Përkujtohet Dita Ndërkombëtare e Shërbimit Zjarrfikës, Balla: Kemi hyrë në fazë transformimi të thellë, duhet të krijohet edhe shërbimi vullnetar zjarrfikës

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Zjarrfikës, u organizua një ceremoni në sheshin "Nënë Tereza" në kryeqytet.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se shërbimi zjarrfikës duhet të arrijë në standardet më të larta, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve.

"Rruga jonë drejt anëtarësimit në BE, duhet ta transformojë edhe këtë Shërbim, që të jetë si në vendet më të përparuara", u shpreh ministri.

"4 maji, si Dita e Shërbimit Zjarrfikës, në Shqipëri lidhet edhe me 5 Majin, si Dita e Dëshmorëve, pasi edhe ky shërbim ka të rënë në detyrë", tha ai.

Ministri vlerësoi kontributin e tyre dhe tha se ndihej krenar për nivelin e përgatitjes pasi kishte ndjekur nga afër verën e kaluar dhjetëra raste ndërhyrjesh për shuarjen e zjarreve, por pranoi se në vite nuk është bërë sa duhet për këtë shërbim, për trajtimin dinjitoz.

"Por kemi filluar të çelim një etapë të re për mënyrën sesi duhet trajtuar ky shërbim, i cili ka hyrë në fazë transformi të burimeve njerëzore, apo mbështetje me infrastrukturën e duhur me mjete e pajisje, por edhe trajtimin e duhur financiar", tha Balla.

Në prag të sezonit turistik, e sezonit të zjarreve gjithashtu, që vijnë prej temperaturave të larta në verë, Ministri tha angazhimi është i plotë, e bashkë me të edhe eksperienca.

"Vitin e kaluar kemi patur më shumë se 500 raste shpëtimi, shumica turistë të huaj që duan të shijojnë në maksimum bukuritë natyrore të Shqipërisë, por që është dashur ndërhyrja për t'i gjetur, shpëtuar, evakuuar e kthyer në shtëpitë e hotelet ku qëndrojnë. E ndërsa numri i turistëve pritet të rritet, natyrshëm do të rritet kërkesa për operacione shpëtimi. Kemi filluar përgatitjet, po bashkëpunojmë edhe me partnerët të tjerë, ku dua të përshëndes Federatën e Aplinizmit. Por shembulli që na vjen nga vendet e tjera është që Shërbimi Zjarrfikës ka nevojë e na duhet edhe vullnetarizmi. Duhet ta zgjerojmë e të marrim modelet më të mira", nënvizoi Balla.

Shërbimi zjarrfikës ka aktualisht 1300 forca në 61 bashkitë në vend. Ministri ripërsëriti mesazhin se në këtë shërbim duhen njerëz të përgatitur, e nuk ka vend më për qoka.

"Të jesh punonjës zjarrfikës ka nevojë për shumë cilësi, fizike por edhe profesionale. Ndaj na duhen njerëz të përgatitur se përballen me sfida të vështira", apeloi Balla.

Të ftuarit ndoqën disa ushtrime të ndërhyrjes, të përgatitura nga trupa e shërbimit zjarrfikës.

Përgjatë sezonit turistik, Shërbimi Zjarrfikës, Policia e Shtetit dhe Urgjenca do të operojnë me një Trupë të Ndërhyrjes Teknike në disa pika të nxehta dhe të populluara, për të qenë në gatishmëri në raste emergjencash.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:16
Inaugurohet godina e re e Zjarrfikëses në Kavajë, Balla: Po punohet për një program të madh asistence me donatorë të huaj

Kavaja dhe rrethinat kanë një ndërtesë të re për Shërbimin Zjarrfikës të qytetit, si edhe mjete e pajisje të tjera për shpëtimin. Kjo falë mbështetjes nga Shoqata Austriake për Ndërtimin dhe Mbështetjen e Zjarrfikësve Vullnetar në Shqipëri.

Ceremonia për dorëzimin e ambienteve të rindërtuara u zhvillua sot, në Ditën Ndërkombëtare të Zjarrfikëseve. Në të morën pjesë Ministri Balla, Kryetari i Bashkisë Kavajë, përfaqësues të pushtetit vendor, të zgjedhur dhe donatorët.

Ministri i Brendshëm garantoi në emër të qeverisë se po punohet për një program të madh asistence ndaj Shërbimit Zjarrfikës, me donatorë, Bankën Botërore etj. për të përmbushur deficitet në infrastrukturë, kryesisht mjete e pajisje.

"Jemi në një faze të re të transformimit të këtij shërbimi dhe po ashtu i garantoj burrat, djemtë, por edhe vajzat që kemi në Shërbimin Zjarrfikës, për një vëmendje të shtuar, e cila duhet të fillojë nga trajtimi i duhur financiar i punonjësve të shërbimit zjarrfikës", u shpreh Balla.

Më tej, ministri i Brendshëm foli për domosdoshmërinë e shtrirjes së shërbimit vullnetar në këtë fushë, duke ndjekur si model suksesi Austrinë.

"Austria është një model për të cilin flas shpeshherë, sa here që mblidhemi me drejtuesit e Shërbimit Zjarrfikës. Ne  shqiptarët, pas viteve '90, sepse deri në vitet '90 vullnetarizmi ishte diçka shumë e përhapur, pas atij momenti jemi larguar vullnetarizmit dhe dua të jap një shifër që është shumë domethënëse, në Austri 99 % e Shërbimit  Zjarrfikës janë vullnetarë. Gjatë vitit të kaluar ne patëm kulmin e sezonit tonë turistik, edhe pse e di fare mirë që 2024 do të jetë një tjetër rekord, ne kemi pasur 500 misione shpëtimi kryesisht në zonat malore dhe jo vetëm. Edhe gjatë dimrit të këtij viti, kemi pasur raste ku na është kërkuar të ndërhyjmë përmes misioneve të shpëtimit. Prandaj është shumë e rëndësishme që përveç dimension të zhvillimit kundër zjarrit, ne të zhvillojmë edhe atë të shpëtimit", tha ministri Balla.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ju lutemi, bëni Detyrën!: 05/05/2024 00:26

    Rregulloni e zgjeroni Ndërtesat e Hapësirat e Pikave të Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë e kudo në Rrethe!..Shiko Pikën e Zjarrfikësve në Qytetin Studenti???!!.. Skandaloze! Aty te inxhinieri e Ndërtimit,po ndërtohet Komplekse Pallatesh ku shumë bukur mund të zgjeronin Hapësirat e reja të Zjarrfikësve???!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

GOLAT/ Fiorentina 2-2 Napoli, 'Vjollcët' lënë jashtë Evropës napoletanët! Shënon Rrahmani

GOLAT/ Fiorentina 2-2 Napoli, 'Vjollcët' lënë jashtë Evropës napoletanët! Shënon Rrahmani