam pasur lopë, po çfarë lope i thosha?

V. – Hëëë?

M. – Jo, e quanin kështu, e jo qesëndisin kështu, kështu e milnin, kështu kaq dinte dhe kishte qenë dy vjet me shërbim nga Elbasani dhe tha se jam dënuar për agjitacion!

V. – Politikanë?

M. – Oooo, politikan?

V. – Të rrojë politika.

M. – Kishte 10 vjet.

T. – Po pse xhanëm, pse i interpretoni kështu?

M. – Edhe të vëllanë e kishte pasur më parë.

T. – Po i ka bërë ai xhanëm, Mehmet Shehu me Kadri Hazbiun, për ta bërë popullin të pakënaqur.

M. – Po edhe tashti, për këto…………………..!

T. – Kanë arrestuar shumë Muhamet?

M. – Oooo, kanë arrestuar shumë.

T. – Po nga ato të Mallakastrës, shumë janë?

M. – Po tani siç na thanë, ata shumë janë, nja 10 apo 15, apo 20 veta kanë arrestuar.

T. – Edhe për këtë, ëëë?

M. – Po kisha një që e kam pasur partizan unë, një që ka qenë i plagosur në Tiranë dhe me një këmbë ishte, ishte kryetar komuneje.

T. – Po e morën dhe atë?

M. – Edhe ishte mbledhur populli në miting dhe ky me ato patericat vinte të shikonte.

T. – Se ç’bëhet?

M. – Llahtarisht dhe kur vajti atje, i thanë; futu këtu njëherë….

T. – Pu, pu, pu, pu!

M. – Futi dhe i dhanë 11 vjet burg.

T. – Pu, pu (qeshi).

V. – Megjithë paterica ai?

M. – Po megjithë paterica.

T. – Po pse, kanë qenë simpatizantë të Mehmetit?!

M. – Simpatizantë të Mehmetit, i kishte shkruar një letër Mehmetit, që të pamë të mërzitur në Kongres…(qeshi).

T. – Jo more…?!

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Pakistan/ 82 njerëz të vrarë në 3 ditë si pasojë e dhunës sektariane

Pakistan/ 82 njerëz të vrarë në 3 ditë si pasojë e dhunës sektariane