23 gushtin e vitit 2024, rreth orës 5 pasdite, tre mjete të blinduara me disa njerëz të armatosur u nisën nga Dobraçi, baza e grupit të Bajrave në Shkodër, drejt fshatit Rranxa në Bushat, me objektiv për të ekzekutuar Aleksandër Prendin. Me Prendin grupi kriminal kishte hesape të pashlyera për shkak të përplasjeve për trafikun e drogës.
Por 20-vjeçari në atë kohë Prendi, kishte mësuar planin e kundërshtarëve, dhe kishte marrë masa. Ai iu përgjigj po me armë atentatorëve. Nga shkëmbimi i zjarrit nuk pati asnjë të plagosur dhe nuk u gjet asnjë prej personave të përfshirë.
“Vendi ku ka ndodhur ngjarja, fshati Rranxa, në Njësinë Administrative Bushat njihet si zonë e te pandehurit Aleksandër Prendi dhe familjarëve e tij, Andrea Prendi dhe Pjetër Dragoti (Prendi) (vëllezërit) dhe ndodhet rreth 21 km larg Dobraçit, që njihet si zonë e të pandehurve Izmir Edmond Sakicaj, Samuel Zamir Troshani dhe Franko Gjergj Leka”, evidenton SPAK në njoftimin e mbylljes së hetimeve për ngjarjen e gati 2 viteve më parë.
Prokuroret e posaçme, Elida Kaçkini dhe Manjola Kajana, kanë dorëzuar për gjykim dosjen me 4 të pandehur, ndërsa nuk ka mundur t’i identifikojë të gjithë të përfshirët në këtë ngjarje.
Për tentativën për vrasje në rrethana cilësuese të Aleksandër Prendit akuzohen Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka. Ndaj të treve rëndojnë edhe akuzat krijim të kushteve për të krijuar vrasje apok armëmbajtje pa leje, të gjitha në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Por edhe objektivi i atentatit nuk i ka shpëtuar akuzave. Për gjykim është dërguar edhe Aleksandër Prendi, i akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese, kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë.
Franko Leka dhe Aleksandër Prendi janë në kërkim, ndërsa Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të njohur ndryshe si pjesëtarë të grupit ‘Bajri’, janë vetëdorëzuar në policinë e Shkodrës më 22 janar 2025 për rrahjen e një qytetari në Shkodër dhe vijojnë të jenë në “arrest me burg”.
SPAK e evidenton që në fillim të njoftimit të mbylljes së hetimeve se i konsideron Izmir Sakicajn, Samuel Troshanin dhe Franko Lekës, pjesë të një grupi kriminal të përfshirë në veprimtari kriminale, që konsiston në kryerje të veprave penale të dhushme, nën përdorimin e armëve të zjarrit dhe përfitimin e të ardhurave pa origjinë të ligjshme.
Për Izmir Sakicajn dhe Samuel Troshanin, prokuroret thonë se kanë vërtetuar përmes pamjeve filmike se janë pjesë e grupit të Safet Bajri.
Nga zbërthimi i telefonave të Sakicës SPAK ka zbuluar video dhe foto që vërtetojnë që grupi rrinte me armë, edhe të kalibrit të madh, madje edhe të varura në mur, në një bar në Dobraç, që ishte si bazë e grupit, siç duket në këto pamje të datës 28 korrik 2024.
Izmir Sakica kishte dhjetëra foto me armë, në makina e ambiente publike apo edhe teksa bënte qitje dhe në makina mbante sasi të mëdha parash cash siç vërtetohet edhe nga këto pamje (faqe 23, 24, 25)
Në një tjetër video të 21 nëntorit 2024, Samuel Troshani dhe një vajzë, ende e paidentifikuar, bëjnë qitje me armë pistoletë.
Ndërkohë që hapja e telefonit iPhone 13 Pro në përdorim të një personazhi e emrin Arsen Cenit, mik i vëllezërve Prendi, i shërbeu SPAK-ut për të zbuluar mënyrën se si ka funksionuar grupi rival i Bajrave.
Ata përdornin nofka të ndryshme, me Cenin që identifikohej si ‘strategu’, Andrea Prendi me pseudonim “Q8”, vetë Aleksandër Prendi thirret nga bashkëbiseduesit si “Nusja”, vëllai tjetër Pjetër Prendi “Kapedani” apo edhe babai i tyre me pseudonimin “Noizy”.
Pasditen e 23 gusht 2024 SPAK thotë se është qëlluar nga 2 armë të ndryshme pistoletë. N ë vendngjarje janë gjetur 3 makina të braktisura, Audi A8 e dëmtuar nga plumbat, që drejtohej nga Izmir Sakica, rrobat e të cilit janë gjetur brenda. Një tjetër audi A 8 e Franko Lekës e cila u largua nga vendngjarja dhe u gjet ne servis dhe mjeti tjetër, një BMW që përdorej nga Aleksandër Prendi.
Ndërkohë në vendngjarje SPAK thotë se ka qenë edhe një Mercedes Benz S600, i cili është larguar por që 10 ditë më vonë, më 3 shtator 2024 është ndaluar nën drejtimin e Safet Bajrit. Ky i fundit u shoqërua dhe u mor në pyetje por më pas u la i lirë. Siç duket SPAK nuk ka gjetur prova për përfshirjen direkt në ngjarje të tij.
Tashmë dosja për të 4 akuzuarit do të jetë në pritje të një date nga ana e gjyqtarit Marinela Osmani për seancën e parë paraprake.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Fshati Rranza në Bushat u kthye në fushë betejë më 23 gusht 2024. Anëtarë të grupit të Bajrave shkuan për të ekzekutuar Aleksandër Prendit, i cili për të shpëtuar vetn, u bëri pritë autorëve duke u qëlluar me breshëri armësh.
Nga dosja e SPAK që Report Tv disponon, në vendngjarje janë gjetur 3 automjete luksoze të dëmtuara. Një ‘Audi’ i blinduar me ngjyrë blu të errët dhe me targa gjermane SWAG276 është dëmtuar si pasojë e të shtënave me armë. Rezulton se ky automjet është përdorur nga Izmir Sakicaj.
Një tjetër ‘Audi A8’ i blinduar ngjyrë e zezë me targë AA021RU, është dëmtuar si pasojë e të shtënave në pronësi të Franko Lelës. Ky mjet është larguar prej këtij të fundit nga vendi i ngjarjes drejt një servisi në pronësi të shtetasit Tonin Ejlli, ku është edhe sekuestruar si prove materiale.
Në afërsi të vendit të ngjarjes është gjetur gjithashtu dhe një automjet tip ‘BMW’ ngjyrë e bardhë, me targë AB216LL. Nga këqyrja e këtij mjeti, janë evidentuar 4 dëmtime të njëpasnjëshme në derën e pasme të anës së djathtë të mjetit, si ato të shkaktuara nga armët e zjarrit dhe një dëmtim në derën e shoferit, që mund të jetë shkaktuar nga ndonjë përplasje fizike më një mjet të fortë. Ky automjet rezulton në pronësi të Marcelino Gjok Qokaj, i cili ka deklaruar se ia kishte dhënë me qira Aleksandër Prendit.
Në vendngjarje, nga hetimet rezulton se ka qenë dhe një mjet e blinduar tip Mercedes Benz S600 me targë AB857LV, i cili është konstatuar duke u larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me makinën Audi A8 me targa AA021RU, dhe është ndaluar nga shërbimet e policisë në datën 03.09.2024, nën drejtimin e Safet Bajrit. Ky i fundit ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni për ngjarjen.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, janë gjetur në distanca të ndryshme 34 gëzhoja të qitura nga 2 armë të ndryshme zjarri.

Nga dosja që Report Tv disponon për përplasjen me armë zjarri të ndodhur në fshatin Rranxë, Bushat në Gusht 2024, gjenden disa komunikime mes të afërmve të Aleksandër Prendit, i cili ishte shënjestër e anëtarëve të grupit ‘Bajri’ për tu ekzekutuar.
Një person me pseudonimin ‘Cavalli’ i dyshuar si Andrea Prendi, i vëllai i Aleksandër Prendit, komunikon me Arsen Cenin, tregon se ka hapur kamerat e vendosura në banesën në fshatin Rranxë dhe ka parë se ka pasur lëvizje gjatë natës pasi policia kishte shkuar për kontroll. Gjithashtu ata flasin se janë ruajtur nga kundërshtarët që një natë më parë.
Më tej shihet shqetësimi që kanë për një kamera që mund të ketë fushëpamje nga zona ku ka ndodhur përplasja me armë zjarri për shkak se mund të jetë filmuar dhe automjeti tip BMW, që rezulton e marrë me qira nga Aleksandër Prendi. Ky i fundit e ka përdorur ditën e ngjarjes kur i ka bërë pritë me armë Sakicës, Troshanit dhe shokëve të tyre që kishin shkuar për ta vrarë.
Në biseda ata i drejtohen njëri-tjetrit me pseudonime; 'Noizy' është Gëzim Prendi (babai i Aleksandër Prendit, Andrea Prendit dhe Pjetër Dragodit)
Pjesë nga dosja hetimore
"Cavalli", i thotë Arsenit se ka parë kamerat e shtëpisë gjatë natës dhe ka vërejtur forcat e policisë që kanë shkuar për të ushtruar kontroll dhe Arseni i përgjiget se e ka marrë vesh sepse ia kishte thënë edhe "Kapedani" që duhet të jetë Pjetër Prendi (alias Dragoti).
Ndër të tjera Arseni thotë se do qëndrojë te shtëpia e vëllezërve sëbashku me "Noizyn" për të bërë roje se mos vjen dikush dhe ka në dispozicion një cifte me disa fishekë dhe "Cavalli" shprehet se "po tbani roje fratelo....kot ajo pune...po he...se thojn na kan gjujt diten lene ma naten".
Të nesërmen me datë 25.08.2024 "Cavalli" është i shqetësuar për disa kamera të zonës ku ka ndodhur ngjarja dhe dërgon Arsenin të shohi drejtimin e kamerave. Arseni pasi afrohet tek zona me kamera e qetëson pasi sipas tij kamerat nuk kanë këndvështrimin andej nga mund të identifikohet kalimi i mjetit BMW dhe në atë moment "Cavalli" shprehet se "ishalla skapin" "se pshton dhe aleksi” “se mu mhajn k..." "Se vec njajo kamer asht tan problemi".
Për sa i përket ditës së ngjarjes Arseni i thotë Cavallit se personat me automjete të blinduar që kanë shkuar në Rranxë, mund të kenë qenë në zonë që një natë më parë për të marrë informacion se ku banonin vëllezërit Prendi dhe më konrektisht i shprehet se "Se ndejta me jonin pak par me tha se kishte nigju se ishin sjell qysh nade ato" "Edhe i kishte than fatjoni se kishte ken nje pajton knej sterr i zi" "Edhe at dit kishin pyt ner cunaj per ty e kapedanin", ndërsa "Cavalli" i përgjigjet “E kan gjet mir shpin" ndërsa Arseni kundërpërgjigjet se "jan da mir me aq".
Gjithashtu "Cavalli" është i shqetësuar për dicka që Arseni duhet të fshihte pas ngjarjes së dates 23.08.2024 dhe e pyet Arsenin "a jan lerg ato qe ke mshef" "apo sdin gja", ndërsa Arseni i përgjigjet "1 aty ku i kam meshe ather", "Tj pa shku te toka agimit ne krah te majt ne ferra".

Izmir Sakicaj dhe të tjerë persona duke bërë qitje me armë
Report Tv ka siguruar dosjen e SPAK lidhur me ngjarjen e regjistruar në fshatin Rranxë të Bushatit më 23 gusht 2024 ku një përplasje me armë zjarri u regjistrua mes Aleksandër Prendit dhe anëtarëve të grupit të Safet Bajrit, Izmir Sakicaj, Samuel Troshani e Franko Leka. Këta të fundit kishin shkuar për të vrarë Prendin, por ky i fundit u bëri pritë me breshëri armësh.
Nga sekuestrimi i celularit të Izmir Sakicës, janë gjetur disa foto dhe video me armë të kalibrave të ndryshëm. Në telefon janë gjetur filmime të Sakicës e të tjerë personave duke bërë qitje me armë zjarri në zonë në pabanuar.
Komente








