Përmeti një gur i çmuar në Shqipëri, që ka nevojë ende për punë e vëmendje

Përmeti një gur i çmuar në Shqipëri, që ka nevojë ende për punë e vëmendje

Nuk mund t’i jap mend askujt për Përmetin, që për herë të parë në jetën time e vizitova këtë të diel të veçantë korriku. Por, disa përshtypje prej fillestareje, ndoshta mund të ndezin ndonjë ide, punë apo dëshirë, për cilindo që këtë qytet e ka të tijin, apo e mendon vërtetë si një gur të çmuar mes vlerave më të bukura të Shqipërisë.

Gryka e Këlcyrës apo e Mezhgoranit është emocioni i parë që të pret ndërsa nga Tepelena merr kthesën drejt Përmetit, ku malet përreth na kujtojnë se jemi grimca të vogla përballë gjithë asaj madhështie e bukurie. Me siguri është kjo grykë e janë këto male që u falën frymëzim, emocione e dashuri pa kufi vëllezërve Frashëri, të lindur në këto anë.

Me të mbërritur në Përmet, në orën e nxehtë të drekës, qyteti që laget nga Vjosa, e qetë dhe e fjetur dhe ajo në atë orë, shfaqet i pastër, i rregullt në qendër, e me kantiere rreth e qark që i kanë nxjerrë në sipërfaqe damarët dhe historinë: duket se ka një dëshirë të madhe për ta bërë të vlefshëm e të bukur.

Ato pak njerëz që hasim, na orientojnë me një buzëqeshje mikëpritëse e ta bëjnë mjedisin menjëherë të dashur e familjar, edhe pse është hera e parë në jetë që vëmë këmbë aty.

Surpriza e këndshme: “Villa Përmeti”, ku me miq kemi vendosur të kalojmë natën. E ndodhur mes shtëpive karakteristike me gurin me ngjyrë të veçantë në jeshil, të zi, gri, kafe e nuanca të pafundme, është rikonstruktuar aq me shije e bukuri, sa të lë pa fjalë. Thjeshtësia që vlerëson traditën dhe materialet e zgjedhura, është forca e kësaj vile me katër kate, ndërsa të rinjtë në recepsion, bar, restorant, janë ngrohtësia që e bëjnë një vend që të ngjall dëshirën për t’u rikthyer. Duket që është bërë me zemër dhe me pasion, ku edhe një maçok i vogël, me këmbën të përthyer lëviz si dëshmi e një të mbijetuari të shpëtuar nga njerëzit që në këtë vilë punojnë. Një qenush i lumtur qëndron përherë te dera si për të na thënë me bishtin që tund: Jeni në vendin e duhur. Fjalët për fjetjen, aromat, pastërtinë, kuzhinën, mëngjesin te “Villa Përmeti” janë të pamjaftueshme për të treguar mjedisin e këndshëm aty.

Dreka në restorant “Nëmërçkën”, pak larg Përmetit, ishte gjithashtu një surprizë: Tavolinat nën pemët e qershive dhe të një frashëri, (që na mbrojtën si nga vapa, ashtu dhe nga shiu i papritur), u mbushën me gatimet tradicionale: të shijshme dhe të pastra. Pastaj një kafe te Fanky bar në qendër, informacionet për qytetin që nuk e bëjnë asnjë përmetar të kursehet me çdo gjë që e pyet dhe i kërkon; një shëtitje nëpër rrugët ende të fjetura, ku një punonjëse e pastrimit të Bashkisë u tregua e gatshme të na përcillte vetë te një dyqan që nuk po gjenim e dëshiruam ta vizitojmë, na bënë të ndjehemi vizitorë të mikpritur dhe na e mbushën zemrën plot lehtesi e gëzim.

Pasditja në banjot e Bënjës ishte një ekperiencë me kontradikta, siç shpesh është i mbushur vendi ynë: rruga e mirë, natyra e mrekullueshme, zhytja në vaskat me ujin që të mbështjell me dashuri e me shpresa për një shëndet të mbarë, ndërthuren me disa gjëra që nuk shkojnë e që do të duhej fare pak për ta bërë një vend unik. Banjat janë perla e Përmetit dhe natyra e njerëzit i mbajnë pastër kryesisht, por disa rrugica prej druri a prej guri, ndonjë mbulojë me rrasat karakteristike apo kashtë në respekt të vizitorëve dhe të natyrës, një staf minimal për rregull e qetësi, do t’i jepnin vlerën e duhur që turistë shqiptarë e të huaj jo vetëm të shkonin t’i vizitonin, por edhe të mbruheshin me dëshirën e madhe për t’u rikthyer aty.

Një grup prej 10 apo më shumë djemsh të rritur të zonës, që luanin e pinin birra, të sjellshëm me fëmijë e të pranishëm, por kërcënues me të ngjashëm apo me ndonjë rival, në një moment që po i tregonin gjoksin e i hakërreheshin njëri-tjetrin, nuk ishte një skenë e qetë dhe e mirë. Për fat, diçka ndodhi në lumin në kanionin e Langaricës (ndoshta nga reshje në pjesët më të larta të tij), që papritur uji nga i cekët fare u kthye në një kërcënim për kë ishte përreth duke bërë që të harrohej çdo sherr apo fjalë e secili shpejt të shihte punën e tij.

Fshati i Bënjës sipër, duket si një ëndërr nga rruga poshtë, e përreth Përmetit ka bukuri, histori e personazhe që nuk do të mjaftonte një jetë e tërë për t’i ngritur në piedestal. Eshtë bërë shumë punë, por me shumë dëshirë, mund të viheshin në dritë disa gjëra që natyra ka vendosur t’i dhurojë pikërisht aty dhe pastaj përmetarët vetë, do t’ua rrëmbenin zemrat turistëve për ta bërë Përmetin një rival dinjitoz të Korçës, Gjirokastrës, e zonave rreth e qark.

Mbrëmja në “Villa Përmeti” u mbyll me gatimet me shije dhe me me fitoren e bukur të Italisë ndaj Anglisë dhe me marrjen e të kaltërve të kupës së Europës mes një atmosfere miqësore dhe freskut të një nate përmetare që dukej sikur kishte mbledhur gjithë aromat e maleve përreth e i kishte sjellë posaçërisht.

Nga Përmeti u larguam me pamjen në mendje të godinës në qendër ku në kat të parë është selia e PS, në të dytin ajo e PD-së dhe në të sipërmin ajo e LSI, ndërsa anash fotoja gjigande e Naim Frashërit, poetit tonë më të dashur, që sikur në forma e mënyra të ndryshme na shfaqet e kërkon të na kujtojë se punët e mira duhet t’i bëjmë bashkë, pa hile e të gjithë, për të përmirësuar veten dhe Shqipërinë e sikur na qorton: Po pak gurë të rrallë e të bukur ka Përmeti, që për qendrën, sollët këto të bardhët e plot të nxehtë të Gjirokastrës?! Kur gjërat bëhen, është e udhës dhe e këshillueshme të bëhen mirë...  

a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës

Meta në 'sulm', Milaim Zeka në 'Frontline': Arrestimet e mëdha bëhen fundjavave! Nuk mund askush të fitojë luftën ndaj Amerikës