Cilësimi “sekret shtetëror” i transferimit të Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në të Fierit mund të konsiderohej i tillë vetëm nëse kryebashkiaku do të gëzonte statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Sipas analizës së avokatit Arbër Hoxha në “Studio Live” në Report Tv, transferimi i të parit të Tiranës s’mund të vendoset nga kryeministri apo ministri i Drejtësisë.

“Transferimi i të paraburgosurve ose të dënuarve përbën sekret shtetëror vetëm në një rast, kur ai bën marrëveshje bashkëpunimi dhe përfshihet në programin e mbrojtjes së dëshmitarit. Në dijeninë tonë, Veliaj nuk ka statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. As kryeministri dhe as ministri i Drejtësisë nuk mund të vendosin mbi transferimin e një të dënuari”, tha Hoxha.

Duke u ndalur te takimi i së premtes midis Erion Veliajt dhe Toni Gogut, avokati shprehet se ka një sërë shkeljesh ligjore nga ana e ministrit të Drejtësisë.

“Ministri  Drejtësisë nuk mund të takojë persona të cilët janë të paraburgosur ose të dënuar. Nëse i takon, duhet të mbahet një karakter protokollar, jo vetëm brenda orarit zyrtar, të jetë i pranishëm sekretari protokollar, të mbahet procesverbali dhe mbi të gjitha, cila ishte arsyeja e këtij takimi. Duhet të takohet në ambiente të destinuara për këtë qëllim. Edhe takimi në zyrën e drejtorit, është në shkelje të hapur me ligjin”, tha Hoxha.

Lidhur me pretendimet e palëve për takimin, Hoxha thotë se SPAK duhet të nisë një hetim. Për takimin, Veliaj është shprehur se i është kërkuar të pranojë përfshirjen në protestat e flamingove, të dorëhiqet dhe të mos përfaqësohet nga Plarent Ndreca. Gogu liston si arsye verifikimin e kushteve ku mbahet kryebashkiaku.

“SPAK duhet të fillojë një procedim penal sepse fakti ka ndodhur. Ka një pretendim nga ana e Veliajt që duhet çuar deri në fund. Edhe sikur mos ta regjistrojë SPAK procedimin penal është në perogativën kryesore të Veliajt për të bërë një kallëzim penal të mundshëm”, tha Hoxha.