Petrit Ymeri: Ligji për librin duhet rishkruar nga fillimi

Ministria e Kulturës ka publikuar në faqen e saj zyrtare, për konsultim publik draftin e projektligjit me disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë” (2006). Ndonëse, qëllimi që përcaktohet është që ky draft-projektligj të përmirësojë situatën mbi librin edhe lexuesin, kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, shprehet se është befasuar nga ky veprim, që është bërë pa u konsultuar fillimisht me grupet e interesit.

“Të them të drejtën, unë e konsideroj një veprim të nxituar hedhjen e këtij dokumenti në faqen e Ministrisë së Kulturës, që është quajtur gabimisht projektligji i librit, pasi nuk janë bërë konsultimet edhe diskutimet me komunitetin e botuesve në radhë të parë, por edhe me të gjithë faktorët e tjerë, që i prek ky projektligj. Ne kemi diskutuar vitin e kaluar me Ministrinë e Kulturës edhe e kemi thënë, që ky ligj duhet rishkruar nga fillimi. Ky projektligj duhet marrë nga fillimi deri në fund, duhet rishkruar, duhet punuar edhe diskutuar. Nuk është serioze, që ky paraqitet si një projektligj i parë. Më vjen keq për këtë. Duhet diskutuar në Këshillin Kombëtar të Librit edhe të Leximit, edhe më pas duhet që të bëhet publik. Ky është një ligj, nuk është një shkrim gazete, në të cilin mund të reflektosh ditën e nesërme. Jam i befasuar”, shprehet kryetari i Shoqatës së Botuesve, teksa shton se ka qenë pjesë e hartimit të ligjit të librit në fillim të viteve 2000.

“Unë kam qenë në grupin e punës asokohe, por realiteti i punës së botuesve edhe i punës me librin kanë nxjerrë shumë nevoja të tjera, që duhet të reflektohen në ligjin e ri. Nuk bëhet duke riparë pikën 3, neni 3 etj. Nuk është punë serioze e MK-së”, shprehet më tej Ymeri.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve gjatë muajit maj i ka dërguar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi edhe krerëve të institucioneve të tjera një letër në të cilën rendiste disa nga shqetësimet kryesore, që ka libri sot në vendin tonë. Por, vetëm para disa ditësh, në Komisionin e Medies u mbajt një diskutim mbi librin

“Mbledhja është kërkuar që në muajin maj, por u deshën pesë muaj që të mblidhej Komisioni i Medies për të diskutuar për librin. Nga këtu duket se çfarë vëmendje i kujtohet librit tek ne, nga ligjvënësi edhe nga ekzekutivi njëkohësisht. MK ishte i pranishëm në nivel të dytë, MASR nuk ishte fare e pranishme. Ndërsa, Ministria e Financave ishte e pranishme me një drejtor të rëndësishëm, por ne nuk e kemi problemin me Ministrinë e Financave. Libri e ka problemin me MASR dhe MK. Ne kemi një sistem libror të varfër, pasi bibliotekat janë të pafurnizuara. Duhet që të vëmë në lëvizje të gjithë shoqërinë. Është një detyrë kushtetuese që t’i japim popullit librat. Nuk po kërkojmë çudira. Kemi kaq vite që bëjmë këto kërkesa, sepse kemi një sistem bibliotekar të amortizuar”, shpjegon më tej Ymeri, teksa rendit se kanë bërë disa kërkesë që të ulet tatimi mbi krijimtarinë letrare edhe artistike, për honorarët që marrin përkthyesit edhe autorët etj.

“Qëllimi është leximi edhe lexuesit. Nuk është normale, që Bibliotekat e shkollave nuk kanë libra. Furnizimi i fundit është bërë 2012. Nuk është normale që bibliotekat e qyteteve nuk furnizohet, nuk është normale që kryeqyteti ynë nuk ka bibliotekë qyteti, por vetëm biblioteka të lagjeve, që edhe ato janë të varfra. Në ligjin ekzistues kemi propozuar këto kërkesa, por çështja është sesa politika edhe ekzekutivi do t’i marrë parasysh kërkesat tona. Ne do të këmbëngulim në mënyrë qytetare. Edhe për draftin e projektligjit të librit do të kërkojmë një takim me titullarët e MK-së për të diskutuar, por të shikojmë se ku do të arrijmë”.

Ndërsa, rritjen e taksave mbi librin, Ymeri e quan rritje të taksës, që rëndon mbi lexuesit.

“Taksat mbi librin janë taksa mbi lexuesin. Për hir të së vërtetës kemi parë një ndryshim në kah pozitivë, në përmirësimin që u bë mbi TVSH-n e librit, por kemi shumë gjëra të tjera që rëndojnë mbi librin. Ministria e financave mbron pozitat e saj, pasi e shikon më gjerë se ne fushën e saj, bën krahasime me fusha të tjera, që unë nuk jam në gjendje që t’i gjykojë, se ku do të duhet më shumë vëmendje në turizëm apo mjekësi, sepse ne diskutojmë nga pikëpamja kulturore. Shoqata e botuesve po ngre probleme, po kërkon takime. Do kërkojmë mbështetje edhe në nivel ndërkombëtar, por shteti është më i fuqishëm, pasi nëse do të ekzistojë vullneti institucional punët do të shkojnë më mirë. Prandaj kërkojmë bashkëpunim për të përmirësuar punën”, shpjegon më tej Ymeri.

“Kjo situatë pasqyron defektet e  30 vjetëve të fundit. Për t’u përmirësuar kjo situatë do të duhen më shumë se 30 vjet, por ne nuk mund të presim, duke parë këtë mosinteres të institucioneve shtetërore. Ne nuk mund të themi se e ka fajin ky apo kjo. Por nga njëra qeveri tek tjetra secila qeveri ka përgjegjësit edhe mangësitë e veta, ai që dëmtohet është leximi edhe lexuesi. Kjo është çështja”.

Ndërsa, sa u përket politikave që janë ndërmarrë mbi leximin gjatë viteve të fundit nga institucionet shtetërore, Petrit Ymeri përfundon se nuk kanë ndikuar sa duhet pozitivisht në rritjen e numrit të lexuesve.

 

 

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë