Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për Hasan (Bardh) Isufin i cili u arrestua si autor i plagosjes së Gëzim Bicit tre ditë më parë pranë urës së Bunës.

Togat e zeza kanë dhënë vendimin duke e lënë në burg pa afat 59-vjecarin. Pala mbrojtëse kërkoi paligjshmërinë e arrestit si dhe masë sigurie detyrim paraqitje. Gjyqtarja Kostandina Kuro vendosi arrest me burg, kërkesë kjo edhe e prokurorit Astrit Halilaj. I dyshuari nuk ka folur në seancë.

Ai është pronar i kompanisë së peshkut “Isufi Shqype” dhe ka në përdorim ishullin në lumin Buna në Shkodër. Hasan Isufi ka deklaruar në momentin e arrestimit se shkak i plagosjes ka qenë dështimi i negociatave për blerjen e një pasurie të paluajtshme në qytetin e Shkodrës.