Përjashtimet e forta nga radhët e Partisë Demokratike, të ndërmarra nga Sali Berisha, janë një tjetër tregues, sipas avokatit Idajet Beqiri, se kjo parti është kthyer në një organizatë familjare që ka një qëllim: t’ia nxijë jetën jo vetëm PD-së, por mbi të gjitha Shqipërisë.

I ftuar në emisionin 'Studio Live' në Report TV, Beqiri kritikoi mënyrën se si Berisha po injoron nenin Basha nga statuti i partisë që kërkon prej tij dorëheqje të menjëhershme për shkak të humbjes së zgjedhjeve.Sipas tij, situata në PD aktualisht është 'për të vënë duart në kokë'.

“Atje është tmerr, është të vësh dorën në kokë e të ulërasësh. Statuti është ndryshuar, ku është neni ‘Basha’ që thotë se po humbe zgjedhjet do ikësh. Vetë e bëri atë nen, përse e shkel? Kush i ha justifikimet e Berishës? Ai është i humbur dhe nuk ikën nga kryetarllëku. Përse nuk i lë të tjerët të konkurrojnë? Berisha është i bindur që do të fitojë duke e kthyer partinë në organizatë familjare. Saliu është me mendësinë e diktaturës. Ai ia nxin jetën partisë, por edhe Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Beqiri në një analizë për emisionin “Studio Live” në Report TV.

Sipas tij Berisha është i humbur dhe duhet të heqë dorë njëherë e mirë nga posti i kryetarit të PD-së. Sipas analistit Fatmir Merkoçi, ndryshimi në PD vjen vetëm nëse nuk ndryshon mentaliteti.

“Ndryshimi vjen nga mentaliteti. Tek PD kushdo që të kandidojë nuk e fiton dot me Berishën. Ky defekt nuk është i sotëm, është trashëguar ndër vite. Le të marrim kandidimin e Sokol Olldashi me Lulzim Basha. Berisha mbështeti Lulin dhe ai fitoi. Pra është trashëgimi. Në Shqipëri mungon e djathta. PD nuk ka fraksione dhe nuk mund të funksionojë. Kandidatët që dalin janë individualë dhe nuk kanë një program”, tha Merkoçi.

Në listën e anëtarëve të përjashtuar përfshihen Rudina Alla,  kryetare e Forumit Demokrat të Gruas; Zheni Gjergji, e cila u emërua drejtoreshë në Spitalin e Elbasanit; dhe Alesia Balliu, e cila kishte shprehur ambicien për të kandiduar për kreun e PD-së kundër Berishës. Vendime të ngjashme u morën pak ditë më parë edhe  në Këshillin Bashkiak të Durrësit, ku Dritan Burgija dhe Arlind Boshku u shkarkuan pasi mbështetën lëvizjen e Ervin Salianji.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:41
Flamur Noka agjent i Serbisë? Beqiri për Report TV: U bë spiun në Prizren, 'ha' në një tas me Saliun

 

Avokati Idajet Beqiri ka akuzuar sot Flamur Nokën se është agjent i Serbisë dhe se është i përfshirë në disa vepra penale.

Sipas tij, vetë Noka ka në ngarkim 9 vepra penale, për të cilat, siç tha, ai i ka bërë kallëzim që në mars të vitit 2024.

“Janë 9 vepra të kryera nga Flamur Noka. Ka shumë vila Flamur Noka. I ka ikur truri i kokës sot.  Flamur Noka është i përfshirë në korrupsion si ministër i Brendshëm me kartat e identitetit dhe pasaportat. Sa dëm i ka shkaktuar popullit shqiptar ai! Kur ishte tek Enti i Banesave, çfarë pasurie i ka dhënë vëllait, motrës, çfarë mori vetë tek Liqeni. Është një pallat i kuq tek Liqeni, një kat e ka Shkëlzeni e një e ka Flamur Noka. Noka po hetohet për këto. Flamuri është agjent i serbëve. U bë agjent në Prizren. Saliu e bëri nga roje të selisë së PD në ministër të Brendshëm se është spiun i serbëve dhe ha në një tas me Saliun”, u shpreh Beqiri.

Ai shtoi gjithashtu se, sipas informacionit të tij, Noka është thirrur sot në SPAK për t’u përballur me këto akuza.

Ora 18:33
Mesazhet 'e koduara' të Spiropalit, Merkoçi: S'ka miqësi në politikë! Beqiri: I bën dëm vetes, s'ka poste të përjetshme

 

Mesazhet e 'koduara' në rrjete sociale të Elisa Spiropalit për situatën brenda Partisë Socialiste lexohen nga analistët si të lidhura me përplasje interesash brenda partisë dhe me reagime personale pas largimit nga posti i ministres së jashtme.

Në një analizë në “Studio Live” në Report TV, analisti Fatmir Merkoçi i cilësoi këto qëndrime si pjesë e një përplasjeje të brendshme brenda socialistëve.

“Duket sikur Spiropali ka nisur një betejë brenda PS. Sulmi kur largohesh nga posti është bërë si modë. Ndahen interesat dhe klanet brenda. Në PS ka klane. Për sa kohë politika shqiptare udhëhiqet nga ‘kalamaj’, nuk luftohet për kauza. Çfarë kauze mbron Spiropali? Kjo është pazar brenda partisë. Kjo ka ndodhur në të gjitha partitë. Politika s’ka miqësi”, u shpreh ai.

Ndërsa avokati Idajet Beqiri dha një tjetër këndvështrim, duke e parë situatën si një bumerang që në fund kthehet kundër vetë personit.

“Problemi është që edhe në familje ka mosmarrëveshje. Edhe në familjen socialiste është e qartë që fuqinë ta jep partia, nuk është individuale. Në një situatë të tillë, ajo i bën dëm vetes. Nuk bëhet fjalë për klane apo mendim ndryshe. Mund të ketë qejfmbetje, por po bëhen si të tërbuar sikur i kanë postet të përjetshme”, tha ai.

Reagimet vijnë pasi Spiropali, përmes mesazheve në rrjetet sociale, foli për një klimë ku, sipas saj, vendimet imponohen dhe debati shtypet brenda partisë.