Dosje/ Abdyl Banushi, sigurimi në alarm për dy bomba të tjera në ambasada

Dosje/ Abdyl Banushi, sigurimi në alarm për dy bomba të tjera në ambasada

Abdyl Banushi, emigrant politik që donte të përmbyste regjimin komunist në Shqipëri

Në fillim të viteve nëntëdhjetë i burgosuri politik Abdyl Banushi, i porsaliruar prej ndryshimeve të sistemit shoqëror në Shqipëri, i propozon shkrimtarit Mihallaq Qilleri t’i redaktojë e përshtasë për botim një libër të tij me kujtime. Qilleri e ndihmon dhe libri u publikua nga një shtëpi botuese periferike. Në këtë libër mes të tjerash Banushi ngul këmbë se, i ndihmuar nga shteti amerikan, ka hyrë disa herë në Shqipëri për diversion, në njërin rast edhe për të vrarë Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun në tribunën e festimeve të 30-vjetorit të çlirimit. Po ashtu tentuar për të hedhur në erë ambasadën kineze.

Dy hetuesit në aktakuzën e tyre të prillit 1976, duke heshtur për tezën se Abdyl Banushi ka dashur të vrasë Hoxhën, por ndërkohë duke provuar se ai ka qenë njeriu kryesor i hedhjes gjatë vitit 1974 (prill dhe shtator) të eksploziveve të fuqishme në mjediset e ambasadave shqiptare në Romë dhe në Paris, autori i këtij cikli shkrimesh në zbardhje të së vërtetës, paraqet për herë të parë dokumente si mendohej në ambasadën shqiptare në Romë për autorësinë e shpërthimit, si edhe i referohet librit “Emigracioni shqiptar në SHBA”, pjesa e dytë, të zbuluesit politik Meno Dedaj, punonjës nga vitit 1978 deri në 1983, në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në SHBA.

Meno Dedaj tregon se si, për të verifikuar emrat e afro tetëdhjetë emigrantëve antikomunistë shqiptarë në SHBA njësiti i tyre i zbulimit, i përbërë nga tre vetë, verifikoi një për një nëse të deklaruarit prej Abdyl Banushit në hetuesi si bashkëpunëtorë të tij, qenë të tillë apo jo.

Këto janë ngjarjet e trajtuara ne dy shkrimet e një cikli prej 5 specialesh që Shqiptarja.com ka nisur ti botojë që prej dy ditësh. Sot për lexuesit tanë vjen  shkrimi i tretë i këtij cikli ku trajtohet se si Sigurimi i jashtëm i Shtetit Shqiptar mori masa për ta neutralizuar Abdyl Banushin.

Pjesa e tretë

Pasi në 21 maj 1974 u krye shpërthimi terrorist në ambasadën shqiptare në Romë, sipas aktakuzës së hetuesve Sokrat Çomo dhe Dhimitër Beshiri, shpallur ndaj të pandehurit Abdyl Banushi në 13 prill 1976, në qershor 1974 ngjarjet patën marrë këtë rrjedhë: “Pas kthimit në Nju-Jork të Abdyl Banushit dhe dy partnerëve të tjerë të grupit që drejtonte ai, u zhvillua mbledhja e kryesisë së organizatës në të cilën i pandehuri Abdyl Banushi, Ibrahim Rushiti dhe Prenk Lumaj raportuan mbi realizimin e detyrave të ngarkuara. Në këtë mbledhje, dy të fundit raportuan se pas ndarjes me të pandehurin vazhduan udhëtimin për në Ohër të Jugosllavisë dhe prej aty, nëpërmjet Shën-Naumit kaluan ilegalisht kufirin jugosllav-shqiptar në zonën e Pogradecit, u futën rreth 800 metra në thellësi të tokës sonë dhe pasi ndeshën në rojet tona kufitare, u larguan me panik në drejtim të territorit jugosllav, duke lënë në vendin e ngjarjes një çantë me lëndë eksplozive, materialet propagandistike, mjete notimi e pajisje të tjera, të cilat u gjetën nga organet tona dhe që administrohen në dosjen hetimore”.

Zbuluesi Meno Dedaj i Njësisë Speciale të Nju Jorkut në librin e tij “Emigracioni shqiptar”, pjesa e dytë, do të shkruajë kështu: “Me ndihmën e P. L., tre muaj më vonë nga shpërthimi në ambasadën shqiptare në Romë, Avdul Banushi bëri akt të kësaj natyre kundër Ambasadës sonë në Paris”.

Për këtë ngjarje dy hetues-prokurorët në aktakuzën e tyre janë shprehur: “Më 13 shtator 1974, i pandehuri Abdyl Banushi, i ngarkuar nga kryesia e organizatës, së bashku me Lek Harapin e Sadik Mark Sadikun, të arratisur shqiptarë me banim në Paris dhe anëtar të kësaj organizate, kryen aktin tjetër terrorist, duke vendosur lëndë eksplozive në Ambasadën e RPSH në Francë. Megjithëse i pandehuri Abdyl Banushi pretendon se këtë vepër kriminale e kanë kryer Lek Harapi e Sadik Mark Sadiku dhe se ai personalisht nuk ka marrë pjesë në kryerjen e saj, nga provat e administruara në dosjen hetimore dhe konkretisht letra e Mexhit Dibrës, sekretar i Komitetit “Shqipëria e Lirë” drejtuar të arratisurit shqiptar Anton (Ndoc) Gjelaj, me banim në Greqi, dërguar dorazi me të pandehurin Abdyl Banushi në fund të muajit gusht 1974, si edhe deponimet e dëshmitarit Tom Mernaçaj, vërtetojnë ardhjen e Abdyl Banushit në Greqi për t’u furnizuar me lëndë eksplozive dhe pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në kryerjen e këtij krimi”.

Zbuluesi politik Hasan Luçi, me punë këtë kohë në ambasadën shqiptare në Francë, do ta tregonte disa herë pas vitit dymijë këtë rrethanë agresioni. Ai ka pohuar se shpërthimi ndodhi rreth orës 01:30 pas mesnate, kur i ra zilja e telefonit në apartament dhe zëri i alarmuar i dezhurnit të ambasadës, godina e të cilës ndodhej në “Rue  De La Pompe”, Paris 16, e njoftoi se aty sapo pati ndodhur një plasje dhe se pas kësaj përreth shihte rënoja, tym dhe se porta e madhe e hyrjes qe shumë e dëmtuar. Po ashtu qenë thyer xhamat dhe prishur një pjesë e murit rrethues. Dëme, raportonte punonjësi dezhur, ishin bërë shumë edhe te banorë të asaj lagjeje, sepse rrezja e tronditjes nga shpërthimi pati shkuar deri në një kilometër.

Nga kqyrja në vendin e ngjarjes rezultoi se eksplozivin e kishin vënë, duke kaluar kangjellat e murit rrethues, nga brenda portës së jashtme.

Ta rrëmbejmë në Nju Jork apo ta fusin me kombinacion në Shqipëri?  

Ndërsa në Romë ambasada shqiptare besonte se në atentat të selisë së saj qenë fashistët italiane dhe ndërkaq policia vendase nuk arriti ta identifikojë Banushin si  dinamitvënës, edhe në Paris ai pati fat të mbetej i fshehur. Menjëherë pas shpërthimit në ambasadën shqiptare me një deklaratë publike autorësinë e mori Leka Zogu dhe njerëzit e tij të krahut të armatosur.

Por në Tiranë, në Shërbimin e Jashtëm Informativ, tashmë gjithçka qe kthjelluar dhe i eardhi radha kundërveprimit. Abdyl Banushi i kish dhënë të gjitha provat se qe i dhunshëm dhe i pandalshëm, terrorist i klasit të parë, i cili kryente gjithçka që vendoste. Ata analizuan edhe njëherë karakteristikat e tij individuale: impulsiv, megalloman, i paqëndrueshëm, duket si me çekuilibrime mendore, hamendësues, shpifës, intrigant, thashethemaxhi, mashtrues, ëndërrues me sy hapur, pa sens analize, me kujtesë të jashtëzakonshme dhe gjendje mjaft të mirë fizike, shumë kokëfortë e tepër këmbëngulës në mendimet dhe qëllimet e tij, njeri i futur që vazhdimisht kërkon të tërheqë vëmendjen e të tjerëve, trim.

