Petraq Kolevica: O shpirti
im përse rri zgjuar?

Petraq Kolevica: O shpirti<br />im përse rri zgjuar?
Me 11 janar 2014, arkitekti  dhe poeti  Petraq Kolevica  preku cakun e përvjetorit të tij të 80-të të lindjes.  Jeta e tij ka qenë një udhëtim i vështirë, ku trazohen  pesha e dënimit politik dhe  të jetuarit në një vend të mbyllur kur trillet e krijimit e përballnin gjithnjë me  kufij të gjithgjendur. Krahas profesionit të tij si arkitekt, ose më saktë në momentet më të vështira të karrierës së tij në arkitekturë, pasi u përball me akuzën për modernizëm,  Kolevica gjeti shpesh strehën tek letërsia.

Për publikun e kohës lidhja e tij me letërsinë ishin përkthimet. Por kjo vetëm për lexuesin e gjerë. Pasi në shtëpinë e tij ai kishte edhe një lexues tjetër, bashkëshorten e tij, e cila njihte krijimet origjinale të Kolevicës, poezi, ku revolta, akuza dhe mllefi ndaj regjimit janë kaq të hapura sa po t’ia zinin njerëzit e Sigurimit të shtetit këtë krijimtari, s’dihej ç’dënim do të merrte. 

Kolevica ka rrëfyer më vonë se këto krijime në vargje i ka mbajtur fshehur në shtëpinë e tij. Pas rënies së regjimit ka botuar diçka prej tyre dhe tani në dhjetor të 2013, ai vendosi ti mbledhë e ti botojë të gjitha këto krijime në dy vëllime me titullin “Të korrat e vona“.
Nga kjo krijimtari, ne kemi zgjedhur ti sjellim lexuesit një cikël, ku përfshihet krijimtari nga vitet e errëta të diktaturës dhe ajo e dekadave pas rrëzimit të regjimit komunist.
 
Biografi
Petraq Kolevica, lindi në Korçë më 11.01.1934. Në atë qytet kreu shkollën fillore dhe të mesme. Në vitet 1952-57 kreu studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin e Tiranës. Ushtroi profesionin e arkitektit, ku u shqua si projektues ndërtesash qytetare dhe u vlerësua me "Urdhër Pune" dhe "Çmim Republike". Në vitin 1991, nga kolegët, u zgjodh i pari kryetar i së parës "Shoqatë të Arkitektëve Shqiptarë".

Ishte ndër përkrahësit e parë të proceseve demokratike në Shqipëri, anëtar i Këshillit Botues të gazetës së parë me prirje të shtypit të lirë "Rilindja Demokratike". Më 1991 u zgjodh deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin e parë pluralist postkomunist. Krahas punës profesionale u mor dhe me krijimtarinë letrare. Filloi si përkthyes. Më 1961 botoi poemën "Demoni" të poetit M.J.Lermontov, të përkthyer nga origjinali rusisht. Më 1986 botoi antologjinë "Poezi gjermane dhe austriake" me përkthime nga origjinali gjermanisht dhe ka vazhduar me antologjitë "Poezi japoneze", "Poezi ruse", "Perla nga perlat", "Nektar poetik", "Zëra nga larg", në vitin 2000 "Poezi gjermane, austriake, zvicerane".

Më 1992 filloi me botimin e veprave me krijimtari origjinale në prozë duke botuar librin krejt të vaçantë për nga forma dhe përmbajtja "Lasgushi më ka thënë". Më 1993 botoi vëllimin me poezi origjinale "Këngë nga koha e keqe" më vonë me vëllimin "Të korrat e vona" duke vazhduar me romanin "Kuja e kohës" më 2002 me romanin me përmbajtje të veçantë "Varri i fshehtë" dhe më 2003 romanin "Zëri që thirri në shkretëtirë".
 
Poezi lirike dhe autobiografike
 
Dhe në jam këtu ku jam
Dhe në jam këtu ku jam
S’jam për faj ndaj njerëzisë
Por se s’di ti djeg thimjan
Në altar hipokrizisë
 
Dhe në jam këtu ku jam
Varros ëndërrat e rinisë
Po të tjera ëndërra kam
Që me shpijen drejt lartësisë
 
Se në jam këtu ku jam
Kaq i shtypur prej mërzisë
Do të vë në shpirt balsam
Nga balsami i poezisë.
 
Nocturne
Tani, kur tërë bota fle,
O shpirti im përse rri zgjuar?
Ç‘të ngre kështu në shtrat sa bje,
sikur me gjemba është shtruar?
 
Më dhembin plagët, plagët bre!
Që ditë përditë janë shtuar
Për këtë popull që po fle
Kështu verbuar e shurdhuar….
                                    Mars 1983
 
Eci rruges cale-cale
 Eci rrugës çalë-çalë
Nën sqetull-çantën me poezi
Kërkoj dikë të flas një fjalë
Kërkoj si Diogjeni një njeri.
 
