Piktori grafist Musa Qarri, gjysmë shekulli krijimtari në një album profesional

Piktori grafist Musa Qarri, gjysmë shekulli krijimtari në një album profesional

Musa Qarri

Piktori grafist Musa Qarri ka publikuar kohët e fundit albumin e veprimtarisë së tij gjysëmshekullore. Një përmbledhje e plotë, e përgatitur me kujdes nga miqtë e tij artistë e bashkëqytetarë në Kavajë, Durrës e Tiranë, vjen në dy gjuhë dhe e pajisur me një aparat professional, ku nuk mungojnë konsideratat e artistëve në zë që nga vitet 1970 Kristaq Rama, Abdulla Tafa, Abaz Hado, Kujtim Buza, Arben Basha, etj.

“Njohës i thellë i botës së brendshme të njeriut” e përkufizon Muhamed Mahilaj “mjeshtrin e grafikës Musa Qarri”, duke rrugëtuar më pas në të gjithë krijimtarinë artistiketë tij.

Poeti Nazmi Roli, i cili është kujdesur për botimin shkruan se “në grafikën e Musa Qarrit bëjnë histori, njerëzorja, kategoritë estetike, karakteret, mohim pohimet e një realiteti në rrafshe kohore, ndjenja dhe emocioni, tradita dhe moderniteti, tematika dhe informacioni”.

Po cili është Musa Qarri, piktori që sot, më 1 shkurt, feston 78 vjetorin e lindjes dhe që e ka tejkaluar prej vitesh një gjysëm shekulli veprimtarie krijuese.

Përballë veprave të Musa Qarrit zbulon njëherazi edhe identitetin e autorit, krijimtaria artistike e të cilit ka kaluar përmes gjithfarë stacionesh, nga personazhet e librave në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” te nxënësit e talentuar në shkollat artistike të rrethit; nga kodrat e fshatrave të Kavajës te bregdeti I Durrësit.

Studenti grafist nga peisazhet në revista

“Prirjet e mija në grafikë i evidentoi për herë të parë pedagogu im, Ksenofon Dilo”. Musa Qarri, rikthehet në fundin e viteve 1960, atëherë kur në Institutin e Lartë të Arteve u përfshi për herë të parë edhe lënda e grafikës. “Vizatova një model me karbon, me një lehtësi që sipas prof. Dilos më dallonte nga të tjerët - kujton piktori, I cili që nga ai çast do ti kushtohej më shumë krijimeve në grafikë.

Megjithëse ishte ende student, gazetat dhe revistat “Pioneri”, “Fatosi”, “Ylli” dhe “Shqiptarja e re” i hapën vend punimeve të tij dhe Qarri u bë një nga bashkëpunëtorët e parë grafistë për të përjavshmet e njohura shqiptare.

Bashkë me studentë të tjerë nga Instituti i Arteve dhe fakulteti i letërsisë Musa Qarri udhëton për një javë radhazi nga Peza drejt Helmësit të Skraparit. Blloqet filluan të mbushen me përshtypjet që studenti i pikturës mblidhte në çdo çast. Peizazheve të natyrës iu shtuan edhe personazhet e shumtë që në vitin 1970 iu përkushtuan elektrifikimit të fshatrave në të gjithë vendin.

Musa Qarri kishte krijuar ciklet e para tematike, të cilat i bindën pedagogët e arteve figurative se piktori i ardhshëm duhet të paraqitej me një punim diplome të mbështetur plotësisht te grafika.

“Vallja e dritave” një cikël me peisazhe në linoleum do ta bënte Qarrin grafistin e parë të diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Punimet zenë vend menjëherë në Galerinë Kombëtare të Arteve, duke dëshmuar jo vetëm për talentin, por edhe për këmbënguljen e artistit të ri. Bashkë me to dallohet edhe cikli i parë i tij me titull “Dhe ne luftuam”. “Janë 27 faqe të punuara me gomë arabike, një nga teknikat e para e të vështira të punës grafike-dëshmon Musai.

Grafika, pasaporta për kopertinat e librave

Cilësia e grafikave të Musa Qarrrit u bë pasaporta më e mirë për të ardhmen e tij profesionale. E emëruan në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Fillon një periudhë e ethshme pune dhe kërkimi.

“Kam botuar afro 60 kopertina, si dhe cikle të plota për librat e ilustruar. Ishte një punë e bukur, gjatë së cilës fillova të kërkoj rrugë të reja, jo vetëm për teknikat, por edhe për formën e përmbajtjen artistike të punimeve që udhëtonin në mijra duar, së bashku me librat e botuar”.

Ndërkaq Musa Qarri është pjesmarrës I rregullt në ekspozitat që organizoheshin në data jubilare apo me raste festash. Fillojnë të ndjehen rezultatet e kërkimeve të tij, të cilat mund të përktheheshin edhe në pasoja. Ndonjëri prej punimeve mbetet në studion e autorit për shkak të këshillave të miqve, të cilët ndjenin rrezikun e etiketimit të tyre si “vepra moderniste”. Sidoqoftë, tablotë e Musa Qarrit në vitet e izolimit të madh arrijnë të kalojnë edhe kufirin shtetëror. Ato ekspozohen në Kosovë në vitin 1972, ndërsa në vitin 1983 vepra “Asfaltimi I rrugëve” vlerësohet me Medalje në Bienalen e Aleksandrisë (Egjypt).

Por suksesi i dytë Musa Qarrin e gjen në Kavajë

Në vitin 1975, kur era e liberalizimit ia kishte lënë vendin konservatorëve anadollakë, grafistin e njohur e dërguan në Kavajë. Musa Qarri fillon të punojë si mësues në shkollën e mesme artistike “Aleksandër Moisiu”. Një grup nxënësish të talentuar kavajas bëhen mbështetja e piktorit të formuar.

“Gëzim Tafa, Fatmir Musai, Muhamet Mahilaj dhe Stefanaq Sotja janë disa nga të rinjtë, që tani janë piktorë të afirmuar, jo vetëm sepse kanë janë diplomuar në Akademi, por mbi të gjitha sepse talentin e ushqyen me punë këmbëngulëse-rrëfen Musa Qarri, pa dashur të ndalet te kontributi i tij i pazëvendësueshëm në arritjet e ish-nxënësve.

Në kërkim të subjekteve

Në këtë periudhë piktori fillon ti kërkojë subjektet e punimeve të tij në fshatrat e Kavajës. Shkrimtari kavajas Nazmi Roli kujton ekspozitën që u hap në fshatin Kryevidh. “Kinemaja, vendi ku u vendosën mbi 100 grafika dhe piktura ishte mbushur plot me fshatarë dhe megjithëse në fjalën prezantuese një nga autoritetet e kohës e lexoi “pistil” fjalën “pastel” unë vija re se Musai ndjehej mirë-tregon Nazmiu. Më pas ai hapi edhe dy ekspozita të tjera, në Synej dhe në Helmës, duke sjellë përsëri vizatime me penë”.

“Më pëlqen motive i fshatit dhe ekspozita e parë që kam hapur në Kavajë, ka patur shumë tablo, të inspiruara nga udhëtimet në fshatra-I kthehet bisedës Musa Qarri.

Laboratori krijues I Musa Qarrit nuk ka receta të përcaktuara, as data për dorëzimin e punimeve. “Unë nis njëlloj siç bën një futbollist nxemjen: ulem dhe zhgarravis atë që kam në kokë dhe që fillon të qartësohet sa më shumë shoh vizat që saktësojnë motivin”.

Musa Qarri që prej 15 vjetësh banor i qytetit të Durrësit i ka kërkuar edhe përjetimet e bregdetit duke shëtitur herët dhe duke hedhur emocionet e para në letër. “Ja, ky peisazh këtu e ka qiellin e errësuar, por ndoshta atë ditë e kam parë unë kështu”.

Në krijimtarinë e Musa Qarrit dallohet cikli i grafikave për Aleksandër Moisiun me 55 grafika. Kur hapen ekspozitat e Musa Qarrit në Galeritë e Arteve thuajse nuk ka gazetarë. Diçka që e ka parathënë kritiku Abdulla Tafa: “Musa Qarri nuk është piktor mediatik. Në grafikë ai është krejtësisht i pazakontë, dhe modernizmi i koduar i tij ka mbetur ende i padëshifruar”.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë