Michelangelo, Jacques-Louis David dhe Théodore Géricault, emra të mëdhenj, të artit botëror, erdhën në Tiranë nën rrëfimin e veçantë të Nea Tandinit, historiane e artit, këtë herë të zhveshur nga mitet, për të zbuluar anën e tyre më të brishtë, më të ndjerë dhe më njerëzore. Nën titullin “Të shëmtuar, të deformuar, depresivë dhe të kompleksuar”, pasionet, ambiciet, vuajtjet dhe konfliktet që i shoqëruan piktorët gjatë jetës së tyre, në mënyrë ironike dhe therëse paralelizohen me realitetin e sotëm shqiptar. 

Në një kohë kur arti shpesh shihet vetëm përmes madhështisë së tij, projekti artistik i Tandinit zgjodhi të ndalet tek plagët, frikërat dhe vetmia që kanë shoqëruar disa prej emrave më të rëndësishëm të kulturës evropiane, por që në të vërtetë përfaqësojnë fenomene të shoqërisë njerëzore edhe në ditët e sotme.

“Është një emocion shumë i fortë që të sjell këtë në skenë një vepër që nuk më përket mua, po i përket publikut shqiptar. Një vepër e cila flet jo aq shumë për shëmtim, fundja dhe deformimin e artistëve dhe të mëdhenj të së shkuarës, por për bukurinë që ne mund të gjejmë brenda nesh, për bukurinë që qytetari shqiptar mund të gjejë brenda tij, pavarësisht gjithçkaje.”, tha për "Repprt TV", Nea Tandini

Përmes imazheve, interpretimit skenik dhe tingujve të violonçelit të Mario Guralumit, rrëfimi i Tandinit në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik, udhëhoqi publikun në një udhëtim të veçantë emocional mes historive dhe botës së brendshme të artistëve.