S’e gjej e kthehem çalë-çalë
Të hyj në qypin tim shtëpi
Atje do mund të flas një fjalë
Me ty e ëmbla poezi.
                        18.06.1986
 

Dje prisha një numër telefoni,
Nje miku im na la…
Sot prisha një numër tjetër,
Një shoku im i vjetër,
Me grua me femijë,
Me iku në Kanada.
Kur do te vijë?
Nuk vij-me tha,-
Po do të të shkruaj letër.
Ç’e dua letrën vëlla?
Harromë dhe ti
Posi femijët e tu
Që s’do të vinë më këtu.
Dhe po të vinë, ata
Do flasin gjuhë tjetër
S’do të më thonë më
Xhaxha…
 
* * *
E dëbova qenin e mërdhirë
Që rrinte shtrirë
Te porta ime.
Ngadalë, ngadalë
I dobët,
Çalë- çalë, të ikte u çua.
Të mund të fliste ndonjë fjalë
Ç’do të më thoshte mua?
Hyra në shtëpi.
U ula të rri,
Po s’mundja që s’mundja ta harroja.
Ç’bëra! ç’bëra! –thoja.
Dhe dola përsëri
Ta ndaloja, ta ledhatoja.
Po ai kishte kaluar udhës përmatanë.
Makinat shkonin me furi
Ta shihja më s‘më lanë..
Bobo,-thashë,-bobo!
Kështu i dëbojnë kudo,
Në ç’do anë,
Kështu i dëbojnë dhe njerëzit tanë…
 
 
Jeta në diktaturë
 
Muret prej betoni
 Qytete dhe shtete dhe dete
Rrethoni me mure betoni
Dhe shpesh ëndërroni nga froni
Një fat faraoni për vete.
 
Qytete dhe shtete dhe dete
Rrethoni me mure betoni
Dhe njerëz flijoni sa doni
Dhe çmoni dhe mbroni skelete
 
Qytetet dhe shtetet dhe detet
Rrethoni me mure betoni;
S’ka vrimë prej nga do shpëtoni
Kur Brenda të bijen tërmetet
 
Qytetet dhe shtetet dhe detet
Rrethoni me mure betoni..
Tiranë, që vini dhe shkoni,
Për turp ju mbeten portretet.
                                    Shtator-tetor-1980
 
Të burgosurit
 
Dielli pa lerë
Futen në miniere
-Në skëterrë-
Me zemër të çjerrë,
Turmë njerëzore
E dënuar
E dëshpëruar
E mjerë…
Policë përpara
Dhe prapa të tjerë.
 
Dalin nga miniera
-Nga skëterra-
Të zinj si sterra,
me nerva të ndera,
Me tytyra të prera,
Qenie njerëzore
Të derrmuara,
Të dëshpëruara,
Të mjera…
Me roje përpara
Dhe prapa të tjera.
 
Në kapanone i fusin si derra
Në kapanone ku i grin era;
Lahen sa mos i zërë kolera
Hanë barishte të zjera.
Bien në gjumë të rëndë përhera
Me ëndrra,
Me zhgjëndrra,
me vrer e me tmerr të përzjera
Qenie njerëzore
Me emra të harruara
Të hutuara,
Të mjera,
Roja i ruan te dera
Rrotull-të tjera si grera.
                        Gusht 1979
 
 
Vajza e repartit të qëndisjes
 Ajo qëndiste përmbi pëlhurë
Ajo s‘qëndiste për vete kurrë.
Ajo qëndiste
Dëgjonte
S’fliste.
Ajo qëndiste dhe ëndërra stiste
Ajo qëndiste, por asgjë s’priste.
Ajo ç’qëndiste do desh ta griste.
Ajo qëndiste
Ajo qëndiste
Dhe herë-herë
Një lot i shkiste…
 
Rradha
 Rradhë
Rradhë
Rradhë.
Refren i përditshëm i jetës
Jetë e ngrysur në rradhë.
Rradhë me njerëz të ngrysur.
Fëmijë, që sterviten në rradhë,
Të rinj që rriten në rradhë,
Burra që mërziten në rradhë,
Pleq që stërviten në rradhë.
Në rradhë
Në rradhë
Në rradhë
Rri njeriu i zi
Në të ftohtë
Në erë
Në shi.
Rri pret si qen
Dhe ciknen ndjen
Gjer në kërthizë
Dhe pyet një
E dy
E tre:
„Do mbetet vallë dhe për ne
Gjizë?”


Plagë shqiptare
 
“E duam Shqiperinë si gjithë Evropa!”
 
Thërrisnin të rinj e pleq me shkopa
Thërisnin gra të dobëta me gjokset
                                    Si gropa
Thërrisnin nuse të zbehta me foshnjat hopa
Thërrisnin burra, gra, me jetën copa-copa
Thërrisnin ata, po s’i degjonte Evropa.
15.5.2006
 
 
Një vizë
 Një vizë, një vizë, një vizë,
Për në Amerikë a Kanada,
Dhe duke ngrenë bukë me gjizë,
Të shkretën vizë blejnë me para,
dhe shkojnë e s‘dihet në kthehen ata.
                                    3.3.2006
 
 
Në radhë,  te pensioni
 
Në radhë çdo muaj të marrin pension,
në rradhë çdo muaj ndonjëri mungon,
Si rrinë në radhë me shkopin mbështetës,
Me radhë, me radhë largohen prej jetës,
Pesëlekëshet mbetur në xhep të xhaketës.
                                                28.06.2006
 
Mbetën pa vjelë limonët
 
U mbetën pa vjelë të gjithë limonët,
U mbetën pa vjelë dhe gjithë portokallet,
Në fshat mbetën pleqtë të merren me pronat,
dhe po si tespijet numërojnë andrallat,
të rinjtë emigrojnë, se s’besojnë përrallat.
                                    04.01.2006
 

Vula e dashurise
 U puth, u përqafua,
Me nënën, me babanë,
U ndanë…
Tek dilte,
Portën puthi mënjanë.
Me burrin përkrahu
Ikën larg Shqipërisë.
Ikën, ikën ata.
Mirupafshim mama!
………………………………..
Dy buzë të kuqe la
Te porta e shtëpisë
Vulën e dashurisë.
 
 Shkrimi u publikua sot (16.02.2014) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane