Përplasja e parë/ Aida Hajnaj kërkon pavarësi buxhetore dhe administrative nga Arben Kraja! Ulsi Manja: Jeni një dhomë e ‘shtëpisë’ së SPAK-ut

TIRANË- Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, ku u shqyrtua buxheti i institucioneve të pavarura për vitin 2021, doli në pah për herë të parë një mosmarrëveshje mes drejtueses së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj dhe kreu të SPAK, Arben Kraja. Dy drejtuesit e strukturës së projektuar për goditjen e krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet në Shqipëri ishin të kënaqur me buxhetin e akorduar nga qeveria, por zonja Hajnaj kërkoi që Byroja e Hetimit të ketë buxhet dhe staf të pavarur dhe jo nën hijen apo si pjesë e SPAK. Ndërsa Kraja prezantoi objektivat buxhetore të strukturës në tërësi, përfshirë edhe BKH, Hajnaj tha se sipas ligjit, Byroja e harton e propozon dhe e menaxhon vetë buxhetin. Hajna kërkoi që BKH të menaxhojë vetëm burimet njerëzore dhe financiare. 

“Byroja e Kombëtare e Hetimit është një organ kushtetues. Kjo do të thotë se BKH duhet të ketë të drejtën për të propozuar buxhetin e saj vjetor, veçanërisht në menaxhimin e pavarur të këtij buxheti. Kjo do të ndikonte më mirë në mirëorganizmin e veprimtarisë informative, asaj hetimore dhe bashkëpunimin me agjencitë e tjera ligjzbatuese. Dua të them që kjo kërkesë nuk e cenon në asnjë moment garancinë e hetuesve për t’ju përgjigjur Prokurorisë së Posaçme në lidhje me procedimin penal, duke vepruar si një trup i vetëm. Në referencë të të gjitha dispozitave ligjore, unë kërkoj që BKH të jetë një program buxhetor më vete, brenda buxhetit të SPAK. Pra, të jenë dy programe buxhetore, një program për BKH dhe një për SPAK. Është e rëndësishme që të përcaktohet qartë buxheti jo vetëm për Byronë e Hetimit, por edhe për Policinë Gjyqësore pranë saj dhe për pjesën e administratës. Me qëllim që Byroja të jetë sa më efektive dhe e pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm i brendshëm apo i jashtëm, është e rëndësishme që të këtë ketë strukturën e vet administrative”, tha Hajnaj.

Ndërkaq, kërkesës së zonjës Hajnaj iu përgjigj kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili tha se Byroja Kombëtare e Hetimit është një dhomë e SPAK. Manja tha se Kuvendi nuk do të merret se kush qëndron në katin e dytë dhe cili në katin e tretë, por i intereson vetëm goditja e krimit dhe korrupsionit.

“Unë nuk e di se ku e cenon pavarësinë e Byrosë së Hetimit çështja e ndarjes së administratave. Nuk e konceptoj kështu unë hetimin. Drejtuesi i SPAK harton projektbuxhetin, thotë ligji, të SPAK, që përbëhet nga Prokuroria e Posaçme, buxheti i Byrosë së Hetimit dhe buxheti i policisë gjyqësore. Këtë kemi sot në Komision. U paraqit në përputhje me ligjin nga z. Kraja. E miratuam. Janë 164 punonjës të ndarë, 80 hetues të BKH, 20 prokurorë të SPAK dhe 64 shërbime mbështetëse për të dy degët e kësaj strukture. Porta e madhe quhet SPAK. Pastaj ku hyn atë ka dhoma. Një dhomë është Byroja e Hetimit, është Prokuroria e Posaçme dhe është edhe shërbimi i Policisë Gjyqësore, të cilat funksionojnë si një entitet. Pastaj, se si do të mbështesni njëri-tjetrin, brenda kësaj strukture, ligji ju thotë; Mos humbisni kohë, së bashku me z. Kraja, me drejtoreshën e DAP, rekrutoni punonjësit. Kush punon në katin e dytë dhe kush në katin e tretë, kjo është në funksion të qëllimit. Ne e kemi realizuar detyrën tonë si Kuvend dhe si qeveri. Kemi buxhetuar atë strukturë që ju keni propozuar sipas ligjit. Çështjet e tjera nuk na përkasin ne”, tha Manja.

Nga ana e tij, kreu i SPAK, Arben Kraja, u shpreh dakord me qëndrimin e deputeti Manja si dhe me buxhetin e akorduar. Por, zonja Hajnaj tha se “Ne jemi akorduar me Ministrinë e Financave, e cila na jep të drejtën e menaxhimit edhe për burimet njerëzore dhe financiare”. Ndërkaq, Ulsi Manja u shpreh se “Ministrinë e Financave e kemi prezent sot në Komisionin e Ligjeve dhe shpreh dakordësinë e plotës për buxhetin e propozuar nga Kraja”.

Gjatë mbledhjes së sotme, Komisioni i Ligjeve, edhe pse në kushte të pazakonta për shkak të tërmetit dhe covid-19, mbështeti pothuajse të gjitha kërkesat e krerëve të institucioneve të pavarura për nevoja buxhetore për vitin 2021. Sot u paraqitën për të dhënë mendim dhe prezantuar kërkesat të buxhetin përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë  së Përgjithshme, Shkollës së Magjistraturës, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshilli të Lartë të Prokurorisë, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisionerët Publikë, Inspektori i Lartë të Drejtësisë, Inspektori i Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, Komisioneri i Prokurimit Publik, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave, Komisioneri i Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, Autoriteti Për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

er.k./B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ha ha ha: 09/11/2020 17:40

    Kraja+Manja+Hajnaj=deshtim total i

    Përgjigju
  • UKU MOMLIT: 09/11/2020 17:11

    Ulsi,Ulsi! Mos u bej kaq i zi. Pavaresia e BKH eshte e rendesishme,jetike. Leri dhomat e hyrjen partiake e spurdhiake. Nuk shkon me:populli me kembe e partia ne balle. Mos gatuani qullin e Hashim Persheshit,se me keq do e pesoni.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja