Një aksident rrugor me pasojë vdekjen është shënuar këtë të martë në aksin rrugor Korçë - Bilisht në afërsi të fshatit Cangonj.

Paraprakisht bëhet me dije se një makinë ka përplasur një këmbësor i cili ka qenë duke kaluar nga një anë e rrugës në tjetrën.

Fatkeqësisht, për shkak të plagëve të marra, 79-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.

Ndërkohë nga pamjet e siguruara nga Report Tv shihet se pas aksidentit makina ka përfunduar në kanal.

“Rreth orës 11:45, në aksin rrugor "Korçë-Devoll", te kryqëzimi i Progrit, shtetasi H. K., me automjetin që drejtonte, ka përplasur shtetasin H. R., rreth 79 vjeç.  

Si pasojë e përplasjes, shtetasi H. R. ka humbur jetën në vendngjarje. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale”, njoftoi sot policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punon për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e aksidentit.