Sipas pjesëtarëve të Njësitit Special të Zbulimit në Nju Jork, shumë shqiptarëve në qytetin e madh amerikan  Abdyl Banushi u kishte propozuar të futeshin në të futeshin në organizatën e “Frontit të Rezistencës Antikomuniste (Antistaliniste)”. “Disa “burimeve” tona, i raportonin ata qendrës, u ka propozuar të bashkohen me të dhe të futen në Shqipëri… për të kryer veprime të bujshme… për të vrarë E. Hoxhën e M. Shehun”.

Kështu Banushi i plotësonte të gjitha kriteret për t’u cilësuar shumë i rrezikshëm dhe në mos nuk do të kishte mundësi t’i realizonte objektivat e tij për të likujduar fizikisht udhëheqjen e lartë të vendit, edhe në rast dështimi bujën mediatike në Perëndim do ta shkaktonte po aq kanosëse.

Asnjëherë më parë në historinë e shtetit komunist shqiptar organet e shërbimit të fshehtë nuk qenë ndeshur me një rast të tillë. Përballja me Banushin kërkonte inteligjencë maksimale dhe sidomos përdorimin e metodave dhe mjeteve profesionale, aspak të atyre politiko-propagandistike.    

Shkruan Meno Dedaj, pjesëtar në vitet 1978-1983, i Njësitit Special të Zbulimit në Nju Jork, me punë të kamufluar diplomati në Misionin e Përhershëm të Shqipërisë në OKB: “Para nesh shtroheshin dy mundësi: E para, ta neutralizonim në Nju-Jork. Për kushtet tona, për forcën zbuluese që e rrethonte, me informacionin që dispononim dhe në mjediset e rrethanat ku ai jetonte, kjo ishte plotësisht e mundur. Disponohen plot mënyra për ta likuiduar pa rënë në sy. Raste të tilla në veprimtarinë e zbulimeve ka me tepri. Në veçanti UDB-ja (por edhe  KGB-ja, CIA e të tjerë) ka zhdukur me shumicë kundërshtarë të saj, apo ata që tradhtonin. Kurse për organin  tonë një veprimtari e tillë ishte kategorikisht dhe rreptësisht e ndaluar. Vrasjet ishin rreptësisht të ndaluara me një urdhër të Enver Hoxhës që në mesin e viteve 1950 – 1960, kohë kur iu paraqit një propozim i tillë nga disa bashkëpuntorë të zbulimit, të cilët me iniciativën e tyre kërkuan të kryenin një akt të tillë në oborrin e Ahmet Zogut. Veç kësaj, te shumica e punonjësve tanë dhe te forca jonë zbuluese në Nju-Jork mbizotëronte mendimi se Avduli është njeri të cilit i pëlqen të duket, një tip delirant e aventurier, që duhet të paguajë për veprimtarinë e vet, por duke iu nënshtruar ligjit nëpërmjet një gjykimi publik që do t’ia çirrte maskën “patriotike„ dhe të dilte në shesh fytyra e tij e vërtetë: vegël e spiunazhit të huaj etj. E dyta, nuk vërtetohej që shumë nga të implikuarit prej Avdul Banushit, të kryenin aktivitet armiqësor kundër Shqipërisë. Për këto arsye, që të kapej e t’i nënshtrohej hetuesisë, ishte rrugë më e këshillueshme dhe më e pranueshme”.

Vijon shpjegimi i Meno Dedaj: “Së pari, kjo alternativë kushtëzohej: 1. Nëse ai do të ndërmerrte veprime konkrete për t‘u futur në Shqipëri. 2. Nëse do të binte në grackën e ngritur nga ne. 3. Në fund të fundit, nëse do të mund ta kapnim të gjallë”.

Më tej Dedaj përqendrohet në pikën e tretë: “Arrestimi me kombinacion në Nju-Jork realizohej. Mirëpo pastaj prurja, dërgimi i tij në Shqipëri nuk numërohej tek hapat praktikisht të realizueshëm. Mos nga paaftësia jonë? S’kishte lidhje me aftësitë tona, por me kujdesin tonë të jashtëzakonshëm: konsiderohej çështje që mund të na vendoste në përballje me organet amerikane të rendit etj., çka për marrëdhëniet shtetërore dypalëshe në atë kohë ishte pak të shkohej vetëm në skandal diplomatik”.

Dhe Meno Dedaj konkludon: “U la….kjo rrugë... Vihej në fije të perit prestigji ndërkombëtar i Atdheut!”

Gati për të hedhur në erë edhe dy ambasada të tjera në Vjenë dhe në Tiranë

Tashmë Abdyl Banushi nuk mund të kryente asnjë veprim kundër regjimit të Tiranës pa u ditur dhe përgjuar kjo gjë nga dega e jashtme e Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Por këtë situatë të re ai as e shkonte nëpër mend, po ashtu edhe ata bashkëpunues me të, prapa nxitjes së të cilëve kishte mister për forcat dhe duart që i shtynin.

Ai nisi një fazë të re të luftës së tij të armatosur kundër Enver Hoxhës dhe sistemit të tij politik stalinist. Mes të tjerash do të hidhte në erë dy ambasada të tjera. Në aktakuzën e dy hetuesve Sokrat Çomo dhe Dhimitër Beshiri për këtë zhvillim të ri në veprimtarinë antikomuniste të Banushit thuhet: “Në vazhdim të kryerjes së detyrave të planëzuara nga organizata “Fronti i Rezidencës Antistaliniste Shqiptare” në kuadrin e 30-vjetorit të çlirimit të atdheut, i pandehuri Abdyl Banushi, së bashku me dëshmitarin Tom Mernaçaj, me datën 10 nëntor 1974 u nisën nga Nju-Jorku për në Shqipëri, me qëllim për të kryer detyrat e ngarkuara nga kjo organizatë dhe konkretisht: Të hyjë ilegalisht në RPSH si drejtues i një bande të armatosur, të kryejë vepra terroriste duke vendosur lëndë eksplozive në Ambasadën e RP të Kinës dhe në monumentin e J.V. Stalinit në Tiranë, të verë në shërbim të organizatës elementë armiq të pushtetit popullor, njerëz të deklaruar e të dënuar për krime kundër shtetit, për t’i pasur baza të zgjerimit të veprimtarisë së tyre armiqësore dhe kryerjen e veprimtarisë së spiunazhit, t’u dërgonte prej këtu ambasadave të shteteve të huaja të akredituara në RPSH memorandume protestë në emër të organizatës, me qëllim për të provokuar ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike të këtyre shteteve në vendin tonë; të shpërndante materiale propagandistike me përmbajtje të theksuar armiqësore kundër pushtetit popullor dhe në kthim të vendoste lëndë eksplozive në Ambasadën e RPSH në Vjenë”.

Më tej: “Natën e 28-29 nëntorit 1974 i pandehuri Abdyl Banushi pasi u furnizua me lëndë eksplozive në bazën e tyre në Greqi, i ndihmuar nga të arratisurit Nikolla Plasoti, Lefter Guveli, Gaqo Gaqi e Arqile Tasho, të njohur si agjentë të zbulimit grek e amerikan dhe të përdorur nga ana e tyre në veprimtari diversioniste kundër vendit tonë, tentoi të futet ilegalisht në Shqipëri, në zonën e Konispolit, por për shkaqe të pavarura prej tij u detyrua të kthehet”.

Sipas Njësitit Special të Zbulimit Shqiptar në Nju Jork,  në nëntor 1974 Avduli vetë i tretë u nis nga Nju-Jorku në Athinë, prej andej në Janinë; aty mori kontakte me Lefter Guvelin dhe Nikolla  Plasotin. Këta ishin vlleh të arratisur në Greqi më 1951; të dy e spiunonin Shqipërinë në favor të zbulimit grek dhe kjo qe e dokumetuar katërcipërisht në Tiranë, në dosjet e tyre.

Këtu e dinin hollësisht se Lefter Guveli mbante një sasi armësh luftarake në një magazinë të tij dhe ia premtoi Abdylit që të pajiste me armatimin përkatës grupet diversive për në Shqipëri. Ndërkaq njeriu tjetër i grekëve, Nikolla Plasoti, mori përsipër ta shoqëronte Abdylin deri në vijën e kufirit. Ky në këtë periudhë punonte me një taksi në Igumenicë. Kur Banushi i kërkoi ndihmë për t’u futur në në rrethin e Gjirokastrës, Plasoti i foli përgjithshëm dhe theksoi se futja në Shqipëri konsiderohej me rrezikshmëri të lartë. Pastaj shtoi se, sapo të kalonte kufirin, do ta denonconin e kapnin.

Lidhur me bazat që i nevojiteshin Abdylit, vllahu Nikolla Plasoti iu përgjigj se bazat e tij qenë “goditur nga Sigurimi Shqiptar” dhe “u bënë shumë vite që kam hequr dorë e shikoj punën e time”. Ai e këshilloi të shkonte në Konicë e ta studionte vetë kufirin karshi Sarandaportit dhe atje, në ato rrethana me mot dimri, mbase gjente një shteg për të kapërcyer kufirin.

I pakënaqur nga Plasoti dhe duke e peshuar mirë paralajmërimin që ai i dha se, sapo të kalonte kufirin shqiptar do ta denonconin, sigurisht duke hamendësuar se pas kësaj direktive për t’u tërhequr nga plani i tij vetiak për aksione të armatosura kundër regjimit të Enver Hoxhës, Abdyl Banushi vendosi të shkonte në sektorin e postës greke karshi Sarandaporti (te Tri Urat). Që atje hodhi në lumin Vjosa, nga pjesa greke, një sasi fletushkash të plastifikuara të cilat që në Nju-Jork i pati përgatitur në emër të “Frontit të Rezistencës Antikomuniste (Antistaliniste). Lumi ato i shpërndau në brendësi të tokës shqiptare dhe u vërtetua që disa nga këto fletushka arritën deri në Mifol të Vlorës.

Pas kësaj bashkë me të vetët mori rrugën e kthimit të drejtpërdrejtë për në Nju Jork, ku raportoi se “kishte kryer rikonjicionin e nevojshëm për t’u futur në Shqipëri” si dhe kishte futur ilegalisht “posterat” e prodhuara prej tij e Mexhit Dibrës”.

Përveç surprizës greke për të ndenjur mënjanë nga plani i tij, në rrugën për në SHBA, Banushi do të kishte edhe një të papritur tjetër. Këtë e zbulon aktpadia e dy prokurorëve, çfarë si burim informacioni ka pasur atë që gjatë hetimeve kishte pohuar ai vetë: “...i pandehuri Abdyl Banushi nuk mundi të realizojë as aktin terrorist në ambasadën tonë në Vjenë, për arsye se gjatë udhëtimit me tren në territorin jugosllav, në afërsi të Shkupit, organet jugosllave gjetën lëndët eksplozive, të cilat i pandehuri i kishte fshehur në një kabinë tjetër të trenit. Në këtë mënyrë, u detyrua të kthehet në Nju-Jork”.

Vjen me bomba në xhepa për të vrarë Enver Hoxhën, por nuk e kalon dot kufirin

Në librin e tij “Një zë në shkretëtirë”, botuar nën kujdesin e shkrimtarit Mihallaq Qilleri në mes të viteve nëntëdhjetë, Abdyl Banushi tregon sikur në fund nëntor 1974 jo vetëm ka hyrë në Shqipëri, por edhe ka tentuar vrasjen e Enver Hoxhës, episod që e ëndërronte me kohë të kryhej dhe t’i jepte statusin e heroit.

Ja disa fragmente të shkëputura nga ky rrëfim i sajuar: “Më datën 20 nëntor 1970, së toku me Tomën dhe Ded Mërnacin u nisëm nga SHBA. Kuptohej itinerari; Athinë-Prevezë dhe pasi të furnizoheshim atje me gjithçka na duhej, të kalonim kufirin për në Shqipëri. Më 22 nëntor ishim në Filat të Çamërisë, ndërsa në orën 21 të po asaj dite nisëm të ngjitnim Malin e Stillos. Kundërzbulimi shqiptar ishte vënë menjëherë në dijeni të misionit tonë”, “Në urën e lumit Povlla ishte vendosur një patrullë e fortë e cila qëndronte aty edhe në ditë të zakonshme. Por, tani me afrimin e festave komunistët merrnin masa të rrepta sigurimi sepse e dinim se ne godisnim pikërisht atëherë. Kështu që u detyruam ta kalonim lumin në këmbë. Ishte ftohtë. Sapo kishin nisur shirat e para të vjeshtës. Lumi kishte shumë ujë. Por, ne i kishim të gjitha mjetet. Baza jonë e parë ndodhej në fshatin Aliko të Sarandës”, “Në Gjirokastër u strehuam në bazën tonë të përhershme, në familjen Jonuzi. Qenë po këta njerëz që na prenë pesë bileta për në Tiranë… Punët po shkonin mirë dhe ne, ja ku po hynim në kryeqytet. Mirëpo, nuk ishte aq e lehtë. Në Urën e Subashit ishte vendosur një postbllok me policë e ushtarë të cilët kontrollonin të gjitha mjetet dhe njerëzit e panjohur që kalonin s’andejmi”, “Në orën 5 të mbrëmjes do të gjendeshim të strehuar në familjen Bineri në Tiranë. 28 Nëntor 1974, Tirana ishte zbukuruar e gjitha për festë. Nuk e kishim të vështirë të dilnim nëpër qytet. Aq shumë lëvizje kishte. Por, gjithçka duhej ta kryenim të nesërmen, prandaj nuk largoheshim shumë nga baza jonë. Për të parë situatën, doli disi më larg vetëm njeri nga tanët, Sulejmani. Ishte i armatosur me pistoletë e granata përfund bluzës së trashë. Doli deri në sheshin “Skënderbej”. Do të provonte të depërtonte së paku deri te vendi përballë tribunës, tashmë të ngritur për paradën e nesërme. Por, masat ishin të tilla, sa as te trotuari përballë Hotel “Dajtit”, ku vendosej zakonisht orkestra frymore, nuk lejohej të afrohej askush”, “Vendosa të dilja vetë njëherë. Iu afrova drejtimit të tribunës, por kishte aq shumë njerëz të aktivizuar për sigurinë e saj e të vendit përreth, sa e ndjeva se do ta kisha shumë, shumë të vështirë”, “Të nesërmen, më 29 Nëntor, tentuam t’i afroheshim edhe njëherë tribunës, ashtu, kinse të shtyrë nga turma e njerëzve. Por, nga sheshi “Skenderbej” e deri te Ura e Lanës gjithçka ishte në një kontroll aq të rreptë, sa nuk mund të depërtonte as miza”.

Në pamundësi për ta kryer atentatin Abdyll Banushi në librin e tij ngul këmbë se nga baza Bineri “ne u detyruam të dilnim natën nga kati i dytë me litar, pas pallatit. U larguam më këmbë për në Yzberisht, ku kishim një bazë tjetër”, “Të nesërmen, më 30 nëntor, u detyrova të hyja vet në Tiranë. Së paku të kryenim aksionin e ambasadës kineze. Iu afrova ndërtesës e cila gjendej në një vend tepër të rrezikshëm...U ktheva pa bërë asgjë. Megjithatë, në konsultimet e pasdites vendosëm të hynin përsëri në Tiranë. Kësaj radhe baza do të ishte familja Begeja... në familjen Begeja bëmë një mbledhje të shpejtë ku analizuam situatën. Vendosëm të ndryshonim menjëherë bazën. Kështu, u detyruam të hynim në Ndroq në familjen Mancaku...Familja kishte një kasolle të madhe për kafshë dhe ne u stabilizuam atje për shtatë ditë. Ishte e pamundur të hyje përsëri në Tiranë. ...U detyruam të niseshim për në Fier”.

Vjen në fillimprill 1975,  e fusin me lojë agjenturore në kufi dhe e arrestojnë

Sigurisht pas dështimit të mos hyrjes fare në territorin shqiptar kur këtu zhvilloheshin festimet e 30-vjetorit të çlirimit, Abdyl Banushi duhej të tërhiqej, por ai vazhdonte të besonte se Enver Hoxhën mund ta hiqte qafe fizikisht. Kështu hodhi hapin tjetër

Sipas aktakuzës, “i pandehuri Abdyl Banushi, në datën 26 mars 1975 u nis përsëri nga Nju-Jorku dhe pasi u furnizua me armatime dhe lëndët eksplozive të nevojshme në bazën e tyre në Greqi, shkoi në Titograd të Jugosllavisë me qëllim për t’u futur ilegalisht në Shqipëri nga sektori kufitar i Shkodrës. Më datë 8 prill 1975, rreth orës 01:30, në kohën kur i pandehuri kishte kaluar kufirin shtetëror të RPSH dhe ishte futur ilegalisht 600-800 metra në thellësitë tokës sonë, dëshmitari Tom Mernaçaj e goditi atë me trupin e automatikut në kokë dhe ua dorëzoi rojeve tona kufitare”.

