Petrit Vasili: Koalicioni PS-LSI
promotor i reformave të mëdha

Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka deklaruar se koalicioni funksion dhe është në punë. I ftuar në emisionin “45 minuta” në Report TV, Vasili ka deklaruar se në përmbyllje të reformave do të ulemi dhe të diskutojmë që të nxjerrim konkluzione për të ardhmen e koalicionit.

Kemi një vit impenjativ përpara, nuk është koha e duhur për të folur për koalicionin. Kemi përpara aplikimin e reformës në drejtësi. Kërkohet një shtyse e re e ekonomisë.
Rëndësi ka ku do jetë Shqipëria në 2017 dhe jo ku do të jetë koalicioni. Në përmbyllje të reformave do të ulemi dhe të diskutojme që të nxjerrim konkluzione për të ardhmen e koalicionit
”, deklaroi Vasili për gazetarin Denis Minga.


Per Petrit Vasilin nuk ka një datë të fiksuar se kur do të nisin bisedimet për të ardhmen e koalicionit PS-LSI.

Reforma në drejtësi dhe reforma territoriale, janë reforma të mëdha të këtij koalicioni, i cili ka qenë promotor i këtyre reformave”, ka deklaruar Vasili

I pyetur nëse ky koalicion është më i miri në këto 25 vite , Vasili thotë se “E vërteta absolute nuk ekziston as në shkencë”.
 
I pyetur për çështjen e presidentit të ri, nënkryetari i LSI thotë se në marrëveshjen e Shkodrës mes PS dhe LSI nuk përmendet kjo çështje.
 
 Vasili thekson se marrëvëshja është për të qeverisur vendin dhe presidenca nuk është qeverisja e vendit duke konfirmuar se aktualisht zgjedhja e kreut të ri të shtetit nuk është në axhendën e dy partive.
 
Vasili ka folur edhe për reformën zgjedhore ku theksoi se nuk kemi të bëjmë me një reformë, por me një ligj zgjedhor që do rishikohet sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR.
 
Për Vasilin kemi të bëjmë më një proces më të lehtë dhe nuk mund të krahasohet më reformën në drejtësi që është shumë më e rëndësishmë.


Intervista e plotë


12 vite LSI, ai ishte vendimi i duhur për tu larguar nga PS në 6 shtetor 2004?

Krijimi i LSI ishte një vendim i pjekur, i zgjuar dhe vizionar. LSI çliroi energji të reja në të majtën shqiptare. Ajo zgjeroi spektrin e këndveshtrimit të gjërave. Politika doli përtej nacionalizimit partiak. E majta e kishte mbyllur hapësiren dhe peshën elektorale. LSI e zgjeroi atë. LSI rrezoi tabute ideologjike e partiake të së shkuarës. LSI rrëzoi disa modele të vjetëruara të një politike burokratike dhe pa kualitet. LSI i dha Shqipërisë një politike humane, të prekshme dhe jo bunkerizuese.

LSI, është një forcë e majtë apo elektorale?

Orientimi i LSI është i majtë, por jo ekstremalisht i majtë. Qendrimet e LSI janë tipike të një të majtë të qendrës. LSI është e orientuar në të majtë, por një e majte e moderuar, sipas modelit të së majtës evropiane. Profili i LSI nuk është elektoral. Në 2005, LSI mund të ishte pjesë e koalicionit që fitoi zgjedhjet. Qëndruam në opozitë në vullnet të plotë. “Dushku” na mori 5 deputetë. Në 2007 mbështetëm Edi Ramën. Bëmë të pamundurën për të krijuar një koalicon të majtë në zgjedhjet e 2009.
Ka pasur një refrektaritet të spikatur e të egër nga PS. Ne konkuruam të vetëm. Votat e LSI ishin një përgjegjësi e madhe historike. Diskutohej liberalizimi i vizave dhe stabiliteti i vendit. Vendimi në 2009 ishtë për t’i shërbyer integrimit të vendit dhe liberalizimit të vizave.  Koaliconi me PD ishte një vendim i drejtë. Zgjidhja ishte e detyruar.
U rikthyem në opozitë me të majtën, pasi PS bëri reflektim të plotë të së shkuarës së saj. LSI  ka qenë dhe është koherente, jo pjesë e profileve elektorale. Jemi parti e konsoliduar e qëndrës së majtë. LSI është parti korrekte e marrëveshjeve politike që bën. Ne i qendrojmë marrëveshjeve, jemi të ndershëm.

Deklarata e Ramës se ky koalicion ka ndërmarrë refomat më të mëdha në këto 20 vite është realiste apo populiste? 

Mendoj se është një deklaratë racionale.  Reforma në drejtësi dhe reforma territoriale janë reforma të mëdha të këtij koalicioni. Koalicioni ka qenë promotor i reformave të mëdha për vendin.
 

A është ky koalicioni më i mirë në këto 25 vite? 

E vërteta absolute nuk ekziston
 

Kur do të nisin diskutimet me PS për ecurinë e koalicionit deri tani dhe për të ardhmen?

Ende nuk ka një datë të caktuar për bisedime me PS, por gjithçka do të vijë në kohën e duhur.
 

Si e shikoni rezultatin e zgjedhjeve në Dibër ?

Koaliconi i majtë do të dal fitues në Dibër. Fushata po ecën në mënyrë intensive. 


Pse PD nuk e votoi ligjin e Vettingut?

E shihja të mundur votimin konsensual. Një pjesë e mirë e zemrës së ligjit ndodhet në kushtetute. Nuk shikoj asnjë pengesë të pakapërcyeshme. Është një mësim që të ecim më me kujdes për 6 ligjet e tjera. Shpresoj që PD t'i bashkohet mazhorancës për votimin e tyre dhe janë të gjitha mundësitë për këtë gjë.
Vettingu mbulon një pjesë të caktuar të reformës. Arkitektura e re ligjore ndërtohet me 6 ligjet e tjera. Nuk ka një ligj më të rëndësishëm dhe një ligj më pak të rëndësishëm.

Pse ende nuk e ka dekretuar ligjin e Vettingut Presidenti?

Nuk i komentoj veprimet e presidentit. Ka përgjëgjësi kushtetutese për të vepruar ose mosvepruar.


A po flet Meta me gjuhën presidenciale kur flet për kompromis bashkëpunim dhe konsensus?

Meta flet si inspirues i LSI. LSI ka lindur për të qenë përtej konfliktualitetit. Gjuha e Metës është konstruktive dhe bashkëpunuese. Nuk mund të lejojmë që Shqipëria të sillet si kapricoze. Meta militon për një Shqipëri të bashkuar. Meta e përmbush këtë mision. Jo kushdo mund ta bëjë. Meta ka një rol që disa të tjerë nuk e luajnë dot. Nuk mund të jemi larg për çeshtje që na bashkojnë.

Marrëveshja e Shkodrës a parashikon dhe zgjedhjen e presidentit ?

Nuk përmendet çështja e presidentit te marrëvshja PS-LSI. Marrëveshja është për të qeverisur vendin. Presidenca nuk është qeverisja e vendit.

A e forcon Koalicionin, futja e PDIU?

Çdo votë që i bashkangjitet koalicionit është e mirëpritur. I shërben reformave.

Cila është e ardhmja e koalicionit PS-LSI?

Kemi një vit impenjativ përpara, nuk është koha e duhur për të folur për koalicionin. Kemi përpara aplikimin e reformës në drejtësi. Kërkohet një shtyse e re e ekonomisë. Rëndësi ka ku do jetë Shqipëria në 2017 dhe jo ku do të jetë koalicioni. Në përmbyllje të reformave do të ulemi dhe të diskutojme që të nxjerrim konkluzione për të ardhmen.

Po reforma zgjedhore ? Mos jeni vonë për procesin?

Nuk kemi të bëjmë me një reformë zgjedhore por me një ligj , pra është një proces më i lehtë dhe nuk mund të krahasohet më reformën në drejtësi që është shumë më e rëndësishmë. Duhen bërë përmirësime dhe rishikime të ligjit zgjedhor. Ligji zgjedhor ka një dinamike. Rruga është e përcaktuar nga OSBE-ODIHR. Besoj se do të zgjidhet lehtësisht
Votimi elektronik ka patur dakordësi. Nuk është problem politik, por problem teknologjik. Politika është pro votimit elektronik. Sistemi zgjedhor nuk do të preket, është çështje e ezauruar. Direktivat e OSBE-ODIHR janë të qarta.

PD deklaron se reforma zgjedhore është më ë rëndësishmja nga të gjitha?

Nuk është reforma zgjedhore me e rëndësishme se reforma në drejtësi, por duhet mirëkuptuar dhe qëndrimi i opozitës që sheh reformën zgjedhore çështjen më të rëndësishmë

A do ti votojë shumica 6 ligjet e tjera të drejtësisë edhe pa kompromisin e PD?

7 ligjet kanë kaluar në Komisionin e Posaçëm. Opozita nuk mori pjesë, por ne nuk mund të bllokonim procesin.
Opozita është rifutur në procës, ky është lajm i mirë. 22 e ca nene të vettingut janë ndryshuar edhe me verejtjet e opozitës. Kam bindjen se do kemi sjellje konstruktive në 6 ligjet e tjera. Do kenë dashamirësinë e plotë të maxhorancës dhe opdat e euralius. Ka hapësira për të gjetur mirekuptim.
Nuk i mbyllim dyert opozitës, por të na bashkohet. Megjithatë, mazhoramca e tregoi vullnetin e saj me votën në rastin e ligjit të Vetingut dhe nuk do të ketë lëkundje në këtë drejtim.

A është Ilir Meta kandidat për kryetar të LSI në zgjedhjet që do mbani pas pak javësh brenda partisë suaj?

Po është kandidat për tu zgjedhur sërish kryetar i LSI. 

A ka kandidatë të tjerë ?

Për momentin nuk ka kandidatë të tjerë .



Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis