Deri në këtë moment, ne nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare nga KQZ, e cila të na njohë me konstatimet e gjetura nga ana e saj. Kemi dorëzuar pranë KQZ 62 000 firma të qytetarëve, të shoqëruara me fotokopjet e kartave të identitetit. KQZ, pasi të ketë verifikuar dokumentacionin që ne i kemi dorëzuar, duhet të na japë rezultatin e këtij verifikim dhe nëse rezultojnë firma të pavlefshme dhe nuk arrihet numri prej 50 000 firmash, KQZ duhet të na vërë në dijeni se sa firma nevojiten akoma. Paskëtaj, Ligji na jep edhe 30 ditë kohë për të vazhduar mbledhjen e firmave deri sa ta plotësojmë numrin e duhur prej 50 000 të tilla. Ndërkohë, KQZ është shprehur se firmat janë të falsifikuara. Ne nuk e pranojmë termin falsifikim, pasi qytetarët që e kanë firmosur formularin, e kanë bërë me dëshirën dhe vullnetin e tyre të lirë. Termi falsifikim shpreh mosbesim dhe mungesë respekti ndaj qytetareve që kanë firmosur formularët. Me deklaratën që ka bërë KQZ po krijon një precedent të rrezikshëm, pasi qytetarët që marrin nisma për referendum, papritur mund të gjenden nën frikën dhe presionin se firma jote mund edhe të falsifikohet. Nisma jonë është një nismë qytetare dhe jo një nismë që synon të marrë pushtetin. Presim nga KQZ-ja të na japë dritën jeshile dhe të procedohet më tej, duke ia përcjellë çështjen për kushtetueshmëri Gjykatës Kushtetuese dhe më tej, Presidentit të Republikës, i cili dekreton datën e zhvillimit të referendumit.
Ju do të ndërmerrni ndonjë veprim tjetër pas deklaratës së KQZ?
Sigurisht që po. KQZ mashtron kur thotë se nuk është shkelur afati ligjor për të verifikuar firmat. Ne i kemi dorëzuar kërkesën dhe dokumentacionin për të bërë referendumin me datë 13 mars 2012 dhe sipas ligjit, duhet të kishim marrë përgjigjen brënda datës 13 qershor 2012, 2012. Pra KQZ duhet të na kishte kthyer përgjigje se sa prej firmave që ne kemi dorëzuar janë në rregull.
Çfarë rrezikon Shqipëria nga importi i plehrave?
Çështja që ne kemi ngritur nuk është një luftë e ambientalistëve me jo - ambientalistët. Kjo është një luftë qytetare me joqytetarët. Edhe ata që bëjnë politikat, edhe ata që bëjnë ligjet, edhe ata që punojnë në KQZ janë para të gjithave qytetarë dhe preken njësoj si edhe ne që nuk jemi pushtetarë, nga ndotja e mjedisit. Mbrojtja dhe kurimi i mjedisit, duhet të jete në vemëndjen e të gjithëve.
Çfarë nuk shkon tek ligji për importin e plehrave?
Po të shikohet me vëmendje ky ligj, janë dy nene që janë futur në mënyrë pirate brenda një ligji që duhet të garantojë pastërtinë e ambientit të vendit tonë. Këto dy nene lejojnë importin jo vetëm për riciklim, por lejojnë importin për depozitim dhe madje edhe për asgjësim. Që do të thotë se Shqipëria do të kthehet në një terminal dhe vend grumbullimi për mbetjet dhe plehrat e vendeve të tjera. Kur e dimë edhe kapacitetin teknik dhe njerëzor të pikave tona doganore.
Po deklaratën e ambasadorit amerikan Arvizu se KQZ nuk po bën punën e saj për t'ju kthyer një përgjigje, si e shikoni?
Ambasadori Arvizu ndërmori një nismë shume interesante "VEPRO TANI". Në promovimin e kësaj nisme, ambasadori i SHBA përmendi edhe çështjen e referendumit kundër importit të plehrave, si një e drejte kushtetuese. Ambasadori ishte i drejtpërdrejtë lidhur me vonesën nga ana e KQZ në dhënien e përgjigjes brënda afatit ligjor. Kjo është diçka që ai publikisht e tha si një çështje madhore, për të ardhmen e vendit tonë. Ne pretendojmë të jemi të barabartë me qytetarët e tjerë të Evropës, ku respektohen dhe mbrohen e drejta e jetës dhe mjedisit, ku zbatohen konventat dhe protokollet ndërkombëtare si ajo e Aarhusit apo e Rios. Nga ana tjetër, ne nuk duam që e ardhmja e vendit tonë të jetë industria e riciklimit, depozitimit apo asgjesimit të plehrave të botës. Ky do të jetë një denigrimi i pariparueshëm dhe i përjetshëm për qytetarët e vendit tonë sot, e brezat në vazhdim.
Le te flasim pak për politikat e qeverisë për ambientin, sipas jush a është qeveria shqiptare në rrugë kn e duhur?
Ne jo më larg se dje ishim në një protestë për prerjen e pemëve tek Liqeni Artificial, që është bërë në terr informativ. Bashkia e Tiranës është e detyruar të bëjë transparencën lidhur me c'do veprim që eventualisht mund të dëmtoje interesat e qytetarëve dhe komuniteteve. Por kjo që po shohim këto ditë jo vetëm te parku natyror, por edhe prerja e lisit te Galeria e Arteve ishte një zhgënjim. Të gjitha këto na bëjnë të mendojnë se nuk janë politika vizionare, konstruktive dhe afatgjata për zhvillimin e qëndrueshëm të Tiranës.
A janë shqiptarët të ndërgje- gjshëm sa duhet për ambientin?
Rëndom thuhet "ambientalistët dhe...". Ka ardhur koha që çdo qytetar të jetë ambientalist, pra duhet të bëjmë shumë më tepër punë edukuese që çdo qytetar të kujdeset për ambientin, ta mirëmbajë por edhe ta kurojë atje ku është dëmtur. Për fat të keq ne bashkëjetojmë me ndotjen dhe kjo duhet ndryshuar.
Kryeministri Berisha ka deklaruar si prioritet zhvillimin e turizmit, a mund të zhvillohen paralelisht edhe turzimi edhe industria e riciklimit të plehrave, pa dëmtuar njëra-tjetrën?
Ne kemi një vijë bregdetare prej më shumë se 200 km dhe është për t'u vlerësuar vënia si prioritet nga ana e kryeministrit. Por nga ana tjetër, perspektiva që shikohet me importin e plehrave, si një zhvillim i industrisë së riciklimit në Shqipëri është totalisht në konflikt me zhvillimin turistik të vendit tonë. Nuk mund të ketë zhvillim të turizmit duke pasur një industri të fuqishme të zhvillimit të mbetjeve.
Kur ambienti është kthyer në një prioritet për të gjithë vendet e zhvilluara, cili është mesazhi që u përcillni shqiptarëve?
Unë mendoj se qytetarët sot janë shumë më të ndërgjegjësuar. Por brezi i ri që e ka të ardhmen përpara, duhet të punojë më shumë dhe nuk duhet të lejojë që jeta e tyre të varet nga interesa të vogla të disa personave të caktuar. Duhet të punojmë shumë më tepër për ta parë të ardhmen me kurajo, për të kritikuar apo protestuar atje ku gjërat mendojmë se nuk shkojnë.
(ek/im/shqiptarja.com)