Sipas anëtarit të Njësitit Special të Zbulimit Shqiptar në Nju Jork Meno Dedaj dhe librit të tij “Emigracioni shqiptar”, pjesa e dytë, “Insistues dhe i vendosur, Avduli duke diskutuar në picerinë ku qëndronte në Nju-Jork, pronarit (edhe ai i arratisur nga Veriu) i kërkoi që të bënte një njohje terreni për t’u futur në Shqipëri nëpërmjet kufirit verior. “Pronari”, pasi e peshoi problemin, i rekomandoi “burimin” tonë si “kompetent” për vijën e kufirit dhe me lidhje të shumta në Shkodër... Të tre: A.Banushi, “pronari” dhe “burimi” ynë, studiuan së bashku me hollësi kufirin; u përqëndruar tek pjesë në kontroll të pikës kufitare të Hanit të Hotit. Gjetën harta; përcaktuan ku vendoseshin rojat tona, ku posta jugosllave; patrullat ku lëviznin më shumë? etj… E përcaktuan edhe itinerarin e mundshëm për të hyrë deri në brendësi të tokës sonë. Vranë mendjen se si të shmangnin klonin: duke gërmuar truallin nën të, në vende të rrëpirta… ku dheu zhvendosej më lehtë etj."

Mbyllja: për deri te kloni u piketua një shoqërues; ai do t’u garantonte - në afërsi të kufirit - njerëz e baza të besueshme; në Shkodër brenda do të ndërlidhte Avdulin me të besuarit e “Burimit”. Shpërblim i premtuan një shumë të majme në dollarë”.

Vijon shpjegimin Meno Dedaj: “Planifikimet e tyre na raportoheshin në kohë optimale. Nga ne, mbi një kombinacion, Avdulit iu ofrua një adresë reale, tek “Shallvaret”, në Tiranë; adresa e lakmuar prej tij, në fakt, i përkiste një lidhjeje agjenturore të ambasadës jugosllave".

Më tej: “Personat e përgatitur enkas, s’e pranuan ofertën e tij, duke e dyshuar. Mbetur vetëm, i kërkoi me insistim “burimit” që ta shoqëronte deri në Shkodër. “Burimi” nxori një mijë e një arsye kundërshtuese, por i rekomandoi dikë, me të cilin A.Banushi, pa u menduar dy herë, u nis drejt Romës. Në Romë mori takim me Hasnedarin; u konsultuan lidhur me hyrjen në Shqipëri nëpërmjet kufirit jugosllav. U vendos: të bëhej kalimi nga një pikë e Crna Gores (Mali i Zi). Aty - nga të afërm të shoqëruesit - Avdul B. u armatos (me automatik e pistoletë).

Sapo vuri këmbët në territor shqiptar - midis Shkodrës e Malit të Zi- A. Banushi u mbërthye, u gozhdua dhe ju dha drejtësisë.

Sipas Meno Dedaj i Njësitit Special të Zbulimit në Nju Jork në vitet 1978-1983, tre vetë të kamufluar si diplomatë të Misionit tonë të Përhershëm pranë OKB-së, mes tyre edhe Sokrat Çomo që më pas do ta hetonte Banushin dhe formulonte aktakuzën kundër tij, “Kapja dhe arrestimi u mbajt tepër sekret për një kohë të gjatë... Ndërsa lidhjet e tij në Nju-Jork nuk ekspozuan asnjë interes: Mexhit Dibra nuk bëzante, madje tregohej fare i paditur për ecejaket e Avdulit. Në shtypin e emigracionit s’pati reagime, as në emisionet radiofonike të “Legalitetit” apo “Ballit Kombëtar”. Nuk u komentua aspak nga kryesia e Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Nga organizatat e tjera nuk pritej të kishte komente. I vetmi i tulatur- Sabaudin Hasnedari; ky individ ndërpreu kategorisht vizitat në Ambasadën Shqiptare; as Romës nuk iu afrua për një kohë të gjatë”. 

(Vijon)

 

 

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë